Gazeta “Dita” publikon sot një letër të hapur të historianit Paskal Milo që ngre shqetësime të vetat për një konferencë të paralajmëruar nga Akademia e Shkencave për Luftën NacionalÇlirimtare. Në ditët e mëparëshme gazeta në fjalë ka shkruar për këtë konferencë duke akuzuar përmes prononcimeve të vetranëve të ndryshëm, se ajo po mohon luftën, se ngjan si e përgatitur në kuzhinat e Gestapos dhe se po përpiqet të mohojë Luftën për ta zëvendësuar atë me konceptin e Rezistencës Antifashiste. Akademia e Shkencave përme snjë shkrimi në Facebook sqaroi pozicionin e vet duke e parë reagimin si të motivuar qëllimisht dhe politikish. Mirëpo Milo, që është edhe kryetar partie, mbështet tezën se me këtë konferencë Akademia e Shkencave po njollos një periudhë të historisë sonë, duke akuzuar si hartues të tekstit, historianin Romeo Gurakuqi:

Një nga artikuluesit kryesorë të këtyre tezave është përzgjedhur edhe si anëtar i komisionit organizator të konferencës nga ana e Akademisë së Shkencave.

Këto ditë, pas një parapërgatitjeje gati tre mujore u shfaq një version i ri “për t’i hedhur verës ujë”, siç tha heroi i mirënjohur antifashist grek, Manolis Glezos. Ky emërtim në dukje i ri, gjithëpërfshirës dhe me pasaportë “evropiane”  doli si kripa në ujë jo rastësisht tani për t’u vendosur në qendër të konferencës.

I mbiquajtur me tre epitete: “antifashizëm popullor”,  ” antifashizëm pa armë” dhe “antifashizëm pa uniformë” , ai po shitet si një qasje e re gjoja evropiane, por në fakt është një përpjekje tinëzare për të futur nga dritarja një tezë  të vjetër, të paktën disa vjeçare, që ka qarkulluar në mjedise akademike e mediatike në Tiranë.

Kjo tezë është e lidhur me emrin e anëtarit të komisionit organizator të konferencës, prof. Gurakuqit.

Cilido mund të gjejë online këto teza të kolegut Gurakuqi dhe mund t’i krahasojë ato me trendin evropian të “antifashizmit popullor.”  Unë thjesht po citoj diçka nga koncepti i tij i publikuar para dy -tri vitesh i njohur si “akomodim me pushtuesit”. Sipas këtij koncepti ka ekzistuar mes bashkëpunëtorëve të pushtuesve dhe partizanëve “një zonë shumë e gjerë gri” që pushtimin fashist të Shqipërisë e priten “në heshtje dhe pasivitet… duke u kujdesur para së gjithash për ruajtjen e familjeve, pronave të veta dhe zakoneve tradicionale… ishin armiqësorë ndaj fashistëve italiane, ashtu në heshtjen e tyre dhe ne dyfaqësinë e tyre”.

Ky është varianti shqiptar i “antifashizmit popullor” që synon prej kohësh të vendos në një plan e nën një kapele kolaboracionizmin shqiptar dhe shumë shqiptarë që preferuan të mbyllen në shtëpi e në kafene me mijëra e mijëra djem e vajza shqiptare që dolën maleve, luftuan, u gjakosën e u vranë për lirinë e Shqipërisë.

Nuk jam i sigurt të ketë ndonjë koleg serioz historian që të ketë shkruar e gjykuar në këtë këndvështrim, përpos ndonjë individ që mund t’u bëjë jehonë këtyre tezave dhe kësaj apologjie të kolaboracionizmit. Individë të tillë mund të jenë edhe në institucione që paguhen me taksat e shqiptarëve sot, siç mund të ketë edhe në entourage-in e kryeministri e pse jo edhe në ndonjë nga zyrat e Akademisë së Shkencave.

Është reale, e vërtetë se në të gjitha vendet e pushtuara nga fashizmi jo të gjithë njerëzit u rreshtuan në vijat e para të frontit kundër pushtuesve dhe kolaboracionistëve, siç ndodhi edhe në Shqipëri për arsye e rrethana të ndryshme.

Kjo mund të jetë objekt studimesh historike e sociologjike, por nuk është temë qendrore, nuk është as përparësi dhe as domosdoshmëri në kremtimin e një jubileu të tillë si 75 vjetori i çlirimit të vendit. Nuk mund të jetë kurrsesi boshti i një konference kombëtare apo ndërkombëtare. Do të mjaftonin një apo dy kumtime.

Edhe justifikimi se ky është një trend evropian është i dyshimtë. Në Francë, Poloni, Greqi, në ish Jugosllavi, etj. ku është bërë rezistencë dhe luftë antifashiste e çlirimtare nuk është aspak trend një tematikë e tillë. Mund të ketë dhe ka studime individuale dhe në departamente të universiteteve të veçanta evropiane e amerikane, por nuk është kurrsesi një fenomen i spikatur studimor.

…Akademia, pa vullnetin e saj, është përfshirë në strategjinë e shkurorëzimit të LANÇ që është hartuar diku tjetër. Akademia ka në Asamblenë e saj vetëm dy kolegë historianë, por asnjëri prej tyre nuk ka studime të thelluara për Luftën. Po kështu, Akademia nuk e ka më prej shumë vitesh në varësi Institutin e Historisë, si dhe asnjë institut tjetër. Për rrjedhim, është e tepërt t’i kërkosh asaj në gjendjen që është mendim të specializuar e të thelluar për Luftën.

Lepuri fle diku tjetër. Vini re: Vendimi i qeverisë dhe urdhri i kryeministrit për kremtimin e 75 vjetorit të Çlirimit kanë dalë që në fillim të majit, atëherë kur bëhej ” loja luftash” për zgjedhjet. Askush nuk mori vesh si u bë, kush e bëri, kush bën pjesë në komisionin shtetëror, përveç një rrethi të ngushtë zyrtarësh, shkruan ndër të tjera Milo.  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]