Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel për të diskutuar për krizën në Ukrainë dhe situatën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha dje se situata në Bosnje është “më shqetëtsuese se kurrë” pasi shtimi i zërave dhe aksioneve për një shkëputje të serbëve të Bosnjës ushqen frikën e rikthimit të një konfliktin ndërkomunitar.

“Unë i bëj thirrje liderëve politikë të Bosnjës për të shmangur shpërbërjen e vendit. Mund t’ju siguroj se, në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si unë ashtu edhe Sekretari i Shtetit Blinken kemi lëshuar një paralajmërim shumë serioz. Ne nuk do të pranojmë shpërbërjen e Bosnjës”, tha Borrell.

Pas luftërave në vitet 1990 që vranë afërsisht 100,000 njerëz, një ndërhyrje e NATO-s në konfliktin boshnjak çoi në Marrëveshjen e Dejtonit, e cila e ndau vendin përgjatë vijave etnike në një përpjekje për të parandaluar dhunën.

Gjysma e vendit iu dorëzua serbëve të Bosnjës, ndërsa tjetra do të drejtohej nga një federatë myslimano-kroate.

Të dy entitetet mbahen së bashku nga institucionet federale – dikur të dobëta, por gradualisht të forcuara gjatë viteve nga një përfaqësues i lartë i emëruar nga OKB.

Por tensionet u rritën pasi udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, një ish-prokuror perëndimor i kthyer në nacionalist, shtoi kërcënimet e tij për shkëputje. Edhe nacionalistët kroatë të këtij vendi paralajmëruan se mund të formojnë rajonin e tyre.

Në Bruksel, në takim të ministrave të Jashtëm pritet të marrë pjesë edhe ministri ukrainas, Dmytro Kuleba, pasi kriza në Ukrainë është në krye të agjendës së takimit të ministrave të BE-së.