Një ajsberg prej mbi 300 kilometrash katrore, me madhësinë e Maltës, u shkëput nga akullnaja ”Pine Island” në Antarktidë. Imazhet e shkëputjes u regjistruan nga satelitët ”Sentinel-1” të programit të menaxhuar nga Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) dhe Komisioni Europian.

Që vitin e kaluar, satelitët e ESA-s kishin identifikuar dy thyerje të mëdha në akullnajë dhe gjatë muajve studiuesit kishin qenë në gjendje të vëzhgonin shpejtësinë me të cilën po zgjeroheshin këto çarje.

Nga shkurti 2019 e deri sot, misioni ”Sentinel-1” ka arritur të kapë 57 imazhe me radar, ku tregohet shpejtësia e habitshme e procesit të shkrirjes së akullnajave.