Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të njëzetin me radhë e ka Antuan Lavuazje.

Nr. XX Antuan Lavuazje
1743-1794

Shkencëtari i madh francez, Antuan Lavuazje, është figura më kryesore që ka ndikuar në zhvillimin e kimisë. Në kohën kur u lind ai (në Paris, në vitin 1743) shkenca e kimisë kishte mbetur mjaft prapa shkencave të tjera si ajo e fizikës, matematikës dhe astronomisë. Kimistët deri atëherë, kishin bërë zbulime, por nuk kishin kuadrin e duhur teorik për t’i vendosur dhe argumentuar ato. Në atë kohë, gabimisht mendohej se ajri dhe uji elemente. Dhe ç’ishte më e keqja, po kështu mendohej edhe për natyrën e zjarrit: të gjitha sendet, që digjen përmbajnë një farë materie, të quajtur flogiston, e cila gjatë djegjes, veçohet dhe fluturon në ajër. Në intervalin midis viteve 1754 dhe 1774 kimistët e talentuar, si:Xhozef Blek, Xhozef Pristli, Henri Kavendish, etj., arritën të veçonin gazet e rëndësishëm, si :oksigjenin, hidrogjenin dhe bioksidin e karbonit. Megjithatë, duke pranuar teorinë e flogistonit, ata nuk mundën të kuptonin natyrën dhe rëndësinë e zbulimeve të tyre. Ata mendonin se edhe nga oksigjeni,ashtu si dhe nga ajri, fluturonte i tërë flogistoni. (Dihet, se një copë dru digjet më mirë në praninë e oksigjenit se në praninë e ajrit të zakonshëm. Por, atëhere thuhej, se kjo ndodhte sepse ajri i veçuar nga flogistoni e absorbonte më lehtë flogistonin nga copa e drurit që digjej.) Është e kuptueshme, që kimia atëhere nuk mund të përparonte, për deri sa nuk ishin kuptuar drejt punës themelore.

Ju pëlqen!

Lavuazje pati fatin që të mblidhte pjesë të veçanta të mozaikut të fushës së kimisë dhe ta vendosë teorinë të saj në rrugën e vërtetë. Së pari, shpalli se teoria e Flogistonit ishte teori plotësisht e gabuar për vetë faktin, se nuk ekzistonte respektivisht një materie e tillë. Procesi i djegies, thoshte ai, është një veprim i përbashkët kimik midis materies që digjet dhe oksigjenit. Së dyti, uji në përgjithësi nuk është element, por bashkim kimik midis oksigjenit dhe hidrogjenit. Ajri gjithashtu, nuk është element, por kryesishte është i përbërë nga oksigjeni dhe azoti. Megjithatë, për paraardhësit dhe bashkëkohësit e Lavuazjesë nuk ishte ashtu. Edhe kur Lavuazje formuloi të argumentuar dhe me të dhëna të pamohueshme teorinë e tij, shumica e kimistëve të njohur nuk e pranuan atë. Por, në tekstin e tij të mrekullueshëm “Elementet kimike” (1789), Lavuazje ekspozoi në mënyrë të qartë dhe me argumente bindëse teoritë e tij, sa që brezat e kimistëve të rinj, u bindën në vërtetësinë e tyre.

Lavuazje vërtetoi, se uji dhe ajri nuk ishin elemente kimike. Në tekstin e tij ai vendosi edhe një listë me emrat e atyre materieve që, sipas tij, ishin elemente. Edhe pse në atë listë ka disa gabime, tabela bashkëkohore e elementeve kimikë, në të vërtetë është variant i zgjeruar i kësaj liste të Lavuazjesë.

Në bashkëpunim me Bartolen, Furkruan dhe Giton De Morvonë, Lavuazje krijoi nomenklaturën e parë kimike të organizuar mirë. Në sistemin e tij, që edhe sot paraqitet si themelor, përbërja e elementit të dhënë kimik përcakton emrin e tij. Kjo nomenklaturë e vetme u dha mundësi kimistëve të të gjithë botës, që t’ua transmetonin njëri-tjetrit zbulimet e tyre.

Lavuazje, ishte i pari që shprehu saktë parimin e ruajtjes së materies në reaksionet kimike. Reaksioni kimik mund të rirendisë elementet, që përmban materia e dhënë, por asgjë nuk humbet dhe produktet e fundit peshojnë aq sa peshonin komponentët bazë. Lavuazje këmbëngulte që të rimateshin me kujdes elementët e përfshirë në një reaksion të dhënë. Kjo e shndërroi kiminë në një shkencë të saktë dhe hapi rrugën për përparimin e saj të mëtejshëm.

Lavuazje ka disa merita në fushën e gjeologjisë, dhe një arritje themelore në fushën e fiziologjisë. Nëpërmjet eksperimenteve të kujdesshme (në bashkëpunim me Laplasin), arriti të vërtetonte me sukses, se frymëmarrja në bazë është e ngjashme me djegien e ngadaltë. Treguar në mënyrë tjetër, njerëzit dhe organizmat e gjalla fitojnë energji nga djegiet e brendshme të materieve organike, të cilat shfrytëzojnë oksigjenin e ajrit me anë të frymëmarrjes. Vetëm ky zbulim, që nga rëndësia mund të krahasohet me zbulimet e Uilliam Harvit për qarkullimin e gjakut në organizëm, do të ishte i mjaftueshëm, që Lavuazje të zinte vend të merituar në këtë libër. Megjithatë, ndihmesa e tij, para së gjithash, është në formulimin e teorisë për kiminë dhe në vendosjen e kësaj shkence në rrugën e vërtetë. Zakonisht, e quajnë “baba të kimisë moderne”, përcaktim të cilin e meriton plotësisht.

Si edhe shumë figura të tjera në libër, Lavuazje në rininë e vet studioi për Drejtësi madje, fitoi edhe gradë shkencore, u pranua edhe në avokaturën franceze, por asnjëherë nuk punoi në atë profesion. U zgjodh anëtar aktiv i Akademisë Mbretërore Franceze të Shkencave dhe i Ferme General, institucion, që merrej me mbledhjen e taksave. Si rezultat i të gjitha këtyre, pas Revolucionit Francez të vitit 1789, pushtetarët u sollën me mosbesim të thellë ndaj tij. E burgosën së bashku me 27 anëtarë të tjerë të Ferme Generale. Gjykata revolucionare mund të mos ishte shumë e saktë në gjykime, por, padyshim, ishte shumë e shpejtë në vendime. Vetëm një ditë, më 8 Maj të vitit 1794, të 28 vetët u gjykuan si fajtorë dhe u dënuan në karamanjollë. Lavuazjenë e përjetësoi e shoqja, grua shumë e zgjuar dhe që i kishte ndihmuar shumë në punët shkencore.
Për shkak të meritave të mëdha për atdheun dhe shkencën, gjykatës iu bënë lutje për faljne e jetës së Lavuazjesë. Por, ajo i hodhi poshtë këto lutje me shënimin e shkurtër:”Republika nuk ka nevojë për gjenitë!”.
Por më afër së vërtetës për të janë fjalët e matematikanit të madh, Lagranzh:”Duhej vetëm një çast kohe, që të pritej ajo kokë, por mund të duhen edhe qindra vjet e të mos lindë tjetër kokë si ajo!”
Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.
Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.
Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.