Pasi Fan Noli formoi qeverinë e tij me triumfin e Revolucionit të Qershorit 1924, dhe ish-kryeministri Ahmet Zogu e lëshoi pa vullnetin e tij karrigen e kryeministrit, për këtë të fundit, mbretin e ardhshëm të shqiptarëve, do të pasonin disa muaj të vështirë për karrierën politike.

Ndërsa ai mundi të rikthehej në pushtet vetëm në janar të 1925, gjatë vjeshtës të vitit 1924, ndërsa ndodhej në arrati, ai bënte përpjekjet e tij politike e ushtarake për të rimarrë pushtetin.

Dokumentet arkivore të kësaj periudhe janë të rralla për të kuptuar gjithë veprimet, takimet e taktikat e ndjekura prej tij për të rimarrë pushtetin. Edhe në fondin e tij personal në Arkivin Qendror të Shetit, ka pak dokumente që datojnë përgjatë këtyre muajve.

Ju pëlqen!

Por një dokument i rrallë me dorëshkrimin e tij, që ka të shënuar në fund datën 24 nëntor 1924, edhe pse me pak rreshta përcjell një mesazh të fortë. Letra i ngjan më tepër një sentence për rëndësinë e fesë në forcimin e moralit të një shoqërie.

Dokumenti nuk ka kokë për të kuptuar kujt i drejtohej e as ndonjë të dhënë për vendin ku është shkruar.

Ja përmbajtja e këtij dokumenti:

“Xhamiat e kishat funksionojnë për përmirësimin e moralit njerëzor. Vetëm priftat e hoxhat atdhedashës mund të hedhin themele të shëndosha për krijimin e një shteti. Se një populli, ma shumë se edukata dhe inteligjenca i duhet morali i shëndoshë.

Ahmet Muftar, bej Zogolli i Mates

24.XI.24”.

Kujtojmë se ky mesazh i Zogut përkon me atë që ndodhte vite më vonë nën pasuesin e tij në drejtimin e vendit, Enver Hoxha. Diktatori komunist i mbylli kishat e xhamiat, ndaloi me ligj besimin fetar, e po me ligj shpalli vendin si ateist.

Sot, për shumëkënd, problemet e mprehta shoqërore në Shqipëri, të cilat lidhen me mungesën e moralit njerëzor, i dedikohen pikërisht goditjes që iu bë besimit nën komunizëm.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.