Me ardhjen e osmanëve dhe vendosjen e tyre në Shqipëri deri kur arritën të “bierrin autonominë”, si shprehet atë Donat Kurti, u sanksionua gjuha turke si gjuhë zyrtare, duke ndaluar rreptësisht hapjen e shkollave në gjuhë të tjera, përfshirë edhe atë shqipe.

Pavarësisht kësaj, elementi i klerit katolik në Shqipëri nuk rreshti së punuari për të mirën e kombit dhe të gjuhës. Kështu, qysh pas pushtimit osman, të dhënat tregojnë se janë hapur tri shkolla ku mësimi nuk bëhej turqisht. E para ishte e Pllanës, e dyta e Blinishtit ndërsa e treta e Shkodrës.

Sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus T, II. C, II. N. 49 Quaracchi MCCCLXXXVI , në vitin 1638, një prifti i urdhrit të fretërve minorë, P. Hiacinti a Sospitello O. F. M., një “italjan me fis, por shqyptar me zemer” siç shprehet atë Donat Kurti, merr guximin dhe çel një shkollë fillore në Pllanë, vend i cili asokohe ishte mjaft i banuar.

Shkolla mori famë deri në katunde të largëta të krahinës së Zadrimës, banorët e të cilëve dërgonin fëmijët për të studiuar në këtë shkollë. Sipas dokumenteve, dihet se numri i nxënësve që vinin nga fshatra të tjerë ishte mbi njëzet e pesë, kështu që, mund të ngremë dyshime se aty duhet të ishte edhe një konvikt. Gjithashtu, përpos uratëve e lutjeve në atë shkollë, mësohej edhe letërsi e sigurisht studiohej edhe gjuha vendëse. Pas nëntë vjetëve, kur shkolla qe bërë shumë e njohur, turqit e rrënuan deri në themel.

Edhe pse u rrënua, ajo u hap sërish në vitin 1697. Deri kur vazhdoi të funksiononte si shkollë, nuk dihet, por dokumenti ku përmendet kjo shkollë, i cili daton më 1702, thotë se “ka gjasë të gjindet edhe sot”.

Një vit pasi u hap shkolla e Pdhanës, në vitin 1639, në Blinisht u hap një tjetër shkollë nga fretërit e Kuvendit të Troshanit. Drejtor i kësaj shkollë u caktua P. Karl Mirandulanus O. F. M.. Informacioni për këtë shkollë jepet në një dokument, botuar në numrin pasardhës të Orbis Seraphicus, sipas të cilit thuhet gjithashtu se shkolla ishte mjaft e plotësuar. Ajo frekuentohej nga më shumë se pesëdhjetë nxënës dhe përveç shkrimit dhe këndimit, mësoheshin edhe lëndë të tjera, ku më e rëndësishmja ishte gjuha latine.

Dokumenti më i paplotë është deklarata e ipeshkvit Spila, botuar nën titullin “Memorie storiche” në Orbis Seraphicus, ku shprehet se në vitin 1698, një prift tjetër i urdhrit të fretërve minorë me emrin Filip e me banim në Shkodër, hap një shkollë private ku mëson fëmijët e tregtarëve e të pasurve.

Fakti se këto shkolla kanë qenë në shqip shpjegohet nga atë Donat Kurti në “Hylli i Dritës”:

“Por kush mundet mandej me dyshue, se në kto shkolla nuk flitej shqyp? Në ç’mndyrë katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s’merrte gja vesht?”

Por nuk janë vetëm këto shkollat që katolikët çelën në Shqipëri. Profesor Sami Repishti bën një listë të të gjitha shkollave katolike, në rend kronologjik:

– Në vjetin 1584 u themelue Shkolla shqiptare nga klerikë katolikë në Stubllë(afër Gjilanit- fshat i Malësisë së Karadakut) i njohun si Kolegji i Shën Lukës në Kosovë.

– Në vitin 1632 – Hapja e shkollës shqipe të Kurbinit nga Imzot Gjon Kolesi.

– Në vitin 1638 – Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe në Pllanë.

– Në vitin 1639 – Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre shkollave në gjysmën e parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin e arsimit. Arqipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruem në vitet 1632-1633) (thekson) rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve.

– 1698 – Padër Filip Shkodra çelë shkollë në familjen Kamsi, në Shkoder.

– Në vitin 1885 në Prizren, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.

– 1858 – Kushë Micja çelë shkollën për vajza shkodrane.

– Në vj. 1861 françeskanët çilin ma të parën shkollë fillestare publike në Shkodër.

– 10.1874 – Çelet shkolla e Parë LAIKE e Kohës së Rilindjes, ku mësohet Gjuha Shqipe E Arithmetike e Shirokës nga Dom Zef Ashta.

Në- vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash; por edhe nana shqiptare.

Këto shkolla mund të thuhët, se poqën mendimin me thëmelue një shkollë publike femnore.

– Në vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash; por edhe nana shqiptare.

Duhët pasë përparasyshë edhe, se, që

– në vj. 1882, françeskanët kanë pasë çilë një kolegjë për me rritë e me mësue ata që dëshronin m’ u ba fretën. Mësimet ishin të rregullueme mbas programit të gjimnazëve t’Austrisë e në vj. 1905, shkolla u ba krejt në gjuhë shqipe.

– Në vj. 1885 ase aty pranë, në Prizrend, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.

– N’ at kohë dihët e thëmelueme edhe ajo e Shkupit.

– Në vj. 1890-1903 Motrat Stigmatine shkojnë në Durrës, e aty mbajnë për 13 vjet një shkollë fillore për vajza e një shkollë për punëdore.

– Në vj. 1893 P. Joakin Serreqi O. F. M. ndreqë në Se1cë një shkollë me lokal për 50 nëxanësa.

– Në vjetin 1893 – Po këte vjetë edhe P. Basil Chiaroni, O. F. M. çilë një shkollë shqipe në Hot Traboinë.

– Në 1896 (?) në Kallmet Motrat e Mëshirës, kishin shkollë fillore për vajza e djelmë.

– Në vj. 1902 zgjidhët Drejtor i kësajë shkolle P. Gjergj Fishta O. F. M., i cilli patjetër vuni porsi gjuhë mësimi ndër të gjitha landët gjuhën shqipe.

– Në vj. 1897 P. Pjeter Gjadri O. F. M. u ep mësim fëmijve në kuvend të Troshanit.

– Në vj. 1898 D. Ndoc Mjedja çilë një shkollë në Pëdhanë,

– Në 1898 hapët një shkollë në kuvend të fretënve të katundit Rrubikut.

– Në vj. 1901 edhe Biza ka shkollën e vet, ku mëson P. Severin Lushaj O. F. M.

– Në 1904 me P. T. Bicaj O.F.M.

– Në vj. 1907, Shiroka ka shkollën e vet për varza.

– Në vj. 1907 P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M. çilë shkollën në Gomsiqe.

– Në vj. 1907 P. Gentil Biella O. F. M. mban n’ Iballe një shkollë në gjuhë shqipe.

– Në 1908, Shkodra merr pjesë në Kongresin e Monastirit ku dërgohen: At Gjergj Fishta, Gurakuqi, Dom Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi.

Krijohet klubi “Gjuha Shqipe” në Shkodër.

– Në vj. 1909 P. Engjëll Vjeshta O. F. M. fëmijët e Bazit i mëson me këndue e me shkrue.

– Prej vj. 1916-1929 katolikët kanë pasë shkolla, të thuesh, ndër shumë katunde të Shqipnisë së Veriut. Mësojshin priftën, fretën e civila katolikë. U ndihmonin pjesërisht prej mbretnisë Austro-Hungare e ma vonë edhe prej Shtetit Shqiptar./ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]