Shqiptar Oseku shkruan me një kthjelltësi të lartë mbi gjendjen tragjike të ndërgjegjes ku jemi zhytur. Një i paaftë, nëse ka pushtetin rastësor që mund të dhurojnë mediat, mundet që të projektojë racizëm pa e ditur as vetë. Halli kryesor j demokracisë është gjithnjë fakti se një i paaftë me pushtet mund të përfytyrojë në kokën e vet masa milionëshe të pafatësh.

Ja dhe teksti i plotë i Shqiptarit.

A mund ta përfytyrosh një gazetar që thotë sot on the record, ta zëmë, se zezakët janë primitivë e analfabetë? Se çifutët janë fëlliqanë që sundojnë me pare, e se duhen skajuar nga shoqëria? E pra, kjo është mënyra si shprehet rregullisht Valon Syla në mediat kryesore në Kosovë. Si nazist në ”Der Stürmer”.

Ju pëlqen!

Veçse Syla s’flet për çifutë, a për njerëz me ngjyrë. Ai është i trentë, por jo budallë: e di që kufiri shkon te thana. Ta bësh neandertalin ashtu në një Kosovë nën tutelë ndërkombëtare, ngelesh keq. Të ikin grantet, të hiqen vizat. Biles dro që të dënon dhe ligji. Ka edhe anë të mira, kjo pavarësia e varur.

Prandaj Syla u mëshon atyre që e di se janë pa agjenci. Mërgimtarëve. Njerëzve si unë, e familja ime. Miqve, fqinjve, familjarëve të larguar. Kundër nesh, mund ta lëshojë pa duar. Mund të thotë pa drojë se jemi primitivë të tanë, se jemi analfabetë, a ”gërrnjaça” (çkado që dmth kjo fjalë, akademik Syla ndoshta e di). Mund të thotë se rrojmë e sundojmë me pare. Mund të propozojë hapur se ne duhemi skajuar nga vendimmarrja, margjinalizuar.

E pse jo? Kur gjen një sylë diku një komunitet të pambrojtur, çdo taktikë i bëhet okej. Syla ynë shëron komplekse si gjithë banditët me penë. Sajon Tjetrin me zellin e maniakut, me përgjithësime, nxirje, damkosje, për ta stisur ashtu një kontrapunkt të vetvetes. Sa më të ligë ta bëjë Tjetrin. Aq më i mirë ndihet vetë Syla. Mërgimtari duhet të jetë primitiv e analfabet, ashtu që Syla ynë të ndihet francez. Se ky vetë s’pi çaj rusi, as ha qebapa. Mërgimtari duhet të jetë banal, që Syla ynë të ndihet i kultivuar. Mërgimari do të jetojë doemos për pare, që Syla ynë… e kuptuat, besoj. Syla ynë, shikon veten në pasqyrë dhe sheh një Voltaire të paepur. Si Sylë Expressi, më!

Këtyre ditëve, Syla ynë më paska lakuar emrin edhe mua në përçartje të vetat. Sipas tij, unë gjoja paskam avokuar dikur dhunë kundër UNMIK-ut. Natyrisht që kjo është një rrenë budallaqe. Dhe natyrisht që Syla thotë këtë rrenë pasi ka mbështetur rregullisht mbidhunën e shtetit kundër qytetarëve. Se Syla rrenat i ka oksigjen. Për të kulluar këtë dhe gjithë pisllëqet tjera që ka derdhur ai në media ndër vite, duhej të isha mjeshtër kanalizimesh. Por ky është zanati i tij, ndaj unë po ndalem këtu.

Që të mos keqkuptohemi. Mua më vjen keq për grushtin që paska ngrënë dje Syla nga një mërgimtar. Syla është edhe gazetar, pos që është psikopat, dhe si gazetar është i lirë të ushtrojë zejen e vet, ashtu qysh di e qysh mundet. Por dora në zemër, dhe këtë e them pa emocion, Sylës do t’i bënte mirë të kërkojë trajtim edhe si psikopat. Ku ta dish? Ndoshta kjo i bën mirë edhe gazetarisë së tij. Se për momentin, s’di njeriu se ku mbaron psikopati e ku nis gazetari, me thënë nga del shpirti.

Në një botë ideale, ku gazetarët kanë edhe etikë profesionale, sylët si ky yni s’do të ekzistonin fare. Mjerisht, meqë jemi ku jemi, ka redaktorë përgjegjës. Kur as këta nuk dinë a nuk duan të ndalojnë përçartjet e sylëve (se helbete, pisllëku shitet) ka gjykata. Dhuna është për pesimistë. Unë jam optimist.

Si optimist, dua t’i bëj një thirrje edhe publikut. Ja ta zëmë, ti që lexon këtë tekst. Çfarë të duhet ty që të reagosh? Këta morra kamerash që kanë banalizuar gjithë ekzistencën tonë, gjithë sferën tonë publike. Këta sylë të panumërt që na ulin këmbëkryq me zor, në shek XXI, në nivele katundarie të cilat turpërojnë edhe çobanët. Gjithë flora e fauna e tyre gjallnon falë një gjëje të vetme: pëlqimeve tua.

Çfarë kërkon ti më shumë, që t’u heqësh pëlqimet? Pret që ata të poshtërojnë edhe ty personalisht, a fëmijët tu, ashtu si na poshtërojnë neve dhe fëmijët tanë?

Atëhere, kam një lajm për ty. Ata janë duke e bërë këtë tashmë. Sa herë që ata thonë në publik se filan komuniteti qenkan primitivë, e analfabetë, a fëlliqana të tanë. Sa herë ata shprehen si nazistë në ”Der Stürmer”. Ta dish që janë duke ta marrë masën ty, si qytetar. Se janë duke të disiplinuar indirekt ty. Dhe ti ke dy zgjidhje: ose u pranon këtë mandat mbi ty. Ose u tregon ti vendin atyre, me një klik të thjeshtë – duke u hequr pëlqimet nga mediat.

Ti vendos.

Jo prit, e kam seriozisht: ti vendos

Shqiptar Oseku

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.