Eli Lake

Ndërsa analistët e inteligjencës amerikane shqytojnë dokumentet elektronike dhe letrat e kapura fundjavën e kaluar në vendin ku strehohej Abu Bakr al-Bagdadi, pyetja më e rëndësishme që ngrihet në mendjet e tyre është: Si ia doli lideri i Shtetit Islamik të gjente strehim në një provincë siriane të siguruar nga ushtria turke dhe forcat e tyre?

Tre zyrtarë amerikanë të sigurisë kombëtare më kanë thënë se duan të dinë më shumë lidhur me atë se sa dinte Turqia për vendndodhjen e Bagdadit. Një detyrë e rëndësishme për ekipin që po analizon materialet e sekuestruara gjatë operacionit dhe një tjetër operacion ku mbeti i vrarë zëdhënësi i organizatës, Abul Hassan al-Muhajir, është të përshkruajë marrëdhëniet midis shërbimit të inteligjencës së Turqisë dhe Shtetit Islamik.

Ju pëlqen!

Të dy personat e mësipërm ishin fshehur afër kufirit turk në territorin sirian. Muhajir u gjet në Jarabulus, një qytet në provincën Alepo, e patrulluar nga forcat turke. Baghdadi u gjet në provincën Idlib, ku ka shumë postblloqe ushtarake turke. Natyrisht, ekziston mundësia që dy nga terroristët më të kërkuar në botë ia dolën të rrëshqisnin nën hundët e një aleati të NATO-s. Por zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë dyshime. Dhe ky dyshim bazohet jo vetëm në vendin ku Muhajir dhe Bagdadi u gjetën.

Në fillim të luftës civile siriane, shërbimi i inteligjencës turke lejoi rekrutët e huaj nga Evropa dhe Afrika të udhëtonin nëpërmjet Turqisë për në Siri. Në atë kohë, Turqia ndoqi politikën e ndryshimit të regjimit në Siri, duke mbështetur shumë luftëtarë xhihadistë kundër qeverisë së Bashar al-Asadit. Kohët e fundit, qeveria amerikane ka identifikuar të paktën një zyrtar të lartë të Shtetit Islamik, që sipas saj, qëndron në Turqi. Thesari amerikan vuri në dukje në gusht 2017 se ministri i Financave të organizatës ishte zhvendosur nga Iraku në Turqi në fillim të këtij viti. Siç më është shprehur një zyrtar amerikan që punon ngushtë me politikën e Sirisë: “Turqia ka bërë gjithçka që ka mundur për të mbështetur palën më të keqe në luftën civile siriane.”

Tom Joscelyn, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, më ka thënë gjithashtu se turqit kanë sulmuar vendstrehime të sigurta dhe fortesa të Al Kaidës dhe Shtetit Islamik. Më shpesh, tha ai, burimet amerikane kanë konstatuar raste të xhihadistëve që lëviznin të lirë, duke ngritur pyetjen se cila është politika reale e Turqisë në raport me Shtetin Islamik.

E gjithë kjo panoramë nuk mund të mos të të tundojë të bësh një krahasim me Pakistanin. Në vitet ‘80, CIA ka punuar me Pakistanin për të mbështetur rebelët xhihadistë që luftonin rusët në Afganistan; ashtu si në vitet e para të luftës civile siriane, CIA mbështeti indirekt elementët xhihadistë që luftonin regjimin e Asadit. Me kalimin e kohës, interesat e ShBA-ve devijuan nga ato të aleatit të saj, me rritjen e Al-Kaedës dhe talebanëve në Pakistan dhe Shtetit Islamik në Turqi. Osama bin Laden u gjet në vitin 2011 në Abbottabad, ku ndodhet akademia më prestigjioze ushtarake e Pakistanit. Baghdadi u gjet në Idlib, një zonë e Sirisë nën përgjegjësinë e ushtrisë turke.

Deri më sot, qeveria amerikane nuk ka akuzuar shërbimet e inteligjencës së Pakistanit për fshehjen e Bin Ladenit, megjithëse ushtria amerikane konsideron se elementët e shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Pakistanit po punojnë me talebanët në Afganistan. Dhe në tetë vitet që kanë pasuar operacionin blic në Abbottabad, marrëdhëniet dikur të tendosura SHBA-Pakistan janë stabilizuar; në fillim të këtij viti, Trump e ftoi kryeministrin pakistanez në Shtëpinë e Bardhë.

Një dinamikë e ngjashme së shpejti mund të ndodhë me Turqinë. Trump e ka ftuar Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj, megjithëse Erdogan tha se ai nuk mund ta pranojë ftesën pasi administrata amerikane miratoi një rezolutë që dënonte Turqinë për rolin e saj në gjenocidin armen. Ndërkohë, ushtria turke ka shkelur një armëpushim të mëparshëm në veri të Sirisë dhe rifilloi fushatën e saj kundër civilëve kurdë, sipas drejtuesve kurdë sirianë.

Duhet të kujtojmë se ishin Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, ato që kultivuan burimin që arriti të gjente Al Bagdadin. Analistët e inteligjencës amerikane së shpejti mund të zbulojnë nëse turqit e dinin se ku ishte ai gjatë gjithë kësaj kohe. 

Bloomberg/TemaTv

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!