Pas 8 vjetësh gjumi të thellë dhe të vazhdueshëm, Partia Demokratike është kthyer në Lajmin e ditës. Arsyeja është e qartë: në PD është hapur një garë apo një proces për largimin e Lulzim Bashës nga Sali Berisha.

Debati që po krijohet është i thjeshtë në themel: çfarë do të ndodhë me PD-në? Kush fiton?

Mirëpo këto pyetje që legjitimohen sa herë ka një garë në të vërtetë kanë lindur nga një realitet politik që është prodhuar artificialisht nga një njeri i vetëm.

Ne sot e dimë se çfarë do Edi Rama: të vazhdojë të mbajë pushtetin, apo të hyjë në histori si reformator. Mund të qeshim me këtë, të jemi kundër dhe pro, por e dimë se çfarë do ai dhe çfarë bën.

Ne e dimë se çfarë do Sali Berisha: në mos pushtetin, të mbrojë veten. Dakord, mund të jesh kundër apo pro, por ne kemi dikë që lufton për diçka.

Ne dimë edhe çfarë do Ilir Meta, pse është tërhequr ai. E kuptojmë. Ai po do të shpëtojë sipas një interpretimi politik, apo po kërkon të fitojë kohë sipas një tjetri. E megjithatë z. Meta është në një luftë, ku heshtja është një mjet.

E vetmja gjë që ne nuk dimë është se çfarë do Lulzim Basha? Çfarë do realisht, për çfarë është aty ku është dhe çfarë mund të bëjë?

Në politikë mund të kesh shumë dobësi, minuse, defekte, mundet edhe madje të fitosh deri diku duke qenë thjesht kritik. Por në politikë nuk të falet mungesa e dëshirës dhe vullnetit për të dëshiruar diçka, e një objektivi, synimi, pavarësisht mjeteve që përdor. Fatkeqësisht ky është rasti i z. Basha, dikush që ka krijuar perceptimin e një zëdhënësi të një politike që as merr mundimin ta kuptojë në pasojat që prodhon. Dhe herët apo vonë, fatura do të vinte.

s.zaimi