Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protestë kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi. Mirëpo, Albin Kurti prej se është shpallur fitues i zgjedhjeve e ka kursyer njeriun më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë

Albin Kurti të paktën me deklarata i ka shpallur paqe Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi. Prej se ka dalë i pari në zgjedhje, Kurti ka folur për vetting në drejtësi por jo edhe largimin e Kryeprokurorit nga pozita.

Në prill të këtij viti, Vetëvendosje pati organizuar një protestë për largimin e Kryeprokurorit për të cilin kishin thënë se është lepër.

Ndërkohë, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti thoshte se duhet të largohet Lumezi që të kthehet në Kosovë, Elezi prokurori që iku në SHBA pasi hetoi veteranët mashtrues.

Ndaj kësaj kishte reaguar Kryeprokurori Lumezi, duke thënë se secili që garon në zgjedhje duhet t’i dijë kompetencat edhe sa i përket sistemit të drejtësisë.

“Institucioni i Prokurorit të Shtetit nuk është organizatë politike dhe nuk merrem me prononcimet politike të cilat bëhen gjatë kampanjës zgjedhore”, kishte thënë për KALLXO.com Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Lidhur me po këtë deklaratë të Kurtit, Lumezi ka thënë se sipas tij nuk është fare korrekte të flitet për institucionet të cilat janë të pavarura dhe se duhet të dihen përgjegjësitë dhe kompetencat e gjithësecilit.

“Së pari nuk është korrekte të flitet për institucionet që janë të pavarura me Kushtetutë dhe duhet të dihen përgjegjësitë dhe kompetencat e funksionit të cilin pretendojnë ta fitojnë”, shtoi më tej Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.