Me rritjen e moshës, ka një rritje të riskut për shumë sëmundje, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, kancerin dhe artritin. Vizitat më të shpeshta te doktori mund t’ju ndihmojnë të parandaloni, parashikoni dhe trajtoni sëmundjet para se ato të kthehen në probleme të mëdha.

Ja cilat janë disa ekzaminime mjekësore që duhet ti bëni pasi të mbushni 40 vjeç:

  • Kontrolli i tensionit të gjakut

Në fakt është e rekomandueshme që pas moshës 20 vjeç të bëni kontrolle të tensionit të gjakut çdo 1 apo 2 vjet. Por ky ekzaminim është edhe më i rëndësishëm për t’u bërë pas moshës 40 vjeç. Tensioni i lartë i gjakut është një faktor madh risku për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, që rrallë kanë shumë simptoma.

  • Profili i lipideve (kolesteroli i plotë, HDL, LDL, trigliceride)

Ashtu si me tensionin e gjakut, edhe për kolesterolin e plotë, HDL, LDL dhe trigliceridet, duhet të filloni me testet çdo 1 – 2 vjet, që pasi të mbushni 20 vjeç. Sëmundjet e zemrës janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve te gratë, në rreth 22% prej tyre.

  • Diabeti

Nëse keni faktorë risk si obeziteti apo një histori familjare me diabet, duhet të kryeni të gjitha ekzaminimet për depistimin e diabetit.

  • Mamografi

Për gratë e moshës 45 – 50 vjeç rekomandohet që të bëjnë mamografi çdo vit, ndërsa ato mbi moshën 55 vjeç mund ta bëjnë dhe çdo dy vjet.

  • Ekzaminim të syve

Edhe në qoftë se shikimi juaj ka qenë gjithmonë i mirë, mund të ndodhë që të përkeqësohet në mënyrë drastike pas moshës 40 vjeç. Mund të ndodhë që të filloni të keni probleme me shikimin nga afër e sidomos leximin.

Pas moshës 40 vjeç duhet të ekzaminoheni çdo 1 – 3 vjet për glaukomë dhe për sëmundje të retinës, sidomos nëse jeni dhe me diabet.

  • Depistim për kancerin e qafës së mitrës

Është e rekomandueshme që gratë e moshës 30 – 65 vjeç duhet të bëjnë një Pap test dhe nje test për HPV, të paktën çdo 5 vjet.

  • Ekzaminim i lëkurës

Dermatologët rekomandojnë vizitën njëhërë në vit tek një dermatolog për një ekazaminim lëkure. Edhe nëse nuk e bëni këtë, të paktën kontrollojeni vetë lëkurën tuaj rregullisht dhe paraqituni menjëherë te mjëku nëse vini re një ndryshim.

  • Funksioni i tiroides

Rreth 13% e grave të moshës 35 – 65 vjeç vuajnë nga hipotiroidizmi (një tiroide pak aktive), kështu duke filluar nga mosha 35 vjeç është mirë që ta kontrolloni tiroiden tuaj të paktën çdo 5 vjet.