Një raport i fundit mbi ndotjen e mjedisit tregon se 13% e vdekjeve në Europë vijnë për shkak të saj. Agjencia Evropiane e Mjedisit, e cila ka kryer studimin, thotë se evropianët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve mjedisore të tilla si ajri, zhurma dhe ndotja kimike.

Në 27 vendet anëtarë të BE-së dhe Britaninë e Madhe, në vitin 2012 (të dhënat e fundit në dispozicion) kishte 630 000 vdekje që mund t’i atribuohen drejtpërdrejt ose indirekt mjedisit të ndotur.

Raporti thekson se është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi për lidhjen midis mjedisit dhe shëndetit.

“Shfaqja e patogjenëve zoonotikë lidhet me përkeqësimin e mjedisit dhe ndërveprimet midis njerëzve e kafshëve në sistemin ushqimor”.

“Të ardhura kryesisht për shkak të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, “këto vdekje mund të parandalohen duke eliminuar rreziqet e dëmshme mjedisore për shëndetin”, thuhet në raport.

Ndotja mjedisore rëndon më shumë mbi shtresën e varfër.

“Njerëzit më të varfër janë të ekspozuar në mënyrë disproporcionale ndaj ndotjes dhe kushteve ekstreme të motit. Kjo ka të bëjë me vendin ku ata jetojnë, punojnë dhe edukohen, shpesh në zona të privuara nga shoqëria dhe në lagje periferike”.

Megjithatë, ka një të dhënë pozitive. Cilësia e ujit është “e shkëlqyer” në mbi 85% të ujërave që përdoren për larje dhe 74% e ujit të pijshëm në zonat nëntokësore ka “status të mirë kimik”. Sipas agjencisë, për të përmirësuar shëndetin dhe mjedisin në Evropë është e nevojshme të shfrytëzohen hapësirat e gjelbra, vendet e aktivitetit fizik dhe gjithashtu integrimi shoqëror, të cilat zvogëlojnë ndotjen akustike dhe mbështesin biodiversitetin urban (ndër të tjera, parqet dhe kopshtet luajtën një rol të rëndësishëm për shëndetin mendor dhe mirëqenien gjatë pandemisë Covid-19).

Sipas agjencisë, për të gjetur një zgjidhje për problemin është e nevojshme të zvogëlohet qarkullimi i makinave, të zvogëlohet konsumi i mishit dhe të anulohen subvencionet për lëndët djegëse fosile.