1. GRATË PËR MUA

Kam dashur çdo grua pa masë,
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,
Madje dhe lart në tarracë,
Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,
S’kam shkruar keq në asnjë fletë.
Do vdes.
Do flasin gratë për mua:
“Ky ishte poet i vërtetë”.

  1. MJELMA

Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,
Kur dihet se mjelma nuk vritet.
E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,
Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!

Po mbase e vrau i krekosur, që ti
Si mjelma të dridhesh nga frika.
E dashur, largohu me vrap nga ai
Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…

  1. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,
Po çudi, as qelia s’më mbyt
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashëmbullt ta dish,
Që xhelatin ta puth e ta dua!

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:
I përjetshëm do kisha dëshirë,
Veç ti eja më shpesh në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

  1. NGAHERË NË PRITJE

Sërish të pres të vish:
Na qënka jeta pritje
Në shpirt, në gjak, në mish,
Në gaz e në mërzitje.

Dhe unë e them ta dish:
Sa dukesh ti në derë
Pranvera hyn në shpirt
Dhe shpirti në pranverë.

  1. DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe share
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.
Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mire
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë…

Dritëro Agolli/MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]