Dhuna verbale është një lloj dhune emocionale që ndodh kur dikush përdor fjalë për të sulmuar, dominuar, tallur, manipuluar, degraduar ose/dhe shpotitur (bullizuar) dikë tjetër. Ajo apo Ai ndikon negativisht në shëndetin emocional të personit të abuzuar pasi është një mjet me anë të së cilit abuzuesit kontrollojnë dhe kanë pushtet të plotë. Duke qenë se ai/ajo nuk ka pasoja lehtësisht të dukshme si abuzimi fizik, ndonjëherë është i vështirë për t’u kuptuar dhe pranuar. Devon MacDermott, një psikolog i specializuar në traumat psikologjike dhe marrëdhëniet, e përkufizon këtë lloj dhune si një ndërveprim verbal kronik të padëshiruar që e bën viktimën të ndihet psikologjikisht keq dhe zakonisht vjen nga një person i afërt si partneri, prindi, miku i ngushtë ose kolegët. Sipas tij, pasojat mund të jenë po aq të rënda sa llojet e tjera të abuzimit.

Në vijim, duam t’ju tregojmë çfarë duhet të dini në rast se ndiheni viktimë e abuzimit verbal:

Nuk lidhet vetëm me të bërtiturat

Sipas psikologut Brian Coughlin, shumë njerëz mendojnë se dhuna verbale lidhet vetëm me ngritjen e zërit, por kjo nuk është e vërtetë. Ajo karakterizohet nga një sërë sjelljesh të ndryshme si kërcënimet me qëllim kontrollimin dhe manipulimet kundrejt jush ose njerëzve tuaj të dashur. Zakonisht abusuesit nuk pranojnë mirë kritikat dhe mund të kenë edhe shpërthime zemërimi që në pamje të parë të gjithë njerëzit mund t’i kalojnë. Pas këtyre shpërthimeve zakonisht, personat abuzues mund tju “bombardojnë” me dashuri në mënyrë që të harroni çfarë ka ndodhur. Kjo tipologji sjelljeje është një tregues se ka diçka që nuk shkon.

Mund të vijë nga persona që s’e prisni

Në marrëdhëniet romantike njerëzit shpesh nuk e kuptojnë se mund të jenë duke u abuzuar verbalisht, pasi arrijnë ta përfytyrojnë se dikush që i do mund t’u bëjë keq. Kështu, shumë individë nisin të minimizojnë dhe arsyetojnë sjelljen e partnerit duke i thënë vetes “Është vetëm një fazë e keqe”. Coughlin shpjegon: “Ne mund të përfundojmë duke injoruar faktin se të gjitha këto sjellje tregojnë që marrëdhënia nuk është e shëndetshme. Nëse keni qenë viktimë e abuzimit verbal si fëmijë ose në një marrëdhënie të mëparshme romantike, kjo lloj sjellje mund t’ju duket e njohur dhe mund të mendoni se kështu sillen njerëzit kur janë të zemëruar.”

Mund të mos e kuptoni se jeni abuzuar verbalisht

Është e lehtë të supozohet se nëse nëse jeni abuzuar verbalisht, tashmë do ta kishit kuptuar. Psikologët tregojnë se abuzimi mund të ketë ndodhur që në fëmijëri, kështu që shpeshherë është i vështirë për t’u perceptuar. Edhe kur njerëzit nuk mbajnë mend shumë nga fëmijëria ose në mënyrë të pavetëdijshme kanë bllokuar emocionet e tyre, pasojat janë të paevitueshme. Coughlin thotë se një mënyrë sesi abuzimi verbal në fëmijëri mund të jetë duke influencuar jetën tuaj si të rritur është mungesa e dashurisë për veten. Shumë persona të abuzuar mendojnë se nuk meritojnë të duhen dhe ndihen të pavlerë, të paaftë dhe jo fizikisht tërheqës. Nëse kjo marrëdhënie e pashëndetshme mes prindit dhe fëmijës vazhdon edhe kur ai është i rritur, duhet që të vendosen kufij, pasi kjo është zgjidhja më e mirë për shëndetin.

Abuzuesi nuk është detyrimisht një njeri i keq

Një pjesë e mirë e abuzuesve verbalë nuk janë njerëz të këqij, por mbartin prej vitesh probleme emocionale. Ndonëse mund të jetë më e lehtë për t’u perceptuar se ata janë persona të tmerrshëm, zakonisht mund të jenë përdorues të substancave dhe kanë vujatur nga depresioni dhe bullizimi. Sipas MacDermott, në shumicën e rasteve të trajtuara, këta individë ndihen vërtet të penduar për atë që kanë bërë, por dinë sesi të kërkojnë falje.