Në fillim, Nietzsche kishte menduar ta botonte librin “Njerëzor, tepër njerëzor” si anonim, pa vendosur emrin e tij në kopertinë. Arsyet ai ia tregon Richard Wagnerit përmes letrës së mëposhtme:

“Duke iu dërguar librin “Njerëzor, tepër njerëzor”, po vë me besim të plotë të fshehtën time në duart tuaja dhe në ato të bashkëshortes suaj fisnike, në mënyrë që kjo të jetë tani edhe e fshehta juaj. Ky libër është imi: tek ai kam nxjerrë në dritë ndjenjat e mia më të thella mbi njerëzit dhe gjërat dhe, për herë të parë, kam ardhur aty vërdallë në periferinë e vetë mendimit tim. Në kohëra plot me mjerim dhe vuajtje, ky libër ishte një mjet ngushëllimi mjaft frytdhënës aty ku nuk kishin dobi të gjitha mjetet tjera të ngushëllimit. Ndoshta unë ende jam gjallë ngaqë isha i zoti ta hartoja atë.

Doja të zgjidhja një pseudonim, para së gjithash sepse nuk dëshiroja të trazoja efektin e shkrimeve të mia të mëparshme, pastaj, sepse kjo do të kishte penguar që të njollosej në publik dhe në privat dinjiteti i personit tim (shëndeti im nuk i përballon dot më gjëra të tilla), dhe, së fundi e veçanërisht, sepse dëshiroja të bëja të mundur një diskutim mbi gjërat, në të cilin të mund të merrnin pjesë të gjithë miqt e mi inteligjent të çdo lloji, pa u penguar, siç ka ndodhur deri tani, nga një ndjenjë butësie.

Askush nuk dëshiron të shkruajë ose të flas kundër emrit tim. Por unë nuk njoh askënd mes tyre që të ketë të njejtat opinione si në këtë libër, dhe jam tepër kurreshtar të mësoj arsyet e kundërta që mund të parashtrohen në këtë rast.

Provoj ndjenjat e një oficeri që ka pushtuar një llogore. Është plagosur, por është fitimtar dhe tani valëvit flamurin e tij. Shumë lumturi, më tepër nga sa ka dhimbje, edhe pse pamja përreth është e frikshme.

Meqë, ashtu siç thashë, nuk njoh asnjeri që sot ta mendojë këtë gjë si unë, prandaj dhe kam idenë se po mendoj jo si një individ, por si në kolektivitet-një ndjenjë e çuditshme vetmie dhe shumësie.

Jam një Harold që vrapon përpara, pa e ditur me saktësi nëse kalorësia po e ndjek apo nëse ajo ende ekziston.”

Letra nuk u dërgua sepse botuesi nuk donte kurrsesi ta botonte librin pa këtë emër shumë të njohur, kështu që Nietzsche hoqi dorë nga anonimati.

Libri doli në pranverë 1878 dhe në kopertinë autori kishte shkruar këtë dedikim:

Në përkujtim të Volterit.Kushtuar në celebrimin solemn të përvjetorit të vdekjes së tij, më 30 Maj 1778.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.