E hëna shënoi përvjetorin e 27-të vdekjes tragjike të “Romeos dhe Xhulietës” nga Sarajeva, serbit nga Bosnja Boshko Brkiq dhe të dashurës së tij myslimane Admira Ismiq, të cilët vdiqën së bashku gjersa po përpiqeshin të iknin nga qyteti i rrethuar për të nisur një jetë të re, diku ne paqe dhe pa ndarje etnike.

Ata u vranë nga një snajper më 18 maj të vitit 1993, duke vrapuar nëpër ‘tokën e askujt’ në vijën e parë të betejës, ku qyteti ndahej në dy pjesë, njëra anë ishte qendra e Sarajevës e mbajtur nga Qeveria, ndërsa pjesa tjetër ishte lagjja Grbavica që po mbahej nga serbët.

Boshko u vra i pari, por Admira nuk e la dhe i ndenji pranë. U shtri afër trupit të vdekur të të dashurit dhe e përqafoi. Pastaj snajperisti e vrau edhe atë.

Me ditë trupat e tyre të pajetë e të përqafuar mbetën në atë “tokën e askujt”, afër urës Vrbanja, gjersa paqeruajtësit e OKB-së po negocionin me të dy palët për armëpushim të shkurtër për t’i marrë trupat.

Ju pëlqen!

Paqeruajtësit i morën dhe i dërguan në paralagjen e Lukavicas që po mbahej nga serbët, ku edhe u varrosën.

Pasi mbaroi lufta, të dy familjet u pajtuan që t’i zhvendosin eshtrat dhe t’i rivarrosin në varrezat “Lion” në Sarajevë, ku më në fund u lanë të prehen në paqe afër njëri-tjetrit.

Kush i vrau ende mbetet mister, por tregimi i tyre u raportua së pari nga korrespondenti i atëhershëm i Reutersit, Kurt Schork, i cili edhe i quajti Romeo dhe Xhulieta. Schork pas shtatë viteve u vra duke raportuar nga Sierra Leone.

Para se të vdiste, ai kërkoi që nëse i ndodh diçka, dëshiron të varroset afër heronjve të tij në Sarajevë. Pasi që u kremua, gjysma e hirit të tij u vendos te varrezat e familjes në Washington ku kishte jetuar, ndërsa gjysma tjetër afër varrit të Boshkos dhe Admiras.

Boshko dhe Admira u takuan në Sarajevë në vitin 1984.

Prindërit e Boskos e paralajmëruan të birin që te ikte nga qyteti në vitin 1992. Ai refuzoi sepse dëshironte të rrinte me Admiran.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!