Nga Shkodra, kryeministri Edi Rama ka folur për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në kuadër të diskutimeve të mbajtura për kandidatët e rinj të PS-së, z. Rama i ka cilësuar zgjedhjet e ardhshme si vendimtare për Shqipërinë.

Edhe pak ditë na ndajnë nga zbritja në fushën e skuadrës tonë për ndeshjen e 25 prillit. Është një ndeshje vendimtare për Shqipërinë në mes të një lufte botërore. Kjo ndeshje nëse do të vazhdojmë te ecim përpara apo të zhytemi përsëri. Ne kemi bërë shumë. Më shumë se të gjithë ata që e kishin këtë detyrë para nesh. Nuk i kemi bërë mirë të gjitha. Ama besoj se kush arsyeton me mendje të kthjellët, nuk e diskuton se nuk jemi kursyer asnjë ditë. Unë si i pari i familjes së madhe kam bërë çmos për ta merituar çdo ditë nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë. Skuadra jonë kombëtarë po bëhet gati. Ne nuk kemi mungesë. Kemi më shumë lojtarë. Grupi parlamentar ka qenë solid dhe mbështetës për reformat vendimmarrjet e vështira dhe çuarjet përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës kombëtare të 25 Prillit

u shpreh Kryeministri.

Ju pëlqen!

Ky përkufizim ka qenë thuajse për çdo ruand elektoral në Shqipëri. Të gjitha zgjedhjet kanë qenë vendimtare në këtë vend, edhe pse oferta ka qenë përherë mjerane. Ose së paku e kufizuar dhe kryesisht hileqare.

Pse janë vendimtare zgjedhjet e tanishme? Për një aspekt ndoshta që është fakti se rikonfirmimi i kësaj shumice do ta çonte drejt shkërmoqjes opozitën e Lulzim Bashës, që në fakt është një grumbull rreth interesave sesa ndonjë ideje. Mundet që siç pamë në vitin 2017, shumica e majtë të hedhë hapin e bashkëqeverisjes, duke na dëshmuar më vonë se e bën këtë edhe si shenjë altruizmi për t’i ruajtur vendit opozitën. Vetëm kaq.

Sa për të tjerat, zgjedhjet nuk kanë asgjë vendimtare. Sepse askush, as vetë opozita, as shumica nuk kanë se çfarë të ofrojnë realisht. Sepse oferta e vetme që mund të bënte ndryshimin është që burgu të hapej për ata që janë lart. Gjë që nuk ndodh.

Këto zgjedhje janë konfirmimi i vullnetit të një klase për të vazhduar me lojën e vjedhjes, të vetmen që di të bëjë. Zoti Rama duket se ka bindur veten me imagjinatë se ka bërë reforma të pashoqe, ndërkohë që ai drejton një vend shoqëria e të cilit është në dëshpërim dhe shpërbërje. Në shpërbërje sepse një pjesë e madhe e kësaj shoqërie, nuk besojnë më te Shqipëria, te vendi i tyre; ata nuk e lidhin më të ardhmen si zgjedhje me këtë vend, por ikjen. Atë ikje që z. Rama e cilëson me cinizëm si liri zgjedhjeje.

Kjo është një Shqipëri që nuk i beson më as fabulat me shqiponjë e flamur, që kaq vrazhdësisht ia përplasin në fytyrë sa herë kanë nevojë ata që qeverisin…në emër të votës.

Ndaj kryeministri është i lirë të besojë në narrativën e vet, të cilësojë se po bën historinë dhe se po përcakton të ardhmen tonë, kur në të vërtetë nga të gjitha ato që ai ka thënë publikisht në cilësinë e drejtuesit të qeverisë, më me vlerë dhe më e vërtetë është ajo që tha na Kongresin e fundit të PS-së: Me mua Juve nuk Ju doli keq! Në fakt Atyre nuk u doli keq pikërisht sepse suksesi i z. Rama është se e ndau shoqërinë në Ata dhe Ne!

s.zaimi

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.