Nga Darius Foroux

Sokrati, i cilësuar si një nga themeluesit e filozofisë perëndimore, u quajt dikur njeriu më i zgjuar në botë nga Orakulli i Delfit. Kur Sokrati dëgjoi që orakulli kishte bërë një vlerësim të tillë, ai besonte se kjo deklaratë qe e gabuar. Sokrati tha:”Unë di një gjë: që nuk di asgjë”. Si mundet që njeriu më i zgjuar i botës të mos dijë asgjë?

E dëgjova këtë urtësi paradoksale për herë të parë nga mësuesi im në shkollë, kur isha 14 apo 15-vjeç. Ajo pati një ndikim kaq të fortë mbi mua, saqë e përdora thënien e Sokratit si strategjinë time të të mësuarit. Ne mund të mësojmë shpejt gjëra, por shpesh harrojmë gjëra të ngjashme, dhe nganjëherë duhet t’i kujtojmë vetes gjërat që kemi mësuar.

Më poshtë po rendis 25 nga gjërat që më kanë mësuar tjerët.

1. Përpjekja është diçka e mirë
Mos thuaj kurrë “S’mundem më!”. Në vend të saj thuaj “Po e provoj njëherë!”

2. Mos u ankoni
Ankesa është një nga shpërdorimet më të mëdha të kohës. Ose bëni diçka në lidhje me të, dhe në qoftë se nuk mundni, thjesht heshtni.

3. Kaloni kohë me njerëzit që doni
Këta janë familja dhe miqtë juaj më të mirë. Nëse s’ keni familje, krijojeni një të tillë. Shumica e njerëzve në jetën tuaj janë vetëm vizitorë. Familja është përjetë.
4 .Mos e filloni një marrëdhënie nëse nuk keni rënë në dashuri
Unë e kam bërë këtë më shumë se sa një herë. Ju mund të pëlqeni dikë dhe mendoni:”Edhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë”. Nuk është një ide e mirë. Ju ose keni rënë ose jo në dashuri. Mos gënjeni veten. Nuk është e drejtë as për ju, dhe as për personin tjetër.

5. Stërvituni çdo ditë
Unë nuk e kam bërë këtë deri kohët e fundit. Një trup i shëndetshëm, është pikënisja e gjithçkaje në jetë. Nëse s’mundeni të ndërtoni një trup të shëndetshëm dhe të fortë, çfarë mund të ndërtoni në jetë?

6. Mbani një ditar
Jo, mbajtja e një ditari nuk është punë fëmijësh. Ai iu ndihmon të bëheni një mendimtar dhe shkrimtar më i mirë. “Unë s’dua të jem shkrimtar”- mund të mendoni ju. Ok, po sa e-maile dhe mesazhe dërgoni çdo ditë? Gjithëkush është një shkrimtar.

7. Jini mirënjohës
Thuaji ‘faleminderit’ çdokujt dhe për çdo gjë. “Faleminderit për këtë ditë të bukur”. “Faleminderit për email-in tuaj”. “Faleminderit që ishit atje për mua”.

8. Mos e vrisni mendjen se çfarë mendojnë njerëzit
Në fund të gjithë ne vdesim, a mendoni realisht se ka rëndësi se çfarë mendojnë njerëzit për ju?

9. Merrni përsipër më shumë rreziqe
Mos jini kaq frikacakë.

10. Zini një industri, jo një punë
Nëse dëshironi të bëheni i aftë në diçka, ju duhet kaloni vite më rradhë në atë lloj pune. Por s’mund ta bëni këtë nëse lëvizni nga njëra industri tek tjetra. Zgjidhni një industri që e doni dhe fillojeni nga fundi. Do të gjeni rolin e përsosur për veten tuaj.

11. Udhëhiqni
Kur e gjeni veten në një situatë kur të gjithë shohin njëri-tjetrin, është koha të udhëhiqni. Ju jeni një udhëheqës, kur vendosni të bëheni i tillë. Nuk ka asnjë pikë nistore apo ndonjë emërim. Është thjesht një vendim.

12. Paratë nuk janë të rëndësishme
Në fakt nuk është kështu. Por ju duhet ta mësoni veten të mos e vrisni mendjen për paratë. Mos u bëni shumë të ndërvarur nga gjërat që zotëroni – përndryshe, do të jenë sendet ato që do t’iu zotërojnë ju.

13. Jini të sjellshëm
Unë nuk po them që duhet të jeni një peshë e lehtë. Ju mund të jeni dikush që nuk ia ndjen për një situate të caktuar, dhe sillet me butësi ndaj saj. Thjesht mos i fyeni njerëzit, duke menduar se jeni më të mirë se ata, apo të veproni si një idiot.

14. Mësoni çdo ditë
Duhet të stërvisni trurin të qëndrojë vigjilent. Nuk jeni të detyruar të lexoni një libër në ditë, për të mësuar çdo ditë. Mësoni nga gabimet tuaja. Mësoni nga njerëzit përrreth jush – jini të hapur ndaj asaj që ata mund t’iu mësojnë.

15. Pushoni para se të lodheni
Edhe nëse e doni lëvizshmërinë tuaj, dhe çdo ditë iu duket si një pushim, duhet të merrni kohë për të pushuar. Mos harroni kurrë:jeni njeri dhe jo një android.

16. Mos gjykoni
Vetëm pse njerëzit bëjnë zgjedhje të ndryshme nga e juaja, ata nuk janë budallenj. Gjithashtu, ju nuk dini çdo gjë në lidhje me ta, kështu që mos i gjykoni, por ndihmojini ata.

17. Mendoni për të tjerët
Mjafton të jeni të përgjegjshëm, kjo është e gjitha. Ne të gjithë kemi familje, fatura për të paguar, dhe vetë problemet tona. Mos bëni gjithmonë gjithçka vetëm për veten.

18. Jepni, pa pritur diçka në këmbim
Mos mbani shënime. Do të bëheni një person i hidhur nëse e bëni këtë. Falini vetes kënaqësinë e të dhuruarit. Nëse merrni diçka në kthim, shumë mirë, por nëse jo nuk ka asnjë problem.

19. Nuk ka një fundlojë
Ne, si një specie, thjesh ekzistojmë. Mos u mundoni të kuptoni gjithçka. Gëzojeni udhëtimin tuaj.

20. Gëzojini gjëra të vogla
Më pëlqejnë klishetë, pasi janë të vërteta. Sidomos kjo. E dini pse? Gjithkush thotë se e di këtë, por askush nuk jeton sipas kësaj motoje. Ndjekim vetëm gjërat e mëdha.

21. Mos e merrni veten shumë seriozisht
Po, po, ju jeni një individ, dhe njerëzit duhet t’iu marrin seriozisht, e kuptoj. Por në fund të ditës, ne të gjithë jemi një tufë milingonash që përpiqemi të ndjekim të njëjtat gjëra. Kthjellohuni.

22. Mos fajësoni njerëzit
Çfarë problemi ka? Doni t’i ndëshkoni ata? Mos ua bëni këtë njerëzve. Gjithashtu mos fajësoni as veten – jeni thjesht qënie njerëzore.

23. Krijoni diçka
Jo për të lënë një trashëgimi, pasi gjithësesi nuk do të jeni këtu përgjithmonë për ta parë atë, por për të qenë i dobishëm. Kompozoni muzikë, shkruani një libër, ndërtoni një tryezë, çdo gjë. Do të ndjeheni mirë me veten, plus që jepni diçka që njerëzit ta përdorin apo kënaqen më të.

24. Mos ktheni kokën pas për shumë kohë
Reflektimi mbi të shkuarën, është i mirë vetëm për një gjë: të mësuarit.

25. Veproni
Mos qëndroni ulur, bëni diçka. Pa veprim, nuk ka asnjë rezultat. Ju mund të dini shumë. Por, ashtu si Sokrati, ju dhe unë nuk dimë asgjë. Prandaj duhet të vazhdojmë të mësojmë.