Të hënën e 22 marsit është caktuar seanca e parë konstituive e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës.

Këtë seancë e ftoi ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Por, para seancës së parë konstituive, duhet të behën përgatitjet teknike e procedurale, që sipas Rregullorës së Punës së Kuvendit, bëhet nga kryesia e Kuvendit e legjislaturës paraprake.

“E kjo mbledhje shërben vetëm në aspektin teknik, për të caktuar rendin e ditës dhe vendet ku do të ulen deputetët, sipas grupeve përkatëse parlamentare”, thotë Eugen Cakolli, një monitorues i Kuvendit nga organizata jo-qeveritare “KDI”.

“Rendi i ditës gjatë seancës konstituive përfshin formimin e komisioneve të përkohshme për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit – që vijnë nga radhët e tri grupeve më të mëdha parlamentare LVV, PDK dhe LDK – si dhe dy nga radhët e komuniteteve – 1 serb dhe një nga komunitetet tjera jo-shumicë”, sqaron ai.

Ndërsa, sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës përgatitja e seancës së parë konstituive është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit nga legjislatura paraprake.

“Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thuhet në nenin 8.2 të Rregullores.

Sipas të njëjës, punimet e seancës së parë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, i udhëheq deputeti më i vjetër i zgjedhur dhe ndihmohet nga deputeti më i ri, sipas moshës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit të shtunën. Sipas këtyre rezultateve, partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje me 58 deputetë e pasuar nga PDK 19, LDK 15, AAK 8 deputetë dhe përfaqësuesit e pakicave me gjithsej 20 ulëse të rezervuara.