Legjenda e Italisw, Paolo Rossi ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një sëmundje të pashërueshme.

Lajmin e kobshëm e dha gruaja e ish-futbollistit të kombëtares azurre, Federica Cappelletti, e cila postoi në Instagram një fotografi të tyre shoqëruar me fjalët “Përgjithmonë”.

Rossi kujtohet nga sportdashësit për Botërorin e Spanjës në vitin 1982, teksa ia doli të udhëhiqte Italinë drejt suksesit duke i shënuar një tregolësh Brazilit dhe më pas Gjermanisë në finale. Ai ishte protagonist dhe arkitekt i atij udhëtimi të shkëlqyeshëm, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i turneut dhe në të njëjtin vit ai fitoi Topin e Artë.

Ju pëlqen!

Pikërisht gjatë këtij Boterori, Rossi fitoi zemrën e shumë tifozëve shqiptarë, duke u shndërruar në një idhull për këdo që ndiqte Botërorin, ku shtëpia e ‘’fatlumit’’ që kishte televizor shndërrohej në një stadium të vërtetë. Përpos tifozëve, Paolo Rossi ishte një idhull edhe ndërmjet lojtareve shqiptare. Shorti i atyre viteve, si për eliminatoret e Botërorit apo edhe të Europianit, asnjëherë nuk e vendosi kombëtaren kuqezi përballë të kaltërve të Paolo Rossit.

Në vitin 2000, nën organizimin e gazetës “Sport Ekspres” dhe nën drejtimin e trajnerit Shyqyri Rreli, 25 ish-futbollistë kuqezi matën forcën e tyre me ish-kampionë të botës në vitin ’82, ku midis tyre spikasnin emrat e Paolo Rossit dhe Bruno Giordanos. Në skuadrën shqiptare kishte dhe nga ata që erdhën enkas për të qenë prezent në këtë ndeshje që dikur konsiderohej ëndërr për ta, si Përnaska, Ruci dhe Demollari, që në atë periudhe jetonin jashtë.

Ndeshja e Yjeve të Shqipërisë me Italinë e viteve ’80 që ishte konceptuar në dy pjesë nga 25 minuta nuk dhuroi asnjë gol dhe u deshën penalltitë që të vendosej fituesi. Në fund triumfuan kuqezinjtë me rezultatin 5-3.

Në mënyrë të veçantë interesimi më i madh ka qenë për Paolo Rossin të cilin e rrethuan shumë dashamirës, duke i kërkuar fotografi dhe autografe. Përpos faktit se ishte një ndeshje miqësore, të mundje ish kampionët e botës ishte një kënaqësi morale për atë brez, duke marrë në konsideratë kufizimet që kishte koha ku ata derdhën djersë në fushat dhe stadiumet e Shqipërisë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.