Duket e habitshme por në parlamentin shqiptar të vitit 1934 është propozuar që ata shqiptarë që martohen me gra të huaja të mos lejohet të punojnë në shtet. Projektligji u paraqit në seancën plenare të 22 shkurtit të vitit 1934 nga deputeti Hiqmet Delvina.

Delvina kishte mbajtur më parë detyrën e Ministrisë të Drejtësisë e njihej për aftësitë e tij oratorike. Në fakt ai propozoi dy projektligje, të dyja vërtet të veçanta. Propozimi i parë i tij ishte ai për ndalimin e të rinjve që të bëjnë muajin e mjaltit jashtë Shqipërisë, sepse siç ai argumentonte në atë seancë “qeveria duhet të marri masa skrupuloze për mos me dalë edhe nji santim (centim shën.red.) nga pasunia kombtare jashtë shtetit”. Propozimi i dytë ishte edhe më mbresëlënës: Ata që martohen më të huaja të mos punojnë në shtet. Ai parashikonte “penalizimin” e atyre shqiptarëve që shkolloheshin jashtë vendit dhe që martoheshin me gra të huaja. 

Zakonisht ata që shkolloheshin jashtë, në ato vite angazhoheshin në punë në sektorin publik duke u bërë pjesë e administratës shtetërore. Propozimi i deputetit është që të sanksionohet me ligj që ata që martohen me gra të huaja të mos punësohen në administratën shtetërore ashtu sikurse edhe ata punonjës ekzistues të administratës që e bëjnë këtë veprim, të përjashtohen nga shërbimi publik.
 “Tue parë se në kohërat e fundit, pothuajse asht përhapë në nji pjesë të djalërisë si nji epidemi martesa e këtyre me gra të hueja, detyrohemi të propozoj nji projektligjë i cili me kësisoj martesash në mos qoftë e mundur të ndalohen kryekput për të gjithë shqiptarët, së paku t’a kufizojmë. Sot ma shumë se kurdoherë duhet lartësuar gruaja shqiptare, lartësim i cili duhet të vijë nga prindërit ase bashkëshorti patriot dhe i kulturuem. Kurse djelmënia e jonë, e cila dërgohet për t’akumuluar kulturën e civilizacjonit oksidental dhe këthehet në Shqipni në vend qi të ketë kulturë t’a përhapi në gjirin e familjes së tij që kështu t’evolucionohet edhe vajza shqiptare në përparimin e civilizjacjonit, nga këjo detyrë e rangut të parë nuk përfiton vajza shqiptare se ky vjen me nji bashkëshorte t’importueme nga jashtë. Gjithë ata që mbi hyrjes në fuqi të kësaj ligje martohen me gra të hueja, nuk emnohen ma në shërbime shtetnore të çdo rangut qoftë të Mbretnis Shqiptare. Ata qi janë nëpunësa dhe martohen me gra të hueja mbas hyrjes në fuqi të kësaj ligje ipso jure janë të pushuem nga nëpunësia shtetnore” – propozonte deputeti. 
Këto dy drafte nuk u bënë kurrë ligje. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress