Në vitin 1906, në 290 vjetorin e vdekjes së Shekspirit, Fan Noli 24 vjeçar shkroi një shkrim eseistik me titull “Shekspiri në rrezik” që e botoi tek gazeta “Kombi”, 20 dhjetor 1906 nr. 20, nënshkruar me pseudonimin Ali Babë Qyteza.

Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir (Shakespeare). Ky filozof paske harxhuar mjaft kohë për të gjetur ndonjë farë bukurie nër dramat e dramëtarit englez dhe jo vetëm nuk gjeti, jo vetëm vuri re që dramat e tij janë të shkallmuara, por nuk gjeti as gjyrmë moraliteti nër këto. Ky qënka shkaku që Shekspiri nuk ish i dashur as në vent të tij as në Evropë. Famën e tij Shekspiri ia paske borç Gëtes dhe për hatrin e këtij u përhapnë mi tërë botën këto drama, të cilat, pas të krishterit filozof, janë imorale.

Një amerikan, Bernard Shou (Shou) përsëdyti gjithë këto idea, [të] cilat nën vështrimin artistik mund t’i quajmë nihiliste. Ky kritikon me një mënyrë të hidhur dramën “Mbreti Lir”, të cilën e gjan të çmendur fare.

Më së fundi një gjerman, emër i të cilit nuk më kujtohet, na del dhe na thotë që dramat shekspiriane nuk janë bërë as prej aktorit Uilljëm Shekspiri as prej Bekonit, po prej një fisniku Roxher Iërl of Ratlend (Roger Earl of Rutland). Mendjen e tij gjermani e mbështet përmbi ngjarjen që Shekspiri dyke qenë i varfër nuk kish udhëtuar as në Itali, as në Danimarkë as gjetkë, po megjithatë i përshkruan kaq bukur këto vise.

Po Roxheri i kishte gjezdisur tërë këto vise si i dërguar i qeverisë dhe drama e fundit e Shekspirit u bë pak kohë para vdekjes së këtij fisniku të mbretëreshës Elisabetë.

Kërkimet e gjermanit kanë një vlerë, se dyke mësuar jetën e një auktori munt të kuptosh më mirë veprat e tij. Po sidomos duhet vënë re që dramat e Shekspirit janë bërë prej aktorit që e kish nëmëruar sqenën me pëllëmbë, dhe jo prej një konti të hoborrit, si tha shumë bukur një profesor amerikan në Këllambië Juniversiti (Columbia University). Pastaj ç’ka të bënjë se dramëtari englez ish kasap, kur komediani latin Plautus ka qenë skllav dhe bluante grurë me mokra të dorës dhe Molieri s’ka qenë përveç një aktor i varfër dhe i pamësuar.

Sa për Tolstojnë si dhe për shokun e tij Bernard Shou kemi të themi që nuk duhet kurrë të kërkonjë moralitet në bukuri, qoftë e natyrës, qoftë e artit, qoftë e mjeshtërisë. Bukuria ka moralitet më vete, të cilën kurrë nuk munt ta kuptojnë nihilistët e esthetikës, të cilët s’kanë kënduar përveç ungjillë dhe përpiqen ta zbukurojnë botën, dyke u larguar nga burim i bukurisë, nga natyra dhe nga të bijt që janë artet.

Vërtet është bërë një lajthim fati që lindi ky njeri mosenglez në Angli dhe për atë që ka vënë re letretyrën engleze, duket si një lule e verës e egërt brenda në një fushë prej dëbore morale, po këto gaçi (teke) të natyrës janë bërë dhe gjetkë.

Vërtet është që Gëtja e përhapi në Evropë shekspirizmën, po ngaherë plebejanëve lipset t’u rrëfesh cila gjë duhet t’u pëlqenjë dhe ashtu të çuditen për bukurinë e saj.

Vërtet dhe Volteri e quan Shekspirin barbar, po muzhiku, konti i Rusisë dhe kritikani pedant i Amerikës janë shumë lark që të kuptojnë shkaknë. Sa mirë do të bënin këta të krishterë ta linin më qëtim (në qetësi) të varfërin Shekspir.

Qytetërimi i Volterit kishte shumë ndryshim nga qytetërimi i Shekspirit. Volteri kërkonte një artist me rregull, po Shekspiri ishte artist pa rregull, përtej rregullit. Po kush munt të thotë që në atë trubullim të bukurive të egra të dramavet shekspiriane, në atë “désharmoni” s’ka harmoni?

Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe: “S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]