Sot 16 vjet më parë, u bë atentati ndaj gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, vrasja e tij vazhdon të mos jetë zbardhur.

Ajeti u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur rrugës për në Gjilan, me saktësisht në fshatin Bresalc. I vetmi dëshmitarë i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar, megjithatë ky dëshmitarë M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Gazetari Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë, me 25 qershor, ku atje ishte dërguar për trajtim.

Ju pëlqen!

Fitim Ajeti: Atentati ndaj Bardhylit ishte mirë i organizuar dhe i planifikuar nga mafia politike

Në këtë përvjetor, Fitim Ajeti, vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, ka folur për punën e tij që shërbeu për pavarësinë e Kosovës, që ishte shembull, derisa shpresat për zbardhjen e vrasjes së tij i kanë te Gjykata Speciale.

Fitimi ka thënë për gazetën “Bota sot” se ai përbënte rrezik për mafinë politike, të cilët e vranë në atentatin e organizuar dhe planifikuar, për shkak të shkrimeve të tij.

“Sot më 03.VI.2021 u bënë plot 16 vite nga atentati mirë i organizuar dhe i planifikuar nga mafia politike ndaj vëllait tim Bardhyl Ajeti. Bardhyli (vëllai im) ishte një nga pendat më të mprehta dhe më të guximshme të gazetarisë mbarëshqiptare. Nuk ka asnjë dyshim se Bardhyli është vrarë për ato që ka shkruar dhe botuar në editorialet dhe kolumnet e tij në gazetën ‘’Bota Sot’’. Bardhyli përbënte rrezik për këtë mafi prej të cilëve ka qenë i kërcënuar”, është shprehur ai.

Ajeti ka shtuar se vrasja e vëllait të tij ishte e organizuar nga njerëz me kostum politik, derisa thotë se shpresat i kanë te Gjykata Speciale.

“Armët e vërteta mbrojtëse të Bardhylit ishin kompjuteri dhe guximi qytetar. Pra tanimë dihet botërisht se vrasja e vëllait tim ishte vrasje puro politike e orkestruar dhe e organizuar nga njerëz të veshur me kostum politik. Prandaj drejtësia jonë deri tash ka qenë peng i institucioneve më të larta të shtetit. E vetmja shpresë për neve si familje është Gjykata Speciale e cila duhet të zbardh të gjitha vrasjet enigmatike të kryera para dhe pas luftës në Kosovë”, ka deklaruar Fitim Ajeti.

Ai tregon se vëllai qysh në moshë të re ishte i përkushtuar ndaj Kosovës, me pendën dhe mendjen e tij prej gazetari që dëshiroi të ishte një gur që përballonte tërë grackat dhe të ishte një katalizator i ndërmjetësimit që në Kosovë të dominojë arsyeja, në kohën e pasluftës, kur euforia se përfundimi i luftës solli ngjyrat e ylberta të lirisë ishte e madhe.

“Vëllai im moshën më të re të jetës ia kushtoi Kosovës me pendën dhe mendjen e tij prej gazetari. Ai dëshiroi që të jetë edhe një gur mbi themelet e reja dhe të arta të kalasë së lirisë së Kosovës. Penda e tij renditi shumë gurë, madje pesha e tyre ishte shumë e madhe, sepse plot gojë u kalit në këtë rrugë të lirisë, e cila që nga fillimi ishte me plot peripeci. Kur përfundimi i luftës menduam se solli ngjyrat e ylberta të lirisë, qytetarët kishin bindjen se po fillon një stinë e re kombëtare, e sidomos në Kosovë që ka arritur të vetëdijesohet nga tmerri i luftës. Thënë shkurt, ishte vetëm një eufori shqiptare sepse në anën tjetër kishte ,,vullnetarë’’ që punonin për rrënimin e themeleve të lirisë. Në këtë ,,ambient’’ të helmuar, Bardhyl Ajeti me shkrimet e tij dëshironte që të ishte një gur që përballonte tërë ato gracka dhe të ishte një katalizator i ndërmjetësimit që në Kosovë të dominojë arsyeja. Si vizionar politik edhe pse i ri, ai me zgjuarsinë e tij rrahu shumë tema, shumë të ndërlikuara të shoqërisë sonë në tranzicion”, është shprehur ai.

Më tej, Fitim Ajeti ka thënë se Bardhyli kishte një koncept që shqiptarët duhet të jenë shembulli më i mirë në trojet ballkanike dhe me këtë parim ai shkruante dhe ngriti zërin ndaj atyre që e pengonin këtë.

“Koncepti i tij demokratik përbënte një sfond të bindjeve të reja kombëtare, duke pohuar se shqiptarët duhet të jenë shembulli më i mirë në trojet ballkanike. Me këtë parim ai vazhdimisht shkruante se tash kur ka filluar rrjedha e lirisë, secili prej nesh duhet të shërbehet me të dhe të mos e kufizojmë njëri tjetrin. Ai ngriti zërin ndaj atyre që pengonin të tjerët për të realizuar këtë të drejtë dhe deri në momentin e vrasjes nuk u zmbraps”, ka shtuar ai.

Pse të vritet mjeshtri i kalasë së lirisë?

Ai tregon se Bardhyli pavarësisht se ishte i ri, me komentet e tij, me fakte dhe argumente, shërbeu si shembull për shumë diplomatëve dhe ushtarakëve botërorë se në Kosovë ka vizionarë të rinj për hartimin e të ardhmes së Kosovës, ku në shtëpinë e gazetës “Bota sot” merreshin mostrat se si duhet vepruar në të ardhmen. Ai shton se në gjithë këtë, ngritët një harbut kriminel ordiner dhe ngre gishtin ndaj vëllait të tij, Bardhylit, i cili do të jetë deri në përfundim të së ardhmes së Kosovës, pavarësisht se nuk është fizikisht me ne.

“Dikush që e ka menduar se liria është e tepërt për shqiptarët, ka ngrehur gisht për shqiptarët, ka ngrehur gisht edhe në arkitektin e mendimeve të lira me shkrim, në Bardhyl Ajetin, i cili edhe pse i ri, arriti që të tregojë pjekuri të qëndrueshme dhe të orientohet drejt për të ardhmen e Kosovës. Komentet e tij u kanë shërbyer si shembull me fakte dhe argumente shumë diplomatëve dhe ushtarakëve botërorë se në Kosovë ka vizionarë të rinj për hartimin e të ardhmes së Kosovës. Madje, kishte bindje se në këtë vend të vogël ballkanik proceset rrjedhin edhe më mirë se sa është menduar. Gazeta ,,Bota Sot’’ ishte shtëpia ku shkëmbeheshin proceset dhe merreshin mostrat se si duhet vepruar në të ardhmen. Ndërsa në këtë fushë ishte i disiplinuar Bardhyl Ajeti që nxiti me shkrim shumë hartues të projekteve për Kosovën që të përshpejtojnë hapat drejt pavarësisë. Dhe, kur njerëzit e mprehtë në mendje, strateg të hartimit të sistemeve politike, ushtarakë që e përthekonin realitetin, filozofë dhe sociologë që e paramendonin një të ardhme të re të Kosovës në kuadër të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, merre me mend, ngritet një harbut kriminel ordiner dhe e ngreh gishtin ndaj vëllaut tim Bardhyl Ajeti. Së paku dikush kështu ka menduar, por një gjë e tillë është e ditur se fizikisht vëllau im këtu e 16 vjet nuk është me ne në projekte kombëtare, por ai i paraprin deri në përfundim të së ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar Fitimi, vëllai i Bardhyl Ajeti për gazetën “Bota sot”.
Advertisement

Zogaj: Bardhyl Ajeti, i cili ishte zëri më i guximshëm i denoncimit të krimit dhe kriminelëve

Shpresat te Specialja për zbardhjen e vrasjes së Bardhyl Ajetit dhe shumë të tjerëve i ka edhe bashkëpunëtori i tij, Skënder Zogaj.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se vrasjet politike në Kosovë janë plagë e rëndë që e kanë penguar realizimin e dëshiruar të shtetësisë, të cilat dëshmojnë se Kosova është e kapur nga krimi i organizuar, i cili eliminoi bijtë e bijat më të mira, me Bardhyl Ajetin, zërin më të guximshëm të denoncimit të krimit dhe kriminelëve.

“Vrasjet politike në Kosovë janë plaga më e rëndë shoqërore dhe dobësia kryesore e institucioneve shtetërore, të cilat duke mos u arritur që ta realizojnë këtë përgjegjësi të tyre, e kanë diskredituar dhe e kanë penguar realizimin e mundshëm dhe të dëshiruar të shtetësisë dhe të integrimit të vendit tonë në BE! Pra, moszbardhja e rreth 700 vrasjeve të luftës dhe pasluftës, janë dëshmi se Kosova është kapur nga krimi i organizuar, që duke eliminuar bijtë dhe bijat më të mira, e ka sakatuar ëndrrën historike të lirisë dhe pavarësisë, për të cilën ishte jetisht i angazhuar Bardhyl Ajeti, i cili ishte zëri më i guximshëm i denoncimit të krimit dhe kriminelëve dhe i kërkesës këmbëngulëse që kriminelët të marrin dënimin e merituar”, është shprehur ai.

Por, Zogaj thotë se kjo i kushtoi me jetë Bardhylit e Bekim Kastratit, ku heshtja e drejtësisë tregon se kriminelët janë brenda institucioneve dhe e mbajnë ende të kapur shtetin! Kjo është arsyeja që me dekada mbeten të pazbardhura vrasjet e figurave më të pastra atdhetare, si: Koloneli Krasniqi, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Tahir Zemaj, Sebahate Tolaj etj.

“Mirëpo ky guxim i kushtoi me jetë Bardhylit dhe Bekim Kastratit, qe rëndojnë ndërgjegjen e popullit të Kosovës, që më kot shpreh indinjatë për mosfunksionimin e drejtësisë, heshtja e së cilës tregon se kriminelët janë brenda institucioneve dhe e mbajnë ende të kapur shtetin! Kjo është arsyeja që me dekada mbeten të pazbardhura vrasjet e figurave më të pastra atdhetare, si: Koloneli Krasniqi, Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Tahir Zemaj, Sebahate Tolaj etj, etj”, ka thënë Zogaj.

Derisa pret që Specialja të angazhohet për këto vrasje, ai thotë se Kosova me të drejtë vazhdon të mbetet e përjashtuar dhe e pa integruar në BE.

“Të shpresojmë që Gjykata Speciale do të angazhohet seriozisht për këto vrasje, sepse, pa zbardhjen e tyre, Kosova do të mbetet syrgjyne dhe e përjashtuar nga bora e civilizuar, e cila me të drejtë heziton që Kosovën aktuale ta integrojë në BE”, ka deklaruar Skënder Zogaj.

Shahu: Të zbardhet kjo vrasje dhe gjitha vrasjet politike mafioze

Në anën tjetër, ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu shpreson në zbardhjen e vrasjes dhe të tjera vrasjeve politike mafioze, derisa ka disa dyshime.

“Unë shpresoj të zbardhet kjo vrasje dhe gjithë vrasjet politike mafioze, por kam dyshuar dhe dyshoj gjithmonë. Kam dyshuar se në raste të tilla vrasësit mund të jenë vrarë për zhdukjen e gjurmëve. Vrasjet politike dhe mafioze bëhen për të mos u zbuluar por gjithmonë një drejtësi vullnet mirë dhe një organ hetimi profesional gjurmojnë gabimet e vrasësve, synojnë të gjejnë gabime e gjurmë të vrasësve, pasi besohet se nuk ka krim pa gjurmë. Por kryesorja duhet shteti ligjor serioz e garant që nuk e lejon konfliktin të bjerë në vetëgjyqësi se pastaj kjo do të ishte fundi tragjik i shtetit dhe shoqërisë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.