Poema famëmadhe “Bagëti e Bujqësi”, shkruar para 135 viteve, është dokumenti më origjinal etnografik, kulturor, gjeo-politk e historik i kombit shqiptar, shkruan MekuliPress.com. 135 vite më parë ishte Rilindasi i pavdekshëm, Naim Frashëri, ai i cili përmes gjuhës shqipe, besnikërisht, ua “fotografoj” atdheun shqiptarëve. 

Ja si dukej dhe sa i madh ishte atdheu i shqiptarëve sipas përshkrimit “fotografik” nga viti 1886:

Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;  

Ju pëlqen!

Rilindasi ynë nuk ishte mashë e politikave të kohës. Ai nuk lakmonte karierë e as kolltuqe. Poeti-diplomat nuk shkonte “si ai viqi i vockël pas lopës”. Ai ishte kundër rrymës fatkeqe që e donte shkatërrimin dhe harrimin e identitetit shqiptar. Ai, me shumë vetëdije politike, përshkruan qytetet kryesore të shqiptarëve: Ai përmend Shkodrën, Elbasanin, Tiranën, Pejën, Gjakovën, Tetovën, Ulqinin, Dibrën, Prishtinën, Vlorën… Pra Shqipninë.
Shtrohet pyetja: Si duket harta politike, kombëtare e kulturore e shqiptarëve? Pyetje që shpesh ia bëjmë vetes kur kujtojmë atdheun tonë, por që shpesh na duhet të japim përgjigje kur na pyesin, padjallëzisht, edhe fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë.

Për të përkufizuar atdheun e shqiptarëve ka mënyra të ndryshme. Por përshkrimet, e që lirisht mund të themi, fotografinë më të mirë të atdheut tonë, na e ka dhënë poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, tek vepra madhore, “Bagëti e Bujqësi”, botuar në vitin 1886, kujton MekuliPress.com

Poeti na e fotografon atdheun nga “perspektiva e zogut”, shprehje kjo që përdoret në fushën e kinematografisë (kameras). Droni largëhedhës i Naim Frashërit fotografon qytetet, luginat, bjeshkët dhe katundet e shqiptarëve, të cilat akoma nuk ishinë përgjakur e nuk ishinë pushtuar nga Serbia, Mali i Zi e Greqia. Droni historik e etnologjik i Frashërit fluturon e fotografon; Droni i tij ndalet në çdo qytet të madh shqiptar. Përmes gjuhës së lezetshme shqipe poeti kombëtar na mundëson, përpos pamores, të dëgjojmë e ta shijojmë edhe atë dialektin e pasur të qyteteve të ndryshme të Shqipnisë sonë.

Të nderuar lexues,
Fluturimi i dronit të Naim Frashërit është me rëndësi të madhe, jo vetëm për politikën e për intelektualët e çoroditur shqiptarë, të cilët duan të sajojnë një komb e një gjuhë tjetër prej kombit shqiptar, por ky fluturim, këto fotografi, ky zë me dialekte aq të këndshme, kapur nga droni gjeo-historik i Naim Frashërit, janë oksigjen dhe për brezat që do vinë pas nesh, shkruan MekuliPress. Kjo të bënë të mendojë përse sot fotografia origjinale e Frashërit, sot, pandalë e vazhdimisht, po tentohet të na servohet si jo e plotë, e zmadhuar, e pavërtetë dhe e falsifikuar.
Por, të dashur lexues, poema “Bagëti e Bujqësi” është fotografia më e plotë gjeo-historike e faktike që na detyron të veprojmë, të bashkohemi e të organizohemi kundër defiçitit moral, etik, kombëtar e kulturor që ka mbërthyer politikën, arsimin, edukimin dhe median shqipe në Tiranë e në Prishtinë.

Fotografia identitet, e “shkrepur” që në vitin 1886 nga “droni” i poetit kombëtar, Naim Frashërit, është, gjithsesi, edhe goditja më e madhe që po e shkatërron retorikën, propagandën dhe ideologjinë gjeopolitike sllave, e cila dëshpërimisht, përmes misionarëve sllav që flasin e shkruajn shqip, po provon të sajon fantazmën (kosovar) brenda kombit shqiptar, shkruan MekuliPress.

Lexojeni se si me gjuhën e bukur shqipe poeti na i përshkruan katundet e qytetet e Shqipnisë së vitit 1886. Kënaqu me fotografinë e kapur nga droni i poetit që në vitin 1886. Përjetoje fotografinë që ty të del para syve kur e lexon gjuhën e këndshme të poetit: 

…Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.