Sot shënohet 100 vjetori i atentatit dhe vdekjes së Esat pashë Toptanit, i cili më 13 qershor 1920 u vra në Paris nga Avni Rrustemi, u vra për të mbetur gjithmonë sinonim i tradhtisë. 

Esat pashë Toptani ka qenë ushtarak i Ushtrisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, drejtues i Rrethimit të Shkodrës njeriu që tradhtoj dhe kryeministër shqiptar.

Më poshtë  ju sjellim një fragment të shkurtë se si ndodhi vrasja e Esat pashë Toptanit.

Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikneshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga  patrioti Avni Rustemi. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit Continental në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver Smith & ëesson, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t’u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës.

Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe “me paramendimin e një populli të tërë”.

Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t’u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D’Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit.

“Serbia i kujton heronjtë e saj, por Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe ne nuk do ta harrojmë Esat Pashën, i cili në momentet më të vështira ishte përkrah nesh. Esat Pasha ishte mik i serbëve, padrejtësisht i harruar dhe i anatemuar nga historia, qoftë edhe e jona”, tha edhe politikani serb Vulin.