“E kush do të donte ndonjëherë një laps dixhital?” Kur i treguan Steve Jobs-it një PDA, në të cilën edhe mund të shkruaje, ai u prish pak në fytyrë. Jobs kishte në mendje iPhone-in e tij të ardhshëm, mbi të cilin do të bënte gjithçka duke përdorur gishtat. Pse atëherë duhej krijuar një gjë e padobishme?

Nëse do të ishte ende gjallë sot, do të shihte tabletin e kompanisë së tij, në të cilin mund të shkrush dhe vizatosh me një laps elektronik, një pamje vërtet domethënëse në krahasim me ata kompjuterët e hershëm me ekrane me prekje, të cilët i konsideronte një herezi: “Askush nuk mund të dëshirojë kurrë një kompjuter, ku i duhet të prekë ekranin”. Por ja që…

Shkurt, në gjithë këto vite, që nga ai 5 tetor i vitit 2011, fansat e Apple kanë konkurruar për të thënë se nuk do të shkonte kështu, se kompania që ai kishte themeluar dhe që e kishte futur më pas në histori, pasi e kishte rifituar disa vite pas dëbimit të tij, me Steve Jobs-in gjallë do të vazhdonte të mahniste. Ndoshta, le ta pranojmë, duke prodhuar tabletë gjithnjë e më shumë si kompjuterë dhe lapsa dixhitalë, të cilët sidoqoftë do të ishin shndërruar në gjëra, pa të cilat nuk mund të bësh. Por jo sepse nuk janë tani, por sepse ai do e thoshte këtë.

Besimi i tij ishte pikërisht ky, të krijonte dëshirën për të shitur edhe para prodhimit të një objekti që më pas vërtet do të ndryshonte jetën: “Nuk mund t’i pyesësh njerëzit se çfarë duan dhe pastaj të përpiqesh t’ua japësh – i thoshte ai, kujtdo që e pyeste në lidhje me mrekullinë e Apple. Deri kur të arrish ta ndërtosh atë, njerëzit tashmë do të duan diçka të re”.

Atëherë: kush ishte Steve Jobs? Dhe çfarë është bërë me të vërtetë sot Apple? Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, një ikje e pritur, por që erdhi si goditje e befasishme nga lajmet në TV, gjëja që vazhdon të diskutohet më shumë për themeluesin, është se sa mungesa e tij ka ndryshuar fatin tonë. Një lojë ndoshta për nostalgjikët, edhe pse është e pamundur të harrosh se si gjenialiteti nuk ndjek një vijë të drejtë. Dhe që në teknologji të ndryshosh idenë, apo të shohësh një ide të dështojë, është praktikisht burim krenarie: “Teknologjia nuk është asgjë: gjëja me të vërtetë e rëndësishme është të kesh besim te njerëzit”. Ai e kishte atë, sidomos tek vetja.

Nuk ka provë se çfarë do të kishte ndodhur, po të mos kishte ikur kaq shpejt – ishte vetëm 56 vjeç. Një gjeni i të keqes, thotë dikush. I keq, egocentrik. Por, e vërteta është se Steve ishte thjesht një njeri, me të mirat dhe të këqiat e veta. Në gjendje (thotë legjenda) të pushonte dikë nga puna në ashensor, vetëm se e kishte përshëndetur në mënyrën e gabuar, i pandalur (kjo dihet) në shpërthimet e tij të zemërimit, në mbledhjet ku askush nuk donte të merrte pjesë.

Ndodh kudo, në realitet, në zyrat e botës, por askush nuk ka sjellë të njëjtin revolucion si Steve Jobs. Nuk ishte filantrop, bënte biznes, edhe pa fre. Por në fund ishte Steve, një njeri me sindromën e realitetit të shtrembëruar, i cili besonte që bota e vërtetë ishte ajo që ai kishte në kokë. Nuk është sëmundje, përkundrazi, magjia ishte pikërisht që atë botë ai e bëri reale për të gjithë. Si për shembull atëherë kur, një natë para hapjes së Apple Store në Cupertino, ndryshoi të gjitha tavolinat sepse nuk i pëlqenin. “Nuk është e mundur”, i thanë. “Eshtë e mundur”, u përgjigj ai. Dhe u bë e mundur.

Apple ndjek ende atë objektiv sot, megjithëse duke përdorur mjete të ndryshme si çelës suksesi: iPhone, iPad, Mac, janë ende aty, por ajo që të bën të mahnitesh, është çfarë që ka brenda. Ato shërbime që – natyrisht – bluajnë miliarda e miliarda dollarë, por na lejojnë të kemi jetë në xhepat tanë. Dhe të jemi në gjendje ta kontrollojmë atë thjesht me një prekje të gishtit.

Kushdo që thotë se kjo nuk është më Apple e Jobs, nuk e ka kuptuar se vendosja e Tim Cook në vendin e tij ishte shpikja e tij e fundit e madhe. Në fund të fundit, ishte sekreti i tij i vërtetë: të shkosh përtej të pamundurës, sepse “risia është ajo që dallon një udhëheqës me ndjekësa”. Dhe sot, mbase edhe ai e kishte parashikuar këtë, ka gjithmonë shumë ndjekës rretherrotull: në të vërtetë, gjithnjë e më shumë. Të veshur si udhëheqësa.