Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, dhe kryetarja e nënkryetarja e kësaj partie Fatmire Mulhaxha Kollçaku pritën sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Tomash Szunyog.

Takimi kishte karakter njoftues mbi punën e Komisioneve Parlamentare dhe rolin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me to.

Ambasadori Szunyog vuri theks të veçantë tek projektligji për Financimin e Partive Politike dhe votimin për zgjedhjen e Komisionarit për Mbrojtje të Dhënave Personale dhe Privatësi. Ai po ashtu tha se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet i të gjitha subjekteve dhe grupeve parlamentare.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e njoftuan ambasadorin për punën e Kuvendit, me theks tek interpelancat të cilat janë mbajtur deri tani e tjerat që priten të mbahen në javët në vijim.

Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se e sheh të dëmshëm vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-forcës së Antikorrupsion dhe për këtë duhet kërkuar llogari.

Ajo tha se komisioni që drejton do të bëjë çmos që kjo çështje ta marrë vëmendjen dhe trajtimin e duhur.

Ndërsa, Rexhep Selimi në lidhje me marrëveshjen e asociacionit të Komunave serbe ripërsëriti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila që nga fillimi e ka konsideruar të dëmshme dhe tashmë e sheh edhe të vdekur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015.