para
 

O MOJ SHQIPNI 

O moj Shqipni, e mjera Shqipni,
Kush te ka qitë me krye në hi?
Ti ke pas kenë një zojë e rande,
Burrat e dheut te thirshin: Nanë!
Ke pasë shumë t’mira e begati
Me vajza t’bukra, me djem t’ri.
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha e pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira,
Ti ndër gjithe shoqet ke kene ma e mira.
Kur krista pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqiptarit gjithmonë i zoti.
Ka qënë për luftë e n’luft ka vdekun,
E dhunë mbrapa kurr s’i ka mbetun.
Kur ka lidh besën burri i Shqipnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë.
Ndër lufta t’rrepta gjithkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Po sot, Shqipni, pa m’thuej si je ?
Po sikur Lisi i rrxuem perdhe,
Shkon bota sipri, me kambë të shklet
E një fjalë të ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule,
Ke pas ken veshun, sot je me cule
E s’të kan mbetun as emn, as besë
Vet’ i ke prishun për faqe t’zezë.
Shqiptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër njëqind çeta jeni shpërnda…
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe.
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqipnia me faqe n’dhe
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër as dritë as pishë,
As gjak në faqe as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë.

Lexo po ashtu:  Fan S. Noli – Plak, Topall dhe Ashik
Ju pëlqen!

Para se t’hupet kështu Shqipnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia,
Çoniu shqiptarë prej gjumit, çoniu !
Të gjithë si vllazën n’një besë shtrëngoniu !
E mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e shqiptarit, asht shqiptaria !
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë
Asht toka jone, t’paret na e kan lane,
Kush mos na e prekë se desim t’tanë!

– Pashko Vasa

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!