Retorika dhe Politika në shërbim të harresës kolektive

Gëzim Mekuli

Nëntori! Muaji Identitet është afër. Afër dhe shumë kërcënues për ata që e duan t’a kenë shumë larg. Disa sikur nuk e ndien këtë afërsi. Këta e duan largësinë e tij.

Në njërën anë këta njerëz, përmes mediave që i kanë nën kontrollë, duan t’a zbehin nëntorin Identitet, e, në anën tjetër, mediat, që i kanë nën kontroll po këta njerëz, duan që flamurin kombëtar t’a zbehin e t’a largojnë nga hapësira mediatike e ajo publike.
Mediat e qoroditura (TV, radio, gazeta e internet) pak lansojnë apo nuk e lansojnë fare flamurin kombëtar: këto media pak e publikojnë apo nuk e publikojnë fare fotografinë, ikonën, simbolin, e ngjyrat e flamurit kombëtar. Këto media sikur i frikohen fuqisë shumëndikuese të flamurit kombëtar. Përpos mediave ka goxha shumë “kinseanalistë” e “kinseprofesorë” që po i frikësohen flamurit tonë kombëtar, po shashtrisen, bash si prej dreqit.

Përse kështu?

Këshilltarët e këtyre njerëzve e dinë se identiteti është prodhim i historisë dhe i retorikës dhe se retorika krijon subjektin politik dhe identitetin kolektiv. Pra fotografia, fjala e shkruar dhe filmi janë kryefaktorë retorik në ndërtimin e identitetit kombëtar të një kombi. Prandaj, jo rastësisht, largohet, nuk shkruhet e nuk xhirohet shumë flamuri kombëtar; ky Flamur historik “duhet” sa më pak të jetë i gjallë për syrin, veshin dhe shqisat e shqiptarëve të Kosovës. Këta dallaveregjinjë kanë edhe shumë “detyra shtëpie”. Flamurin duhet t’a keqreklamojnë, pakbotojnë dhe t’a idhësojnë, e, në anën tjetër, këta njerëz kanë për “detyrë shtëpie” që flamurin e vizatuar nga UNMIK-u t’a reklamojnë, t’a shumëbotojnë, dhe t’a ëmbëlsojnë.

E kam thënë jo pak herë se monopoli i mediave në lajmin dhe fotografinë është aparati kontrollues më efikas i mendimit dhe debatit të lirë. Është thënë sa e sa herë se, shumë intelektual të mendimit kritik nuk lejohen të marrin pjesë dhe të ndikojnë në zhvillimin e debatit kritik. Edhe pse për vet faktin, Kosova, vetëquhet “shoqëri demokratike”, ky vend, sot, shumë, tepër shumë po i përngjanë një sistemi politik totalitar.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu?

Dallimi i madh në mes të një sistemi totalitar dhe atij demokratik është se, në sistemet totalitare është shteti ai që vendosë se cili mendim, flamur, simbol dhe opinion “duhet” të dominoj në media, në hapësirën dhe vendimet publike.
Pra, është “Држава” (shteti = nga gj. serbe) ajo që i tregon shqiptarëve se cili mendim e flamur duhet të pranohet e të mirërespektohet.
Paçka, në sistemin politik demokratik veprohet ndryshe, ama krejt ndryshe; Opinioni, vendimet politike, emblemat kombëtare e shtetërore si dhe mendimi lirë; mendim “që duhet” të dominoj në hapësirën publike, asnjëherë nuk paravendoset e nuk imponohet nga “Држава”.
Opinioni dhe flamuri në “Држава” është punë e përkryer dhe nënkuptohet si opinion e si akt juridik e politik, i përfunduar dhe i përkryer. Populli nuk dëgjohet; janë tjerët ata që dëgjohen e pyeten: është sistemi feudal.

Si të veprojmë në muajin Identitet?

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre njerëzve, e ndaj kësaj censure të rëndë, por të sofistikuar mediatike, dhe si mospajtim me këtë sistem feudal – sistem që të detyron të harrosh e të shlyesh nga kujtesa historike pjesët e identitetit të kulturës sate – do të ishte pikë së pari obligim qytetar, demokratik e human, që për 28 nëntorin, muajin Identitet, të kujtohet me dinjitet e krenari intelektuale elementi qenësor i kombit shqiptar; Flamuri kombëtar:

– Le të vendoset ky flamur në të gjitha institucionet e popullit (e jo në pallatet e Qeverisë dhe të UNMIK-ut).
– Këta flamuj le të dukën në çerdhe të fëmijëve, në shkollat fillore, të mesme e në fakultete.
– Le të freskohet, së pakut le të nderohet, me flamurin tonë varri i ushtarit të UÇK-së.
– Po, me flamuj kombëtar të freskohet varri i civilëve të vrarë nga “Држава”.
Vetëm kështu e në këtë mënyrë do të parandalojmë tentimfshirjen e kujtesës sonë kolektive. Vetëm me 28 Nëntor thyerja e kësaj të keqe është më efikase se herëve tjera. Kështu, ne, shqiptarët e Kosovës, do të shërojmë harresën e imponuar nga këta dallaverëgjinjë e nga unmikgazetaria.

Kështu ne dëshmojmë se nuk jemi komb që vuajmë nga “kompleksi i vlerave të vogla”.

/Botuar në vitin 2008/

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...