KULTURÊ
Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret
Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës.
Saimir Muzhaka
Gjuhëtarët japin alarmin se po shthuret disiplina e Gjuhës Shqipe nga mungesa e rregullave drejtshkrimore dhe fjalët e huaja
Shkurtaj: E ardhmja e Shqipes nuk do të jetë e mirë, nëse nuk e mbrojmë gjuhën tonë të bukur
Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës. "Gjuha shqipe është e gjerë dhe e bukur shumë, ka fjalë fort të mira për të venë në vend të fjalëve të huaja". Këtë shprehje e ka thënë shumë kohë më parë Naim Frashëri, e, me sa duket, sot tingëllon më aktuale se kurrë. Sot gjen me qindra emërtime nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, të cilat vuajnë nga gabimet drejtshkrimore apo fjalët e huaja. Është bërë e modës të vendosen fjalë të huaja, të pahijshme, kur shumë mirë këto mund të gjenden brenda fjalorit të pasur të Shqipes. Gjuhëtarët japin shqetësimin e tyre, duke theksuar se kjo situatë nuk ndikon mirë në formësimin e brezave të rinj, të cilët i ndeshin këto fjalë përditë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet për gazetën "Shekulli" se kjo situatë nuk është vetëm e gjuhës shqipe, por edhe e krejt kulturës së sotme shqiptare, e cila na trishton dhe na bën të trembemi se e ardhmja e shqipes nuk do të jetë e mirë, në qoftë se nuk punojmë me gjithë shpirt dhe përkushtim për ta mbrojtur gjuhën tonë të bukur.
Gabimet drejtshkrimore
Ka shumë raste kur tabelat e emërtimeve përmbajnë gabime të shumta në drejtshkrim, shpesh ë-të mungojnë, a thua se kjo germë nuk ekziston në trajtën e shkruar të shqipes. Një shembull i tillë, është "Ministria e Brendeshme" në një tabelë të Komandës në Tiranë. Fjala "e Brendeshme" përmban një "ë" të panevojshme me rregull drejtshkrimor, sipas Prof.dr.Shkurtaj. Ndërsa Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës i mungon nyja "i", problem ky që është përhapur së shumti pasi mungesa e nyjave është bërë e modës nëpër emërtime. Një qendër shëndetësore harron të ndajë fjalën nga nyja, duke nxjerrë kështu një fjalë të re, "për ruajtjen e", në vend që të shkruante "për ruajtjen".
Mania e fjalëve të huaja
Shqipja gjithnjë e më shumë po vuan edhe nga fjalët e huaja, të cilat janë kthyer në një epidemi për bizneset apo aktivitetet private. Të gjithë pëlqejnë të vendosin emra të huaj. "Ka lindur dëshira për të qenë modernë. Kjo nuk është diçka e keqe, por është negative dëshira e disave për të shfaqur modernitetin me fjalë të huaja",- tregon Shkurtaj, duke shtuar se të tmerron trumbeta e drafteve, implementimeve, fizibiliteteve dhe kushedi sa fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën tonë.
Shkurtaj: Ja kush duhet të kujdeset për gjuhën
Probleme drejtshkrimore në tekstet e rrugëve apo tabelat e ndryshme të aktiviteteve, qofshin këto private apo publike, nuk i ka vetëm Tirana, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Pothuajse i gjithë vendi është mbushur me mbishkrime në gjuhë të huaja ose në një shqipe jo të shkruar mirë. Sipas Prof.dr Gjovalin Shkurtaj, kjo situatë ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës, komunat apo bashkitë e vogla në vend, të cilat e kanë për detyrë funksionale të kontrollojnë çdo gjë që shkruhet nga pikëpamja e konceptit, nëse lejohet apo jo. "Veprimtaritë, ndërmarrjet mund të jenë private por nuk ka asnjë veprimtari që të mos jetë e licencuar nga shteti. Kështu, bashkë me licencën duhet caktuar qartë edhe emërtimi, duke zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe normat e Gjuhës Shqipe".

Ahmet Qeriqi: Çast me përmbledhjen “Klithmë kënge” të poetit Jusuf Zenunaj
Në mesin e poetëve dhe krijuesve tanë të talentuar, të cilët veprimtarinë e tyre letrare artistike e kanë zhvilluar dhe po e zhvillojnë në mërgim, shquhet edhe Jusuf Zenunaj, veprimtaria letrare e të cilit nis në vitet ’80 të shekullit të kaluar.
Poeti dhe dramaturgu, Jusuf Zenunaj deri tani ka botuar libra me poezi dhe dy drama: “Ma falin në varr” dhe “Rrugët m’i dhe ti”.
Në përmbledhjen poetike “ Klithmë kënge”, (Tiranë 1996), ai ka përmbledhur një tufë poezish motivesh të ndryshme, të cilat shquhen për origjinalitet krijues dhe motivim të pasur artistik.
Duke përshkruar jetën, mundimet dhe fatkeqësitë e shqiptarit të robëruar, të degdisur dhunshëm nëpër rrugët e botës, ky krijues ka hartuar poezi tejet të motivuara me tematikë nga jeta e njerëzve të gjakut e të gjuhës, të cilët bartën mbi supe fatin tragjik të jetës, jo vetëm në Atdheun e robëruar, por edhe rrugëve të botës, prore të kërcënuar nga asimilimi dhe befasitë që sjell jeta në dhe të huaj.
Pjesë e këtij fati tragjik të shqiptarët gjatë gjithë shekujve të robërisë ishte dhe mjerisht ende po mbetet rruga e mërgimit, nëpër të cilën u degdisën mijëra shqiptarë, kryesisht të përndjekur nga pushtuesit, nga forcat e errësirës, në mesin e tyre edhe poeti, të cilin malli për vendlindjen e përcëllon, andaj edhe konstaton se “pa qenë i mërguar s’ e di se ç’ është malli, që të përcëllon si zjarri i mbuluar me hi” duke ndier thellë në qenie etjen për ujin e Drinit të Bardhë, për aromën e bukës së Dukagjinit dhe erën e fortë të Bjeshkëve të Nemuna...
Malli i mërgimtarit është temë e veçantë për poetin, i cili ka mërguar nga Atdheu, jo nga dëshira për të parë botë dhe për të fituar pasuri, por i ndjekur nga regjimi gjakatar, për shkak të mosbindjes dhe kundërvënies.
E veçanta e vargut të këtij poeti qëndron në qasjen origjinale ndaj temave që trajton, në përshkrimin realist të situatave të ndryshme dhe afinitetet në sajimin e vargjeve shumë komunikuese, të çiltra e të thjeshta në mbarështim por të thella dhe mjaft të motivuara në brendi.
Me qëllim për ta paraqitur një pjesë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar në dhe të huaj, poeti vëren sesi në vendet larg Atdheut dalëngadalë shpirti vdes, vdes duke parë me sy se deri ku mund të sharrohet në botën e pamëshirshme, e cila bluan gjithçka dhe të tret në rrugë pa kthim. Këtë rrugë drejt humbjes së identitetit ai e përshkruan krejt thjesht, në një moment kalimthi, në poezinë, “Dikush i buzëqesh kësaj jete”:
“Katër çupa të bukura,
dy të lindura në Atdhe,
dy në perëndim,
as sa për lojë shqip nuk dinë,
frëngjisht flasin pa ngurrim”.
Edhe pse në vargun e tij të thurur me mjeshtëri, poeti nuk proteston me nota patetike kundër humbjes graduale të identitetit të shumë shqiptarëve në Mërgatë, ai megjithatë shqetësohet me faktin se atje askush nuk të detyron të asimilohesh. Mirëpo, jeta për një kohë të gjatë në dhe të huaj e bën të veten, andaj një ditë “kur të pyesin nga ke ardhur, pas shumë viteve, ndihesh i turpëruar”.
Vargu poetik i këtij krijuesi është i latuar me shumë kujdes, i pasur me mjete shprehëse stilistike, i kursyer nga patetika dhe retorika, i motivuar thjesht dhe bindshëm, i trajtuar me një filozofi realiste jetësore dhe i brumosur me idealin e shenjtë të lirisë dhe bashkimit.
Si e tillë, poezia e Jusuf Zenunajt i përballon kohës, sepse jep porosi universale, sepse trajton tema të aktualitetit, tema të angazhuara jo vetëm nga përmbajtja artistike, por edhe nga forma dhe ndërtimi artistik.
Për dallim nga disa poetë, që krijojnë në perëndim, në krijimet e shumë prej të cilëve shquhen nota të thella të dëshpërimit, apo nota të nostalgjisë patetike, thirrje, ngashërime, vargje plot vuajtje, gjëmime etj, ky krijues i talentuar e ka kursyer vargun e tij në të gjitha këto segmente, e ka latuar për mrekulli, duke i ikur me shumë sukses edhe latimit të tepruar, sikur bëjnë disa poetë në emër të një lloj krijimtarie mbi realiste. Poeti Zenunaj i ka ikur me shumë sukses edhe thirravajeve të kota patetike, të cilat i hasim dendur në poezitë e mërgimtarëve tanë.
Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë të freskëta si lulet e pranverës, të arrira si frytet e vjeshtës dhe të ndërtuara me një thjeshtësi të mjeshtërisë së natyrshme, e cila të përkujton kullat e gurit të Rrafshit të Dukagjinit...
Përveç motiveve meditative, poeti në disa poezi ka përshkruar fatin historik të shqiptarit, ndeshur me padrejtësitë në kohën dhe hapësirën e tij jetike, “gjithnjë i flijuar, një herë për vetveten, pastaj për Ballkanin, për Evropën e një ditë mbase edhe për botën, sepse kuti i rrobave të fatit tim gjithmonë u rrudh nga të mëdhenjtë, meqë kohën i patëm njerkë”, konstaton poeti.
Përmbledhja “Klithmë kënge” shqyhet edhe për shumë veçori të tjera, qofshin ato stilistike e artistike. Këto poezi të mbesin gjatë në kujtesë, sepse poeti ka vjelë me kujdes nektarin, ka trajtuar po ashtu me sukses motivet, të cilat i ka radhitur në poezitë e tij.

Me rastin e 77-vjetorit të vrasjes mizore të albanologut kroat Dr. Milan Shufflay
Kadri Osmani- Mani
KONTRIBUTI I MILAN SHUFLAY-tNË FUSHËN E HISTORIOGRAFISË SHQIPTARE E TË ALBANOLOGJISË
MILAN SHUFLAY
9.11.1879-18.2.1931
Gjeneratës së tashme e të ardhshme: t’i kultivomë ndjenjat e dashurisë ndaj atdheut e popullit tonë shqiptar; t’i kultivojmë ndjenjat e dy institucioneve: 1. Institucionit të kërkimfaljes (ndreqjegabimit) dhe 2. Institucionit të dallimit të pronës private-shoqërore: kjo setër (laps, arë, livadh, mulli...) është imi, ajo pallto (laps, arë, livadh, mulli...) është jotja, të cilat mund t’i falim, t’i shesim miqësisht ose afaristikisht; kurse prona shtetërore është e përbashkët dhe e patjetërsueshme, të cilën duhet ta rrisim bashkë, ta kultivojmë e ta begatojmë shtetin tonë SHQIPËRINË ETNIKE cep më cep me troje e me popullatë kompakte të mbi 50%, pjesa tjetër e popullatës (49%) zhvendoset a vendoset me këmbime pronash në mënyrë vullnetare.
Ky është dallimi thelbësor midis Shqipërisë Etnike dhe Serbisë së Madhe hegjemoniste, të cilët thonë se aty ku është një serb (madje edhe një varr!), aty është- Serbi!!
T’i kultivojmë ndjenjat e dashurisë ndaj të huajve që dhanë kontributet e veta të çmuara, si puna e Dr. Milan Shufflay-t (Stuart Mani, Uiljëm Liku...), për gjuhën e historinë tonë dhe që ia mbajtën ison çështjes tonë kombëtare; në mënyrë që të mos lëmë shteg të quhemi mosmirënjohës.
Me atë rast, zotërinjtë Albert Einstein & Heinrich Mann, shkruajnë:
“APEL MEĐUNARODNOJ LIGI ZA LJUDSKA PRAVA-APEL LIGËS NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT”- 125, AVENUE DE WAGRAM, PARIZ:
Fort të nderuar miq!
Ne nuk mund të bëjmë lëshim e të mos ia tërheqim vërejtjen Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për ngjarjen e 18 shkurtit të këtij viti [1931.] e cila i solli vdekjen shkencëtarit kroat dr. Milan Shufflay.
Kur ky shkencëtar ditën e cekur po shkonte në shtëpi, ishte në një rrugë të Zagrebit, kur është sulmuar pas shpine, dhe sipas burimeve tona, e plagosin rëndë me shufër hekuri. Dhe ditën tjetër vdes nga plagët e rënda, kurse më 22. shkurt varroset në Mirogojë pranë martirëve kroatë.
Profesori Milan Shuflay ishte i njohur me punimet e veta të shumta shkencore. Megjithatë, gazetat e Zagrebit nuk guxonin të lajmëronin për veprimtarinë e këtij shkencëtare, madje edhe lajmin e vdekjes qe konfiskuar, kurse as shprehjengushllimet nuk guxohej t’i përgatisnin. Nuk qe e lejueshme as të shpallet koha e varrimit, kurse qe e ndalueshme të theksohet flamuri i pikëllimit në gjysmështizë në ndërtesën e Universitet. Rinia shkollore, e cila mori pjesë në përcjellje në kortezh, shteti policor i përzuri nga Zagrebi, kurse flamurin trengjyrësh kroat, me të cilin ishin të rrethuara kurorat, i mënjanuan.
Emri i vrasësit, Branko Zwerger, ishte i njohur. E njohur ishte edhe organizata të cilës i përkiste vrasësi ("Mlada Jugoslavija"). Ishte e ditur se vdekja ishte me marrëveshje në natën prej 11. deri 12. shkurt në banesën e prefektit të qytetit, gjeneralit Belimarkovića. Tek ajo marrëveshje merrnin pjesë anëtarët e organizatës "Mlade Jugoslavije" Brkić, Godler, Marčec dhe vrasësi Zwerger. Edhe përkundër kësaj, policia zagrebase zyrtarisht lajmëronte më 19. shkurt se kinse kryesi i krimit nuk dihet.
Vrasjes së Profesorit Shuflay i paraprinë faktet vijuese:
1. Me rastin e vizitës së mbretit të Serbisë në Zagreb, në muajin janar, iu është dërguar një vargu personaliteteve të ndryshme– ashtu udhëheqësve dr. Vladku Mačku, dr. Anti Trumbiću, dr. Mili Budaku, profesorëve të universitetit dr. Filipu Lukasu, dr. Davidu Karloviću, dr. Milanu Šufflayu e të tjerëve– letra kërcënuese me nënshkrim "Za kralja i otadžbinu"-Për mbretin dhe atdheun), me të cilat i lënë në përgjegjësi me kokat e tyre personale dhe me jetët veta e të familjeve të tyre, po që se në kohën e qëndrimit të mbretit në Zagreb ndonjë protestë apo demonstratë.
2. Kësaj organizate terroriste, e cila mban emrin publik "Mlada Jugoslavija" mbreti Aleksandër i ka mbajtur fjalim publik, me të cilin tha për mënjanimin e deputetëve të zgjedhur kroatë, që ka zbatuar. Me fjalët: "Unë i kam mënjanuar deputetët", ai vetë e dha nxitjen respektivisht urdhëresën se me mënjanimin e tij formal nga parlamenti do duhet të kalohej në mënjanimet fizike, pra të likuidimit përfundimtar. Si shembull do të vlente 20. qershori 1928., kur në parlamentin e Beogradit janë likuiduar udhëheqësit kroatë.
Delegacioni i popullit kroat i përfaqësimit që më 25. janar 1930 ia dorëzoi Ligës së popujve në Gjenevë memorandumin, i cili njëherazi i qe dorëzuar edhe shteteve dhe organizatave të gjitha shteteve të kulturuara, duke ua tërhequr vërejtjen për gjendjen në Kroaci. Me këtë memorandum përpara gjithë njerëzimit ngrihej akuza kundër nëpunësve të shtetit të mbretit të Serbisë si kundër tmerrit dhe lemerisë, që qeveria po i bën mbi popullin kroat. Siç tregojnë faktet, këto tmerre nga ajo kohë ishin edhe më të mëdha.
Duke marrë parasysh këtë gjendje te tmerrshme, ne po ju lutemi, që Liga Ndërkombëtare të marrë të gjitha masat që këtij pushteti të dhunshëm t’i jepet fund.
Nuk guxon të heshtet kur vrasjet përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve politike.
Nuk guxon të heshtet kur vrasësit madhërohen sikur heronj popullorë.
Mendojmë se vetvetiu Liga Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e ka detyrë që të apelojë te të gjithë ata të cilët i çmojnë të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, që t’i kundërvihen kësaj llahtarie që po zotëron në Kroaci, të ngritin protestën më solemne. Të gjitha vendet, sidomos Franca, Gjermania, Polonia, Austria, ku ekzistojnë degët e Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e kanë për detyrë të dalin si mburojë përpara këtij populli liridashës dhe i qytetëruar. Ne e presim vendimin tuaj dhe ju përshëndesim.
---------------------------------------------------------
Këtu është vendi i përshtatshëm të theksohet se po në parlament në Beograd, qe helmuar në kafe deputeti i Shkupit, Kolë Bojaxhiu, babai i Nënë Terezës dhe nga hemorragjia e brendshme ka vdekur për katër ditë, ngase helmi kishte qenë aq i fortë, sa që ia kishte gri e shkatërruar rropullitë, pa pasur mundësi t’i ndihmonin as mjekët!
Me sa dimë, derimëtash për këtë albanolog janë botuar këto libra: dr. Milan Shufflay: SERBËT DHE SHQIPTARËT, “Rilindja”, Prishtinë-1968; SERBËT DHE SHQIPTARËT nga Sh. B. Bargjini, Tiranë-2002; në kroatishte nga Darko Sagrak: Dr. MILAN pl. ŠUFFLAY HRVATSKI ARISTOKRAT DUHA, Zagreb-1998; Milan Šufflay: KONSTANTIN BALŠIĆ, Zagreb.
Mendojmë se kjo në shqipet është pak dhe duhet të bëjmë më tepër për këtë kolos. Ngase shkak i drejtpërdrejtë i atentatit ishte vizita e gjuhëtarit në Tiranë, dhe fill me t’u kthyer në Zagreb, ndodhi vrasja!! Mbretëria serbe nuk honepste gjurmime albanologjike e historike që do të vërtetonin autoktoninë shqiptare në Kosovë!
Dr. Milan Suflay, është historian kroat, njëri nga themeluesit e albanologjisë dhe romansier i parë i romanit diturorfantastik kroat.

Edhe një hulumtim arkeologjik ne Maqedoni
Kalaja e Tetovës cak i ri
Pasko Kuzman, drejtor i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë në Shkup, paralajmëron se në mars të këtij viti do të fillojnë hulumtimet në Kalanë e Tetovës. Ai, sërish parasheh kundërshtime si në rastin e Shkupit, dhe nuk është çudi, nëse ai prap shtrembëron historinë dhe vendndodhjet e gjurmëve të moçme arkeologjike i shëndrron në venbanime.
Ukshin Zajmi
Tetova, si qendër e pjesës veriperendimore të Maqedonisë, që në lashtësi quhej Enea, është vend strategjik dhe pikërisht për këtë, si vendbanim i vjetër, këtu ka edhe të shtresave të ndryshme të monumenteve historike. Mirëpo, mungesa e mjeteve dhe nismës hulumtuese gjatë viteve të shkuara, aktualisht dihet vetëm për ato monumente, që janë të kapshme për syrin e njeriut. Ato janë: Kalaja e cila është e vendosur në kodrinën e quajtur Baltepe, e për të cilën thuhet se e ka ngritur Abdurrahman Pasha në vitin 1820, në brendinë e së cilës hetohen 5 saraje, kuzhina, banjo, 3 tunele për dalje dhe një pus në mes. Kjo kala ndryshe quhet edhe kalaja e Markut dhe thuhet se në një pllake gjenden edhe shputat e mbretit Marko. Tetova ka edhe teqen e bektashianëve-Harabati- të ndërtuar nga Sersem Ali Dede, pastaj Xhaminë e larme, të rindërtuar në vitin 1833, Kullën e sahatit, Urën e Kazazëve e objekte tjera më të vonshme, si shtëpinë e kulturës, e cila është ngritur në themelet e një xhamie të moçme. Nga mungesa e hulumtimeve, Tetova mund të mburret vetëm me statujën e Menadës, e gjetur ndoshta rastësisht. Përndryshe, ky vend me një pozitë mjaft strategjike në këtë pjesë të Pollogut e rrënzë Maleve të Sharrit, duhet të ketë qenë vend i rëndësishëm si i Dardanëve, Maqedonasve, e qytetërimeve të tjera, por që historia me shkencat tjera ndihmëse ia kanë bërë me hile, e duke i mbetur besnik regjimeve që kaluan nëpër te. Pos qytetërimeve të lashta, ky vend nuk ka mbetur pa u prekur edhe nga këmba e luftëtarëve të Skënderbeut dhe bëmat e tyre, andaj të thuhet se lashtësia e këtij vendi daton vetëm prej kohës së Abdurrahman Pashës është anakroni kohe.
Mediat e shkruara maqedone, lajmërojnë se së shpejti në Kalanë e Tetovës do të fillojnë punët hulumtuese. Pritet vjelje e të mirave të shumta arkeologjike.Sdo mend se, hulumtimet qe do të bëhen prej marsit të sivjeme e të cilat do të zgjasin deri në muajin nëntor, do të çesin në dritë gjetje të vjetra, të cilat do të flasin për lashtësinë e këtij vendi, të banuar denbabaden me shqiptarë e paraardhës të tyre, por sa këto gjetje do të dëshifrohen ashtu si duhet, mbetët të shihet. Mediat e shkruara maqedone, thonë se Pasko Kuzman do të angazhon edhe hulumtues shqiptarë, por a do të jenë ata të përhershëm apo të kohëpaskohshëm mbetët të shihet, por një gjë, sukur sinjalizon gjëra jo të mira. Vetë numri një i institucionit për mbrotjën e monumenteve të Maqedonisë, që në start kujton se do të ketë mosmarrëveshje si me rastin e vjemë në Kalanë e Shkupit. Dhe, nëse vazhdon me avazin e vjetër, sigurisht se do të ketë, por një gjë duhet ta din si, Pasko Kuzman ashtu edhe maqedonasit, se shqiptarët nuk janë kundër gërmimeve e hulumtimeve, por se ata janë kundër shtrembërimit të fakteve dhe leximit mbrapsht të artefakteve që gjenden gjatë hulumtimeve. Po për këtë qëllim, kohëve të fundit kudo në botë, kur bëhen hulumtime të tilla angazhohen edhe specialist të vendeve të tjara, të cilët janë neutral, dhe nuk kanë pretendime historiko- politike, andaj edhe me këtë rast, e sidomos në Maqedoni e Serbi ka nevojë për ekspert të tillë, sepse në këto dy vende, megjithë pretendimet demokratike, politika ende ka dorë në hulumtime e realizime historike. Përndryshe, për hulumtimet në Kalanë e Tetovë, qeveria maqedone ka ndarë 40 milion denarë, shkruajnë mediat e ketushme.

Kthehen në Butrint Artemisa dhe Apollo

Sot mbërrijnë në Butrint dy statujat prej mermeri të Artemisës dhe Apollos që datojnë të shekullit të dytë të erës sonë. Statujat pa koka u gërmuan nga arkeologët në vitin 1958 dhe u vodhën në Butrint dhe Finiq më 1991. Artemisa dhe Apollo u zbuluan nga policia greke pranë Athinës nën zotërim të dy koleksionistëve privatë më 1997. Që pas gjetjes statujat kanë qëndruar në Muzeun e Pireut ku dhe u vërtetua se përkisnin në Butrint.
Kthimi i këtyre statujave në Shqipëri bëhet si pjesë e një fushate energjike të ndërmarë nga shteti grek për tu bërë presion muzeumeve të ndryshme botërore të kthejnë në Greqi qindra vepra të vjedhura të artit të lashtësisë.
Me kthimin e këtyre skulpturave Greqia po jep e para shembullin për Muzeun “Getty” në Kaliforni dhe “British Museum” në Londër të cilët midis tyre zotërojnë disa nga reliket më të vyera, të nxjerra nga Greqia ilegalisht. Muzeu i ri i Akropolit në Greqi, ka një pavion të lënë zbrazët enkas, në pritje të Statujave të Panteonit që aktualisht gjenden në Londër. “Me këtë lëvizje ne po nënvizojmë filozofinë tonë politike me shpresën se njerëzit në vendet e tjera do të ndjekin shembullin tonë.”, u shpreh ministri grek i kulturës Mihalis Liapis gjatë ceremonisë së dorëzimit të statujave javën e shkuar në Athinë.
Blendi Salaj
Foto: Louisa Gouliamaki / AFP

Ukshin Zajmi: Përfundoi manifestimi i XVII tradicional shumëkulutror “Flaka e Janarit 2008”
Shpërblimet i morën më të mirët
Manifestimi më jetëgjatë në Gjilan, i cili filloi në vitin 1992, e përjetoj peripeti të shumta ende po mbahet gjallë, por, që ka batudat e veta, herë në të mirë e herë që çojnë kah zbehja, dhe edicioni i tij i XVII-ti me radhë përfundoj me 31 janar 2008. Ky manifestim që në vete ngërthen katër segmente, ate të artit pamor, muzikor, dramatik e letrar, pos karakterit të bashkimit dhe këmbimit ndërkombëtar të artit, ka edhe karakter garues, sivjet u mbajt edhe në kuadër të vitit evropian të këmbimit kulturor, i pari i tillë ishte në Kosovë, por nuk iu dha ky karakter, ndërsa rastisja e 540 vjetori të vdekjës së Skënderbeut u përmend vetëm në një fjalë hyrëse, dëshmon se organiatoret e manifestimit nuk ecin me kohën dhe angazhohen vetëm aq sa për ta organizuar të njejtin.
Ndonëse ideologët e parë të manifestimit, madje në kohëra shumë më të vështira organizoheshin dhe vepronin shumë më mirë, tash hetohet një neglizhencë në këtë sferë.
Vlen të përmendet se, përzgjedhësit e dramave shqipe dhe të shoqërive kulturo-artistike, kanë përjetuar çaste jo të këndshme nëpër qytete të Kosovës nga pushteti i atëhershëm, duke shikuar shfaqje teatrale e programe kulturo-artistike, të cilat i selektonin për manifestim. E sot, nga neglizhenca e Bordit dhe e bartësve të tjerë organizativ, nuk dihen cilat shfaqje do të marrin pjesë deri në momentët e fundit, ndërsa teatrot pjesëmarrëse vijnë në program, duke mos marr me vete as një fletë të thjeshtë me emrat e aktorëve dhe të roleve të tyre.
Një gjë e tillë, duhet patjetër të tejkalohet, sepse tashmë nuk ka frikë nga askush për të bërë përzgjedhje adekuate. Në anën tjetër, nëse nuk ka mjete që përzgjedhëxit e sektorëve të këtij manifestimi të vizitojnë ekspozitat, shfaqjet dhe programet kulturo-artistike, ata kanë mundësi që të jenë në rrjedha të ngjarjeve duke përcjellu internetin. Ndërsa bodit i duhet, që tash, kur të bisedohet për rrjedhën e sivjeme të manifestimit, të përcaktojnë kuratorin e ekspozitës së arteve pamore, të zgjedhin përzgjedhësin e dramave, të shoqërive kulturo-artistike, kurse sektori letrar organizohet përmes konkursit. Pos kësaj, përderisa sektori dramatik, letrar e ai i artit pamor, kanë krijuar një strukturë përkatëse organizative, pjesa muzikore duhet të formon fizionominë e saj të qëndrueshme, e të kanalizohet në një apo dy segmente të saj dhe pjesëmarrësit e këtij segmenti të kenë një gjografi më të gjërë.
Si do që të jetë, në “Flakën e Janarit 2008” në sektorin e artit pamor ”Peneli i Flakës…” u shpërblyen: Ramadan Arifi duke iu blerë punimi për Galerinë, ndërsa Loreta Ukshini e Agron Mulliqi u shpërblyen për pikturë, Tafil Peci për grafikë, ndërsa çmimi special iu dha Gvozden Antiqit.
Në sferën e artit skenik “Talia e Flakës 2008”, në të cilën morën pjesë teatrot: Gjilani (Darka publike), Prizreni (Im at donte Adolfin), Tetova ( Duke pritur Sarën), Tirana (Kujtime nga Çajupi), Prishtina: Oda ( Qyteti po rritët), TK ( Nirvana) dhe Vlora (Vrasësit i lamë pas), më të mirët, sipas Jurisë në përbërje: Nebih Islami, Minela Borova, Emine Toska, Ylber Nuredini dhe Sadudin Prekazi, u shpallën: Çmimi special aktorës Oriana Cama-Tiranë, aktori më i mirë Astrit Mamaj-Vlorë, aktorja më e mirë Auritë Agushi- TK Prishtinë. Shfaqja më e mirë u shpall “Im atë donte Adolfin”-Prizren, ndërsa çmimi i festivalit iu dha Olsa Maze-s nga Tetova.
“Pena e Flakës 2008”, zgjodhi më të mirët në bazë të vendimit të Jurisë: Ramadan Musliu, Ismajl Syla dhe Xhevat Latifi, në mesin e 107 poezive dhe 31 tregimeve të arritura në konkurs. Në poezi, vendi i parë i takoj poezisë “Dita kur e çliruam Shkupin” të Sabit Rrustemit, i dyti poezisë Shkrpsa” të Zeqir Fazliut dhe vendi i tretë poezisë “Legjendat” të Hevzi Mustafës. Tregimi që zuri vendin e parë ishte “Shkallët” i Hevzi Mustafës, i dyti “Poeti peligrin” të Albina Idrizit, ndërsa me vendin e tretë u vlerësua tregimi :Lulja me sandale” i Avdush Canajt. E njejta juri, poezi më të mirë të lexuar në “Orën e madhe letrare” e vlerësoi ate të Aziz Mustafës “Liria, a është ëndërr”. Në këtë orë letrare lexuan: Besa Halimi, Demir Behluli, Njazi Ramadani, Alketë Spahiu, Ismajl Baftijari, Zeqir Fazliu, Avdush Canaj, Nexhat Rexha, Mustafë Xhemajli, Sinan Sadiku, Hysen Këqiku, Rrahim Sadiku, Tahir Dalipi, Ardianë Pajaziti, Aziz Mustafa, Haxhi Vokshi, Sarë Gjergji, Shqipe Hasani, Sabit Rrustemi, Miradije Ramiqi, Hydajet Hyseni, Sali Bashota dhe Ibrahim Kadriu.
Është vlerësuar se në katër segmentët e manifestimit shumëkulturor e ndërkombëtar “Flaka e Janarit 2008” në Gjilan, morën pjesë 900 krijues kulturor dhe manifestimin e përsollën mbi 10 mijë artdashës.
Vetëm këto të dhëna dëshmojnë se organizimi i këtij manifestimi kërkon çasje shumë më serioze si në sferën organizative ashtu edhe në ate finansiare, sepse manifestimi nis në janar, u kushtohet trimave shqiptarë të janarit, nisur nga Skënderbeu e këndej, dhe se artdashësit dhe krijuesit e artit, duhet respektuar në mënyrë më të denjë.
Në Gjilani filloi edicioni i XVII-të i manifestimit shumëkulturor“Flaka e Janarit 2008” Flakë që s’shuhet kurr
Në këtë manifestim shumëkulturor e mbarëkombëtar shpalosen vlera kulmore në fushë të artit të shkruar, pamor, muzikor dhe skenik.
Ukshin Zajmi
Manifestimi i sivjeme “Falaka e Janarit 2008” filloi me 17 janar, ndonëse një manifestim u mbajtë edhe me 11 janar, në kazermen e TMK-së “Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Në Akademinë solemne që u mbajt me këtë rast foli kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, pastaj Kryetari i Kuvedit të Kosovës Jakup Krasniqi, dhe Sabit Rrustemi në emër të nismëtarëve të këtij manifestimi që shumë shpejt u përkrah në të gjitha trojet shqiptare.
Me pastaj u hap ekspozita e arteve pamore, në të cilën u ekspozuan 72 punime të të gjitha zhanreve të këtij arti dhe me autorë nga të gjitha trojet, dhe u ndanë shpërblimet përkatëse, që u takuan: Ramadan Arifit, Agron Mulliqit, Gvozden Antiçit dhe Tafil Pecit.
Kësaj radhe do të përurohen dy botime historike e letrare, do të mbahet “Talia e Flakës 2008” në të cilën pritet te marrin pjesë teatro nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, dy koncerte të zhanreve të ndryshme muzikore dhe një orë letrare, me ç‘rast do të ndahen shpërblimet, si për punimin e lexuar në ën letrare ashtu edhe shpërblimet e konkursit tradicional letrar për tregim dhe poezi.
Ky manifestim përfundon me 31 janar.
Vlenë të theksohet se manifestime të tilla mbahen edhe në shumë mjedise tjera të trojeve shqiptare.

ZZëri i sopranos shqiptare, kësaj rradhe kumboi në Berlin

“Maria Stuart”, ishte opera e rradhës që do t´i shtohej repertorit të sopranos shqiptare, Ermonela Jaho. Oper kjo, që renditet ndër më të vështirat e kompozimeve klasike. Për të parën herë, kjo oper vjen në skenë nga një soprano kaq e re, 33 vjeçare, pasi deri më parë ishte interpretuar nga artiste me përvojë më të madhe skenike dhe moshë mbi 40 vjeçare. Kjo për faktin, që vështirësia e saj ka lidhje si me anën vokale, ashtu edhe me atë psikologjike. Një sfidë tjetër e rradhës kjo. Opera e Gaetano Donizzetit, përshkruan konfliktin për fron ndërmjet mbretëreshës së Skocisë, Maria Stuarta (Ermonela Jaho) dhe mbretëreshës Elisabeth të Anglisë (Katarina Karneus). Maria Stuart, e burgosura e mbretëreshës angleze, prezantohet në skenë, kryelartë. e bukur dhe krenare, deri në fund të jetës së saj, si e dënuara e Elizabethës. E tillë është dhe Ermonela: kryelartë, e bukur dhe krenare, jo vetëm në rolin kryesor të Marias, por edhe pas shfaqjes. Mes durtrokitjeve të parreshtura në sallë, publiku vazhdonte të qëndronte nën entuziazmin e pafund, duke pritur Ermonelën, që prezantonte para tij çdo pjesmarrës së shfaqjes, deri së fundi dhe dirigjentin e talentuar nga Parisi, Alain Altinoglu i cili drejtoi dorën nga Ermonela, për t´ju thënë të pranishmëve në sallë: “Gjithçka i dedikohet Ermonelës sonte”. Një sukses i merituar i sopranos sonë të talentuar, që nëse dikujt do t´i jepej rasti t´a ndiqte drejtpërsëdrejti në sallë, patjetër do t´i krijonte përshtypjen e të qënit i privilegjuar, ndërkohë që do mendonte që një artiste kaq e talentuar shqiptare, gëzon respektin dhe dhe admirimin e plotë të publikut të huaj. Dukej sikur kishte dhënë në atë shfaqje gjithë energjinë e saj, deri në fundin e shpirtit. Të tillë emocion di të japë vetëm Ermonela, që mundet jo vetëm të zotërojë rolin e saj, por edhe të përfshijë publikun në të njëjtën gjendje emocionale, që do t´a mbajë mbërthyer deri në fund të shfaqjes.Ndaj nuk është rastësi, që plani i saj për muajt e ardhshëm është mjaft i ngjeshur.Në muajt prill - maj, do të interpretojë rolin e Manon, në operën “Manon” të J. Massenet, (Francë). Në maj - qershor, rolin e Magdës, në operën “La Rondine” të G. Puccinit, (Trieste). Më pas operan “Carmen” në Mondovisione (Francë). Po në Francë, rolin e Semiramidës, në operan “Semiramida”, operan “Carmen”, në Angli, Skoci, operan “Madame Butterfly” në Detroit…etj etj.

Pritja që vret
Edlira Gjoni
“Mediat dhe Politika: Fabrikimi dhe imponimi i “mendimit kolektiv”- ishte titull shumë tërheqës. Nuk i bëje dot bisht me një sy. Publikuar nga lektori kosovar Gezim Mekuli në shkencat e mediave në Oslo, artikulli ishte himn për “shpëlarjen e trurit” që po i bëjnë mediat kosovarëve dhe dëshirës së tyre për pavarësi. Bëhet fjalë për vetë mediat kosovare dhe opinionin e kontrolluar që ato injektojnë në aspiruesit për mëvetësi. Gishti mbi plagë e çon autorin të deklarojë se “edhe pse Kosova vetëquhet shoqëri demokratike, nuk është e tepërt nëse thuhet se sot ajo i përngjan më tepër një sistemi propagandistik totalitar”.
Ideja mbështet në përkufizimet për monopolin në lajme e në media, që është mekanizmi kontrollues më efikas i mendimit dhe debatit të lirë. Sipas autorit, shumë prej intelektualëve kosovarë të mendimit kritik nuk lejohen që të marrin pjesë apo të ndikojnë në zhvillimin e debatit kritik dhe kjo e bën situatën më të ngjashme me një sistem totalitar, ku është shteti ai që vendosë se cili mendim, ide dhe opinion “duhet” të dominojë në media dhe hapësirën publike. Edhe nëse ky shkrim nuk ndeshet në burimet alternative të lajmeve mbi Kosovës, ngjarjet e fundit vetvetiu të çojnë të mendosh në të njëjtën linjë shqetësimi që ngrihet aty. Duke filluar që nga deklaratat e pafund për “përcaktimin e statusit final të Kosovës” është e pamundur të mos mendosh se ndikimi i tërthortë i UMNIKUT dhe ndërkombëtarëve është duke vepruar me qetësinë më të madhe për të shuar idetë e çartura për pavarësi. Pritja është shfarosësja më e mirë e urgjencës së mendimit; kurse shpallja e opinionit publik që “duhet” të dominojë në trurin e masës vazhdon të paravendoset e të thuhet publikisht nga kontrolluesit modernë të mendimit. Katalizator i tyre i vetëm janë interesat. Kombëtare, politike, mediatike, financiare apo të çfarëdo lloji qofshin, interesat janë duke bërë një shpëlarje të frikshme truri në opinion publik shqiptar.
Që prej Marsit të vitit 1999 Kosovarët vazhdojnë të presin e të ngopen me lugën bosh të ndërkombëtarëve që ende nuk po e gjejnë rrugën të mbulojnë arbitrimin e 1913-ës. Atëherë u deshën vetëm pak orë, e tashmë u dashkan vite, njerëz e miliona të tëra të kuptojmë se Kosova jo vetëm duhet të presë, por edhe duhet të fillojë të ndërgjegjësohet pak e nga pak se fatet e saj nuk janë ashtu siç imagjinojnë shqiptarët e saj. Shtyrja e pafund e marrjes së një vendimi është loja më acaruese që bëhet mbi ta. Detyrimi për të pritur zakonisht e kryen efektin e parashikuar. Falë tij, edhe ndikimi mbi alternativën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë ka filluar të jetë aq i fortë, sa frika ndaj pasojave të saj ka filluar të jetë në qendër të opinionit dominues që po përhapet ngadalë dhe në mënyrë konstante në Kosovë. Botërisht është e ditur se debatet publike dhe mediat respektojnë një “marrëveshje të panënshkruar” me politikat në fuqi dhe të pothuajse të gjitha pikëpamjet “e tjera” mbesin jashtë këtyre mediave. Të ketë reshtur vërtet brenda shtatë vjetëve pasioni kosovar për mëvetësinë deri në atë pikë sa çdo rekomandim për shtyrje të pranohet kaq i paqtë, kaq publikisht, të shpallet dhe mbrohet edhe nga vetë mediat brenda saj? Kosova i rezistoi mos-asimilimit serb sepse ndaj tyre përdorej dhuna (e cilitdo lloj). Kurse ndërkombëtarët e sotëm po e mbajnë dëshirën për pavarësi nën kontroll, dominim dhe pothuajse nënshtrim ndaj pritjes së pafund thjesht duke përdorur në mënyrë shumë ndikuese arsyetimin. Dhe bërjen publike të tij nëpërmjet vetë medieve kosovare. Ideologjia e përdorur nuk është shumë ndryshe nga ajo që ka pasur sukses në Gjermaninë e viteve ’30-të apo në Europën Lindore të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Siç shprehet Mekuli, “dominimi dhe kontrollimi i ideve bëhet “vetëm” për “të mirën” e popullit kosovar”; për të mirën e shtetit të ri që patjetër do ta krijojnë ndërkombëtarët. “Si jo?! Ja, durim, edhe nja 400 vjet të tjera, sa t’ju shkulet pak nga mendja kjo e bezdisura fjalë. Pavarësi! Po, po. Ja, për të mirën tuaj do ta mendojmë edhe një herë. Do ta bisedojmë. Patjetër do ta bisedojmë”-është refreni i përhershëm i ndërkombëtarëve.
Mungesa e transapencës dhe dominimi, çdo herë, paraqiten si diçka “e pa interes”, “humanitare dhe shpirtmirë”.
Mekanizmat kontrolluese nuk janë shumë të lehta për t’u dalluar me sy të lirë. Konsumuesit e mediave e kanë shumë të vështirë ta dallojnë atë. Madje, kur është i sofistikuar, mekanizmi të jep shpesh idenë e delirit ndaj asaj që krijon përshtypjen se të fal, duke të bërë gjoja pjesë aktive në debat edhe kur ai është përtej xhamit apo mbërritjes reale. Në Kosovë po përhapet i ngadaltë po aq sa edhe i sigurt mendimi kolektiv për shumë aspekte. Sipas autorit kosovar “Sistemi kontrollues i mendimit dhe debatit efektiv nuk është i hapur, por ai është shumë imponues dhe i cunguar”. Madje ai thotë se në lojë duket sikur janë futur edhe “opinion- bërësit” që përkrahin zvarritjet dhe shpallin analiza që i ngjajnë projektuesve institucionalë të shfarosjes së mendimit të pavarur. Furnizimi i shpeshtë me informacion të gatuar në zyrat e marrëdhënieve me shtypin në Kosovë dhe në ato që kanë të bëjnë më Kosovën, njëlloj si analoget e tyre po zbatojnë detyrën teksa ndërtojnë e të përpiqen të fabrikojnë “unitetin” në mendimin politik dhe “mendimin e masës”.
Fabrikimi i ideve kosovare sot nuk ka nevojë për dhunë fizike nga Serbia. Ai po arrihet shkëlqyeshëm nga shkenca e re e marrëdhënieve me publikun, nga pranimi i ideve dhe nënshtrimi pa filtër nga mediat. Idetë, mendimet dhe ndjenjat për ndryshim të japin përshtypjen sikur po arrijnë lodhjen nga frika e përcillen në fikje e sipër. Po cili është roli i vërtetë i mediave kosovare sot? Nën akuzat e të qenit vegël e ngadalësisë vrasëse të qëllimeve kosovare, a kanë ato të drejtë të përcaktojnë e para-shpallin të “vërtetën” politike dhe historike të shqiptarëve aty? A po kthehen ato në “fabrikuese të mendimit kolektiv?”. Përgjigjet për më sipër, më tepër se çfarëdo tjetër, cenojnë qëllimin për të cilin kosovarët kujtojnë se ekzistojnë. Zvarritja dhe shuarja e tij do të ishte prurja e vetme e rolit fabrikues, nëse mediat kosovare, ashtu siç ngre me të drejtë shqetësimin Mekuli, i janë nënshtruar vërtet një ndikimi të tillë.
( "Tirana Observer")

|