Albin Kurti: Jemi në përputhje me parimet e BE
17.01.2012 (komentet: 0)
Kurti theksoi se Vetëvendosje dhe shqiptarët që e mbështetin atë
kërkojnë respektimin e masave të reciprocitetit nga ana e Serbisë, duke
nënvizuar faktin se të gjitha vendet anëtare të familjes evropiane i
ndërtojnë marrëdhëniet përmes reciprocitetit.
“Ne nuk jemi kundër, por plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit
Evropian, thotë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, në një intervistë
për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, kundërshtimet që shtetet e Kuintit kanë shfaqur me rastin e
protestës së 14 janarit, kanë qenë të ndikuara nga Qeveria e Kosovës, e
cila, sipas Kurtit gjatë tërë kohës ka përmendur dhunën.
Lideri i Vetëvendosjes thekson se Kuvendi i Kosovës është institucioni i
rrezikuar dhe i cënuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak se kjo e fundit
nuk i përfill vendimet e tij.
Zoti Kurti, protesta e 14 janarit nuk përfundoi në formë paqësore. Ju
keni paralajmëruar edhe një protestë tjetër për datën 22 janar, ndërkohë
që kritikat në adresën tuaj po shtohen gjithnjë e më shumë për
mosrespektim të parimeve thelbësore të BE-së. Jeni kundër këtyre
parimeve?
ALBIN KURTI: Ne nuk jemi kundër parimeve të Bashkimit Evropian dhe
konsiderojmë se reciprociteti është parim dhe vlerë e Bashkimit
Evropian. Të gjitha shtetet anëtare në Bashkimin Evropian janë shtete,
të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre nëpërmjet reciprocitetit,
nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, nëpërmjet marrëveshjeve të shumta
bilaterale që i bëjnë. Dhe, kësisoj, pra, ne jemi plotësisht në
përputhje me parimet e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, protesta e 14 janarit, ishte protestë paqësore prej
fillimit e deri në fund. Ajo çfarë ishte e dhunshme më 14 janar,
ishte ndërhyrja dhe sulmi i Policisë së Kosovës, sipas urdhrave të
Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pesëshja diplomatike ka tërhequr vërejtjen se pasojat që do të ndodhin
nga protestat e këtilla do t’i bart Lëvizja Vetëvendosje. Jeni të
gatshëm për këtë lloj përballjeje me komunitetin ndërkombëtar?
ALBIN KURTI: Paraprakisht, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e hiqte
nga goja fjalën dhunë dhe mendoj që ata kanë ndikuar që deklarata e
Kuintit të jetë e tillë. Pra, Kuinti po e ndiqte perceptimin e Qeverisë
të Republikës së Kosovës. Por, pas 14 janarit, u dëshmua që, në fakt,
ata të cilët flisnin për dhunë, kishin edhe një plan të dhunshëm. Pra,
ishte Qeveria e Republikës së Kosovës ajo, e cila urdhrat politikë i
kishte mbi Policinë e Kosovës dhe kësisoj, në kundërshtim me ligjin në
Kosovë. Pra, urdhrat politikë mbi Policinë e Kosovës ishin vendosur
sipër ligjit në Kosovë, prandaj edhe nuk kishte në fakt kurrfarë zbatimi
të ligjit më 14 janar.
Besoj që u pa që pas protestës së 14 janarit, ambasadorët e Kuintit
filluan të flasin shumë më butë, sepse e panë që deklarata e tyre nuk i
ishte referuar realitetit, por perceptimit, të cilin dëshironte ta
krijonte Qeveria e Kosovës.
Megjithatë, kryeministri Thaçi, por edhe Policia e Kosovës, kanë thënë se dhuna ka filluar nga Vetëvendosja...
ALBIN KURTI: Nuk është e vërtetë. Ne jemi bllokuar në lirinë tonë të
lëvizjes në mënyrë të trefishtë atë ditë. Së pari, çdo pak kilometra,
anë e kënd Kosovës, e posaçërisht te rrugët që çojnë në Merdare dhe te
Dheu i Bardhë, kanë qenë postblloqe të shumta të policisë, të cilat kanë
kontrolluar dhe bastisur autobusët dhe automjetet e protestuesve
paqësorë, me ç’rast nuk e kanë gjetur madje as edhe një brisk dore dhe
asnjë mjet të fortë.
Kur kemi filluar me marshin tonë paqësor në drejtim të Merdares, 5
kilometra jashtë prej Merdares, larg prej kësaj pike kufitare, ne jemi
bllokuar nga kordoni i policisë dhe, paralelisht, edhe shqiptarët, që po
solidarizoheshin me ne dhe dëshironin ta mbështesnin këtë protestë
paqësore, nga Shqipëria e Maqedonia, u bllokuan në kufi. Mendoj se
bllokimi i lirisë së lëvizjes, i qarkullimit të lirë, ka ndodhur
pikërisht nga Qeveria e Kosovës, përmes urdhrave të saj politik mbi
Policinë e Kosovës. Paraprakisht, e dimë që Qeveria nuk e hiqte nga goja
fjalën dhunë. Ajo kishte strategji policore për dhunë. Bëhet fjalë,
pra, për një politikë policore të Qeverisë, e cila, për pasojë, edhe
policinë po e bën politike. Mendoj se të gjitha akuzat, ofendimet,
shpifjet, u dëshmuan si të pabaza. Posa na sulmoi Policia e Kosovës, më
14 janar, ne u ulëm në asfalt, në rrugë dhe ata vazhduan me sulmin e
tyre. Mendoj se i gjithë opinioni publik, jo vetëm i Kosovës, e ka parë
se kush kishte plan për dhunë dhe kush ushtroi dhunë më 14 janar.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “askush nuk ka të
drejtë të përdorë të drejtën e protestës, për të vënë në rrezik
funksionimin normal të institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës”.
Bllokimin e kufirit a e shihni si rrezikim të institucionit?
ALBIN KURTI: Institucioni që është rrezikuar dhe, madje, është cenuar në
Republikën e Kosovës, është organi më i lartë përfaqësues, legjislativ
dhe politik i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i
cili me datën 7 dhjetor (vitin e kaluar) e mori vendimin për
reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë - një
vendim ky që nga Qeveria e Kosovës u shpërfill.
Kryeministri aktual pati deklaruar se vendimi i Kuvendit të Republikës
së Kosovës është një opinion apo një mendim i Kuvendit. Por, Kuvendi nuk
jep mendime. Kuvendi sjell vendime, të cilat Qeveria e Republikës së
Kosovë duhet t’i zbatojë dhe ato vendime janë të obligueshme.
Pra, është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ta kuptojë
që Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe nuk do të
lejojmë që ajo të degradojë në republikë qeveritare. Sepse, asisoj,
shteti i pavarur i Kosovës do të përfundojë me një qeveri diktatoriale,
pa republikë. Dhe, së fundmi, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të
mësohet që protesta paqësore e qytetarëve të Kosovës është e drejtë
universale, është e ligjshme dhe është vlerë demokratike.
Por, a mendoni se duhet një parti politike ta marrë rolin e asaj çfarë
duhet ta kryejnë institucionet? Vërtet, mendoni se janë shterur të
gjitha mundësitë?
ALBIN KURTI: Ne nuk mund ta marrim rolin e institucioneve. Por, ne kemi
bërë protestë paqësore, pikërisht për shkak se janë shkelur
institucionet. Ka pasur reciprocitet me Serbinë me datën 14 janar aq sa
kishte protestë. Dhe, këtë reciprocitet po e zbatonte Policia e
Republikës së Kosovës, e cila ndodhej atë ditë në afërsi të pikave
kufitare te Dheu i Bardhë dhe Merdare, duke mos lejuar automjetet dhe
kamionët që vinin nga Serbia. Është e drejtë e jona që ta zbatojmë këtë
reciprocitet, e qe besa, është edhe interes i yni. Protesta jonë nuk ka
qenë vetëm në mbrojtje të republikës, nuk ka qenë vetëm kundër Serbisë,
por ka qenë edhe për prodhimin vendor. Jam i bindur që nuk ka pasur
kurrfarë provokimi nga ana jonë, por ka pasur vetëm sulme nga ana e
Qeverisë mbi neve, së pari deklarativisht, e mandej edhe fizikisht.
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Ai
pret që të zbatohet nga Qeveria, e cila e ka përgjegjësi një gjë të
tillë.
Zoti Kurti, cilat janë format që ju keni shfrytëzuar deri më tani për të nxitur zbatimin e mocionit të Kuvendit të Kosovës?
ALBIN KURTI: Janë bërë 41 ditë prej se është miratuar vendimi në
Kuvendin e Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë dhe janë bërë 41
ditë, prej se shkelet për çdo ditë ky vendim. Ne këtë e kemi thënë për
çdo ditë në diskutime, debate, në parlament, jashtë tij, në media, në
tubime me qytetarë. Madje, i patëm dhënë afat Qeverisë që deri më 1
janar t’i bëjë përgatitjet e duhura për ta zbatuar këtë reciprocitet.
Mirëpo, duhet ta keni parasysh se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk
thoshte “nuk mund ta zbatojë reciprocitetin”. Por, na shpërfillte duke
thënë që ai është vetëm një opinion.
Pra, ata kanë treguar që nuk kanë interes, as ndërgjegje dhe as vullnet
për ta zbatuar një vendim të tillë. Pra, ka rebelim të Qeverisë së
Kosovës ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke u sjellë në këtë
mënyrë rebele, Qeveria e Republikës së Kosovës po e degradon republikën
tonë parlamentare.
Në anën tjetër, duke përzgjedhur Qeveria se cilin vendim, qëndrim apo
ligj të Kuvendit ta zbatojë e cilin jo, po sillet në mënyrë arbitrare
dhe po prodhon anarki. Ne jemi kundër kësaj. Ne jemi për rregull,
ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe jemi që republika jonë parlamentare,
ashtu siç e ka emrin dhe përmbajtjen, të jetë edhe në realitetin e
përditshme të jetës politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike në
Kosovë.
Pra, Kuvendi i Republikës së Kosovës, është organi më i lartë politik,
përfaqësues dhe legjislativ. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta
mësojë këtë dhe ta respektojë.
Çfarë tutje?
ALBIN KURTI: Shpresojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka kuptuar
që nuk mund të vazhdojë me mënyrën e vjetër të qeverisjes, përkatësisht,
keq-qeverisjes në Kosovë dhe rrjedhimisht do të fillojë me zbatimin e
reciprocitetit të plotë, ashtu siç e thotë vendimi i Kuvendit të
Republikës së Kosovës. Me atë rast, natyrisht që edhe protesta e 22
janarit, e paralajmëruar nga ne, nuk do të mbahet. Përndryshe, neve nuk
na mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojmë me protestat tona paqësore dhe,
natyrisht, edhe me mjetet institucionale në sistemin shtetëror të
Kosovës, në mënyrë që t’ia kthejmë dinjitetin Kuvendit të Kosovës, ta
mbrojmë shtetin prej pushtetit.
REL




Shto koment