Home: Fillimi i faqës
Aktuale: Informata aktuale rreth botes dhe vendit
Bota: Informata Rreth botes
Rajoni: Informata rreth rajonit
Vendi: Informata rreth vendit
Anti censura
Diplomacia
Pr & retorika
Ide & opinione
Kulture
Shkenca
Personalitete
Shkenca
Impresum
Askush s'i njef shqiptarët më mirë se MekuliPress
 

IDE & OPINION

(Ri)integrimet tregtare dhe ekonomike të Kosovës: ku, si dhe kur?

Isa Mulaj
Hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Transicioni i shoqëruar me shpërbërjën e ish-Jugosllavisë rezultoj me hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike divergjente nga shtetet e reja. Tregu i përbashkët Jugosllav ishte çintegruar dhe në vend të tij u shfaqen shumë pengesa në shkëmbimet tregatare. Nga një ekonomi që për dy dekada deri në fillim të viteve ’80-ta kishte pasur bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, gjatë transicionit për në ekonominë e tregut në kuptimin e plotë (ish-Jugosllavia ka qenë ekonomi gjysmë e tregut) shtetet e reja, me përjashtim të Sllovenisë, ende kanë deficit të lartë tregtar.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Kosovës gjithmonë ka qenë shumë më i vogël se importi. Në vitin 1987, afër 2/3 e bruto prodhimit material (kështu quhej atëherë) të Kosovës ishte tregtuar në tregun lokal dhe më pak se 1/4 në njësitë tjera federative të ish-Jugosllavisë. Vetëm 12% e tregtisë së përgjithshme llogaritej si eksport në shtetet e jashtme ose mbulesë e importit me eksport. Nëse kësaj i shtohet edhe eksporti brenda ish-Jugosllavisë, eksporti i Kosovës ka qenë ndërmjet 35% dhe 36% e importit të përgjithshëm. Dy dekada me vonë ose në fund të vitit 2007, ky tregues siç e raporton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është vetëm 6,4%. Kjo mbulesë tejet e vogël duket si përmirësim nga vitet paraprake kur kishte qenë 5,7% më 2006 dhe 4,1% më 2005. 

Eksporti në strukturë ose raport ndaj importit ka arritur diçka më shumë se gjysma e asaj që ishte më 1987. Mirëpo, këtu tani përfshihet edhe eksporti në shtetet e pavarura që dolën nga ish-Jugoslavia që në të kaluarën llogaritej si tregti e brendhshme. Në vëllimin e përgjithshëm të eksportit gjatë vitit 2007 në vlerë prej 96.420.000 euro, katër vende të ish-Jugosllavisë (Maqedonia, Serbia, Bosna dhe Hercegovina, dhe Sllovenia) marrin pjesë me rreth 35%, që nuk përfshinë edhe pjesëmarrjen shumë të vogël të dy shteteve tjera (Kroacisë dhe Malit të Zi). Eksporti i Kosovës në vendet e ish-Jugosllavisë duket me strukturë më të përmirësuar, por në raport me importin prej të njëjtave vende shumë më i disfavorshëm ose deficit tregtar më të përkeqësuar. Deri në 40% e importit vie nga këto shtete. Vetëm Maqedonia dhe Serbia përfaqësojnë mbi 30% e importit të përgjithshëm të raportuar në Kosovë. Eksporti për në Serbi ka rënë ndërsa importi është shtuar dukshëm nga viti 2006 në vitin 2007. Një partner i rëndësishëm në shkëmbimet tregtare të Kosovës tani është Shqipëria, kryesisht vetëm në eksport. Eksporti i Kosovës në Shqipëri për vitin 2007 përfaqësonte 15,3% e vlerës së përgjithshme dhe kjo është paraqitur si rritje nga viti paraprak si në vlera absolute ashtu edhe në përqindje. Me këtë pjesëmarrje (15,3%) Shqipëria paraqitet si vendi kryesor menjëherë pas Maqedonisë (15,7%) ku Kosova eskporton.

Këta tregues sugjerojnë se Kosova është duke bërë një lloj integrimi tregtar dhe ekonomik sikur në të kaluarën të cilit i shtohet edhe Shqipëria. Kostoja e këtij (ri)integrimi duket më e lartë dhe me pengesa të shumta. Levizshmëria e mallrave dhe e njerëzve nga Kosova është kufizuar në shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, e mos të flasim për në disa shtete të Bashkësisë Europiane (BE) që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë. Është indoktrinuese fushata me parullat “E tash Europa; Eja në Europë” që është duke u zhvilluar nepër disa qytete dhe fshatra të Kosovës në kohën kur enklavizimi ekonomik në baza etnike është intensifikuar në terren. Kosova nuk është e integruar brenda vetevtes e disa na shpifin se e ardhmja e saj është integrimi në BE. Një grup tjetër na shpifin për gjoja vlerat kulturore të BE-së si element kryesor i arsyeshmërisë për integrim, duke harruar se moto e BE-së është “të bashkuar në diversitet”. Autorët dhe aktorët e parullave “E tash Europa; Eja në Europë” janë të ngjashëm me ata që na i promovonin dogmat e vëllazërim-bashkimit. Disa shqiptarë ende vazhdonin me parullat e vëllazërim-bashkimit në kohën kur disa njësi federative shikonin si të zhvilloheshin me tepër, e pse jo edhe të shkëputeshin nga ish-Jugosllavia (kujto pranverën kroate më 1971, demostratat e studentëve në Kosovë më 1981, dhe përgatitjet e Sllovenisë për pavarësi në fund të viteve 80-ta).

Parulla “E tash Europa..” është joreale. Cila Europë? Nga ajo që u përshkrua më lartë kjo duket të jetë ish-Jugosllavia dhe Shqipëria dhe shtetet përreth si Greqia, Bullgaria, dhe Rumania. Nëse mendohet në anëtarët tjerë të BE-së ose shtetet përendimore, atëherë nuk ka nevojë të na thuhet “Eja në Europë”. Vetëm le t’i hap dyert dhe brenda një periudhe njëmujore së paku 1/4 e popullsisë shumicë të Kosovës do të jetë atje. Para se ta bëjnë këtë, do të ishte mirë që ato shtete të mos na torturojnë tej mase për viza kur garancionet janë zyrtare, e sidomos një shtet anëtar i BE-së me të cilin para 20 viteve ishim në një shtet të përbashkët dhe kishim të njëjtat pasaporta. Çfarë kuptimi ka tash parulla “Eja në Europë” në rrethanat aktuale të Kosovës?  

Autorët, aktorët dhe sponzorët e parullës “E tash Europa...” ose e nënvlerësojnë seriozisht situatën në terren, ose janë duke synuar t’ua mbyllin sytë njerëzve përballë realitetit. Ata ndoshta nuk e njohin sa duhet historinë e BE-së. Sa për informim të shkurtë, ajo që sot njihet si BE është themeluar në vitin 1957 dhe për 35 vite në vijim quhej Bashkësia Ekonomike Europiane (BEE). Ka qenë ekonomia dhe vetëm ekonomia forca shtytëse e integrimit Europian. BE-ja është themeluar më 1993 me traktatin e Mastrihtit të nënshkruar më 1992 për ta ushtruar dhe zgjeruar veprimtarinë e saj në këto tri shtylla: 1) Bashkësia Europiane; 2) Politika e jashtme dhe siguria e përbashkët; dhe 3) Bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe gjyqësorit në çështjet kriminale. Shtylla e parë merret me politikat ekonomike, sociale dhe të mjedisit.  Kjo duhet të na interesoj më së shumti, e jo parulla “Eja në Europë”. Vetëm ekonomistët nuk e kuptojnë si duhet se ekonomia dhe ndikimi i saj është politika më e madhe dhe më e mençur. Si të integrohemi ne në BE kur ekonominë tonë me qëllim e kemi lënë krejtësisht pas dore? Të gjitha qeverive të Kosovës që nga pas lufta e fundit kanë mundur t’iu interesojnë lloj-lloj dogmash për BE-në por në aspektin ekonomik kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë çintegrimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për banorët shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës me përjashtim të deklaratave të thata si strukturat paralele, esktremistët serbë, Beogradi, etj. Për dallim nga qeveritë tona, qeveria e Serbisë është marr dhe vazhdon të merret me spastrim ekonomik dhe etnik në atë pjesë duke i blerë pronat e shqiptarëve dhe duke i detyruar ata të shpërngulen më në brendi të Kosovës. Me vetë faktin se qeveritë e Kosovës nuk kanë ndërmarrë me kohë asgjë në aspektin ekonomik për ata që u shpërngulën nga atje dhe i shitën pronat, janë përgjegjëse për spastrimin etnik të atij rajoni po aq sa edhe vet serbët dhe Serbia. Nuk po i përmendim këtu edhe planet për kolonizimin e pjesëve tjera të Kosovës që do t’ia ngushtojë popullsisë shumicë hapësirën e veprimit në terren sikur me rastin e eksperimentit të miut në kafaz. Qeveritë e Kosovës shumë rrallë i kanë inkurajuar shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe atë vetëm me fjalë, që të mos i shesin pronat por të qëndrojnë atje pa përkrahje dhe mbrojtje institucionale, pa punë dhe pa mjete për ekzistencë. Në anën tjetër, qeverive të Kosovës i kanë tepruar qindra miliona euro nga buxheti si suficit, për çka janë kritikuar shumë herë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për planifikimin dhe qeverisje të dobët të buxhetit.

BE-ja i ofron përkrahje, lehtësira dhe i bënë presion Serbisë që të ofrohet për anëtarësim në BE dhe Serbia tregohet e rezervuar. Kosova dëshiron të anëtarsohet në BE ndërsa BE-ja nuk e pranon. Ndoshta edhe ne duhet të jemi pak refuzues sikur Serbia që BE-ja të na lusë për anëtarësim! Në rast se BE-ja reagon ndryshe ndaj neve në krahasim me Serbinë ose në disfavor tonin, atëherë ne mund ta akuzojmë se zbaton standarde të dyfishta! Kështu në vend të fushatës “E tash Europa; Eja në Europë” duhet ta zhvillojmë fushatën “E tash Mitrovica, Parteshi, Brezovica..; Eja në Mitrovicë, Partesh, Brezovicë...” ose “E tash rreziku i çintegrimit ekonomik të Kosovës.” Fushata e tanishme “E tash Europa” është vetëm dëshirë. Parulla e mëhershme “Bac, u kry!” po ashtu ishte dëshirë. Derisa qasja të jetë e orientuar vetëm në dëshira, nuk ka kurrfarë integrimi as në BE e as diku tjetër. Një fjalë latine thotë: radix malorum est cupiditas – rrënja e të këqijave është dëshira.

Nimic: Propozimi i ri eshte Maqedonia Veriore


Propozimi i ri që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, iu ka parashtruar përfaqësuesve të Maqedonisë dhe të Greqisë për të kapërcyer mosmarrëveshjen për emrin, është "Maqedonia Veriore", shkruan sot gazeta javore greke "Vima tis Kiriakis".
Duke iu referuar burimeve të Kombeve të Bashkuara, gazeta shkruan se ende nuk dihet nëse propozimi parashikon një emër të vetëm, për të cilin ngul këmbë Athina, apo për një emër i cili do të përdoret vetëm në marrëdhëniet dypalëshe.
"Vima tis Kiriakis" citon edhe deklarata të përfaqësuesve diplomatikë në Athinë, të cilët theksojnë se ky emër mund të jetë pikënisje për negociata vetëm nëse "Maqedonia Veriore" do të jetë emri i vetëm i shtetit.
Sipas gazetës, tani pritet që Uashingtoni të kërkojë nga Athina që të ketë "edhe vetëm një raund të fundit bisedimesh" për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin dhe Maqedonia të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.
"Ky mesazh do t'i dorëzohet ministres greke të Punëve të Jashtme Dora Bakojani nga sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, në takimin e së martës, në Berlin", shkruan "Vima tis Kiriakis".

Në Shqipëri plazhe të pastra

Marcus Tanner (marre nga Shekulli)

Kurrë nuk e kisha menduar të shkoja në Shqipëri. Kush do ta bënte pas shkrimeve jo shumë pozitive të Paul Theroux. Ideja ime ishte vetëm një javë me diell në Korfuz. Por Korfuzi nuk është se më ngjiti shumë, kushtu pas dy ditësh dola nga hoteli dhe u nisa për në port.

Në zyrën e parë lexova mbi xham “Bileta për në Shqipëri”, dhe meqenëse personi brenda mu duk tërheqës, kurioziteti më shtyu të futem brenda. Kur është trageti tjetër për Shqipëri? “Për pak minuta në orën 9 fiks”. “Ka tre tragete në ditë!” Sa i gjatë është udhëtimi? “25 minuta”. Fakti që bileta ishte vetëm 25 dollarë më shtyu më tepër të nisesha.

Kalova ujërat e qeta për në Sarandë, duke shijuar i vetëm udhëtimin dhe pamjen përballë. Unë dija që kishte një qytet të vjetër romak afër Sarandës, por sdija asgjë për qytetin. A do të kishte hotele, ujë të rrjedhshëm, drita – një menu në restorante që unë mund ta kuptoja?

Të gjitha këto shqetësime u zhdukën sapo trageti u fut në gjirin e mahnitshëm të Sarandës. Qyteti shtrihej në një hark rreth detit Jon, me një pamje të mrekullueshme.

Mungesa e industrializimit e bën një vend të pastër pa tym. Zbrita nga trageti pa u shqetësuaer dhe pa folur me askënd; të rinjtë e qytetit dukeshin aty në një qoshkë, duke vështruar me vëmendje të huajt që zbarkonin nga deti.

Të gjeje pjesëza për tu argëtuar nuk ishte e vështirë. Në vitet e fundit shumë ndërtesa po ngriheshin dhe qyteti dukej si kantier ndërtimi. Fshatrat ishin të braktisur pasi njerëzit punonin në Greqi, Itali Britani dhe në gjithë botën. Kursimet e tyre jo rrallë ktheheshin në Shqipëri dhe këtë e tregojnë ndërtimet që po bëhen me shpejtësi.

Hotelet ishin radhë, hotel, hotel, hotel, disa me emra të çuditshëm – me emra të qyteteve amerikanë (Chicago, New York), destinacione shpirtërore (Parajsa, Heaven) ose emra historikë të vjetër. Unë zgjodha hotelin që mbante emrin e vajzës së Musolinit, Eda, meqënse ishte i pari i cili mu duk me pamjen më të mirë nga deti. Ishte me dhoma dyshe të pastra dhe ballkone të gjithë nga ana e detit. Çmimet ishin sa gjysma e hotelit të Korfuzit i cili kishte si pamje disa kazanë plehrash.

Përvec hoteleve të panumërta, restorante pa fund shërbenin peshk të freskët, mish, supa, pasta, etj. Qyteti i Sarandës kishte pak detaje historike për të shikuar. Kështu ditën tjetër, unë gjeta një taksi dhe udhëtova 12 milje në jug për të vizituar Butrintin. Ky udhëtim më kushtoi 20 dollarë në total.

Një rrugë e bukur që në krye kishte në pah qiellin blu. Atje, ku qielli shtrihej përkrah detit dhe maleve, puqej me detin dhe rrëzë tij shtrihej qyteti i Butrnintit, një qytet madhështor që nga koha e Greqise dhe Romës së lashtë. Menaxhimi shtetëror, me një përkrahje të Fondacionit të Butrnintit mbështetur nga qeveria Angleze, ishte në kushte të mrekullueshme në kontrast me shumë vende të tjera arkeologjike në Ballkan, që janë abondonuar që prej rënies së komunizmit. Shumë vende të tilla kanë rënë preh e gjuetarve të skulpturave dhe të veprave historike. E lashë Shqipërinë për t’u kthyer sërish, me një qëllim të pushimeve të mrekullueshme. Kurrë nuk kisha parë një qytet antik si Gjirokastra, një orë larg Sarandës, dhe do të kisha dashur të qendroja në Livia, duke ecur përgjatë fshatrave që shtriheshin në kodra, disa prej tyre me popullsi minoritare ortodokse greke, disa myslimane që i shihja në horizont.

Një arsye tjetër që më bën që të kthehem pas është sepse shqiptarët janë një popull i dashur me vizitorët. Pas vitesh izolim ata kanë hapur dyert dhe kanë një mikpritje të mrekullueshme për të hua

Paradokset e investimeve në qendrën e kryeqendrës së Kosovës


Isa Mulaj, hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq
-Thomas Jefferson-

Sheshet janë pjesë e infrastrukturës së qyteteve. Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, me përjashtim të disa hapësirave të vogla rreth ndërtesave shoqërore, i ka munguar shumë një shesh i mirëfilltë dhe i rregulluar. Qytetarët në përgjithësi e kishin mirëpritur vendimin e kuvendit komunal (KK) të Prishtinës për mbylljen e qarkullimit të automjeteve në një pjesë të rrugës Nënë Tereza dhe shndërrimin e saj në shesh, pa marrë parasysh se me këtë projekt do të ngarkohej qarkullimi në rrugët tjera të kryeqytetit ende pa i gjetur alternativat e lehtësimit të tollovisë në komunikacion. Projektin po e përkrahte edhe Programi i Kombeve të Bashkura për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Kur u arrit marrëveshja ndërmjet KK të Prishtinës dhe kontraktorit për fillimin e punimeve, kishte vërejtje pak rreth aspektit urbanistik të sheshit në raport me qytetin, e më shumë nga partitë politike opozitare rreth asyeshmërisë ekonomike të këtij projekti në vlerë prej 2 milionë eruo që po zbatohej para zgjedhjeve politike të 17 nëntorit 2007. Nuk kanë qenë të pakta as akuzat nga mediat dhe qytetarët. Jo shumë larg nga ai vend që KK do ta shtronte me pllaka graniti, era nga mbeturinat dhe kanalizimi i dobët i qytetit ende ta zinin frymën. Si do që të jetë, ajo pjesë e rrugës Nënë Terza u mbyll për qarkullim, punë filluan, dhe tani vetëm mund të thoshim ishte: “për hajr na qoftë.” Ekskavatori po gërmonte asfaltin që ishte përuruar si i ri pas luftës në Kosovë, ose 4-5 vite më parë. Asfalti e kishte pasur fatin e “mbijetesës” më të gjatë se rrethojat metalike që ishin vënë para ndërtesës së ish-kometitetit ku ndodheshin zyret e partive kryesore politike, dhe tash Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente. Nuk dihet nëse ato rrethoja të çmontuara janë përdorur për qëllime të ngjashme diku tjetër.

Gjatë gërmimit të asfaltit dhe punëve shoqëruese u dëmtuan edhe disa drunjë në trotuar që ishin rritur për dekada, e që më vonë do të zëvëndësohen me fidane. Do t’u vie radha edhe shkatërrimit të pengesave anësore në trotuar të ngitura si shtylla apo tuba metalike me gjatësi pak më të shkurtë se një metër. Vënia e këtyre pengesave ishte bërë në kohën kur u asfaltua rruga Nënë Terezë dhe konsiderohej si investim i duhur. Kishte punë për to duke filluar nga matjet e largësisë ndërmjet tyre, shpuarjen e vrimave me kompresor në asfaltin e trotuarit dhe përforcimi me beton. Numri më i madh i tyre në rrugën Nënë Tereza ishte vendosur  përgjatë hotelit Iliria, ish-shtëpisë së mallrave Gërmia, pranë përmendores së Skënderbeut, vazhdonte kah ndërtesa e Kuvendit të Kosovës për të dalë në rrugën Agim Ramadani. Një vend ndalje (stacion) për autobus ishte ndërtuar pak më poshtë ish-Gërmisë. Në fakt ai ka ekzistuar edhe para luftës por, nga struktura tërësisht metalike qe kishte filluar të ndryshket, u zëvëndësua me objekt bashkëkohor prej xhami të trashë të përforcuar me shufra të çelikta. Ulëset poashtu ishin të çelikta. Si rezulat i projektit të ri për sheshin, ai objekt do të çmontohet në tërësi sepse tani ishte i panevojshëm. Modeli i tij është prezent në rrugët tjera të qytetit siç janë edhe pengesat anësore si hunjë, të dyja këto investime të pasluftës. Heqjen e pengesave anësore në pjesën që do të shtrohej me granit gjatë fazës së parë të zbatimit të projektit, do ta bëjë ekskavatori duke i thyer ato. Metali i mbetur nën asflat do të përfundojë si mbeturinë në rimorkion e kamionëve trapsortues, ndërsa shtyllat metalike mbi asfalt si mebturinë për riciklim jashtë Kosovës – eksport. Sipas statistikave zyrtare, eksporti i përgjithshëm i mallrave nga Kosova në muajin dhejtor 2007 mbulonte vetëm 8,8 përqind të importit të përgjithshëm. Në strukturën e eksportit të vogël prej 13.1750.000 euro dominonin mbeturinat e metalit me 66 përqind dhe kjo pjesëmarrje ishte rritje nga e njëjta periudhë e vitit paraprak kur kishte qenë 50.2 përqind. Një arsye pse mbeturinat e metalit kanë pjesëmarrje kaq të lartë në struturën e eksportit është edhe kjo: investimet në mjete që kanë përdorim të kufizuar ose për një qëllim (ang. asset specificity) dhe nuk mund të shfrytëzohen më tej përveç si mbeturina. Ato mjete ose ai mall sillet në Kosovë në gjendje të mirë, vihet në funksion dhe pas një kohe të shkurtë përfundon si mbeturinë metalike për eksport. Blej shtenjtë e shit lirë. Edhe ky është ligj i tregtisë që ia hedh poshtë pohimin Benxhamin Franklinit se “asnjë vend nuk është rrënuar nga tregtia.”

Kur asfalti ishte në fazën përfundimtare të zhbërjes dhe largimit, tek atëherë KK i ra ndërmend se para fillimit të vënies së pllakave të granitit është e domosdoshme të rregullohen edhe rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit. Ishte kjo një ndërhyerje e rastësishtme vetëm pasi u konstatua problemi gjatë punës, për të cilin nuk ishte menduar në fillim. Pasi u rregullua edhe kjo dhe u përgatit terreni, erdhi momenti i vënies së pllakës së parë nga prefekti i bashkisë së Prishtinës Ismet Beqiri. Ndërmarrja që po i kryente punimet vuri të tjerat njëra pas tjetrës dhe për një kohë të shkurtë 200 metra gjatësi të rrugës Nënë Terezë i bëri me granit kinez 5 centimetra të trashë.  

Sheshet i mbjetojnë edhe luftërave me dekada dhe shekuj – në Kosovë as një vit në kohë paqeje

Nepër shumë qytete të botës gjinden sheshe të ndërtuara në shekujt e kaluar, por edhe më herët. Me gjasë, në asnjë prej tyre, në çfarëdo rrethane nuk ka pasur nevojë për riinvestim (duke përjashtuar mirëmbajtjen e rregullt) të shpeshtë sikur që do të ketë nevojë sheshi i posa ndërtuar në qendër të Prishtinës. Kjo filloj të vërtetohet jo më larg se një muaj pas lëshimit të sheshit në përdorim. Pllakat e para të granitit filluan të thehen tri javë pas përfundimit të punimeve. Punëkryesi kishte dhënë dhjetë vite ganancion për qëndrueshmërinë e tyre. Fillimisht dukej se thyrjet ishin rastësi dhe nuk do të përhapen. Prefekti Beqiri bile nuk e përjashtoj mundësinë se në dëmtimin e tyre kishte dorë faktori njeri. E vërtetë.  Dhe ajo ishte dora e kontraktorit që ai ia kishte besuar kryerjen e punëve. Prefekti i tanishëm i Prishtinës gjatë dimrit që kaloj e deklaroj mundësinë e dënimit të punëkryesit. Punëkryesi në anën tjetër do të përgjigjet me premtimin për zëvendësimin e pllakave të dëmtuara dikur në pranverë, ose kur të përmirësohen kushtet atmosferike. Tash po hyjmë në stinën e verës, dhe deri në mometin kur po shkruajmë, e që është një periudhë jo më shumë së 6 muaj kur kanë përfunduar punimet, në bazë të vështrimit që mund t’i bëhet sheshit duke kaluar nëpër të, mund të supozohet se së paku 10 përqind e pllakave janë dëmtuar, disa më pak e disa më shumë. Duket se as KK i Prishtinës dhe as punëkryesi nuk e kishin pa të arsyeshme të fillojnë me zëvëndësimin e pllakave në pranverë kur e kanë vërejtur dinamikën e thyerjes, nga frika se riparimi i dëmëve mund të jetë proces që nuk i dihet fundi. Shumë qytetarë spekulojnë, e besa mund të kenë të drejtë, se thyrja e pllakave do të intensifikohet kur të vie një acar më i madh gjatë dimrit, me çka do të rritet vëllimi i punëve riparuese. Shtohet pyetja: pse ndodhi dhe vazhdon theyrja e pllakave?

Mjafton të jesh qytetar i thjeshtë e jo arkitekt ose inxhinier i ndërtimtarisë për ta gjetur fajin e thyerjes së pllakave. Ato ishin thyer dhe vazhdojnë të thehen për shkak se largësia ndërmjet tyre është e ndryshme; diku kanë hapësirë më të madhe, e diku janë të puthitura ose fërkuara ndërmjet vete. Theyrjet e para kishin ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në pllakat me pozitë si në në rastin e dytë. Zëvëndësimi i tyre me pllaka të reja do të jetë një punë e mundimshme pasi ato janë të shpërndara në vende të ndryshme dhe, ekziston rreziku i dëmtimit të pllakave tjera gjatë nxjerrjes së atyre të dëmtuara për shkak të mungesës së largësisë normale. Poashtu, zëvëndësimi i pllakave me dimenzione të njëjta në hapësirat ekzistuese nuk e përjashton rrezikun se edhe këto do të thehen. Për ta evituar ose minimizuar këtë rrezik, punëkryesi i ka dy alternativa: E para, krijimi i hapësirave normale ndërmjet pllakave, që duket shumë e pamundur pa i lëvizur të gjitha pllakat nga brendia deri në çdo fillim dhe fund të skajeve të sheshit; dhe e dyta, zogëlimi i dimensioneve të pllakave të reja zëvendësuese duke i prerë skajet e tyre, e që duket një alternativë me punë të mundimshme.

Krahas shfaqjeve të pllakave të thyera, u dhanë njoftimet se, në bazë të analizave dhe matjeve që janë bërë, radioaktiviteti/rrezatimi i granitit të shtruar kinez ishte më i lartë se që është e lejuar. Ekspertët megjithatë paralajmëruan se rrezatimi i tillë në ambient të hapur nuk është rrezik për shëndetin e qytetarëve që kalojnë nepër atë shesh. Ata më tutje i qetësuan qytetarët duke thënë se rrezatimi i sheshit është nën ndikimin e erës dhe lëvizjeve të ajrit, kështu që nuk paraqet rrezik kushedi sa. Bëhej fjalë për kalimtarët dhe ata që shëtisin nëpër shesh, e jo për ata që jetojnë në blloqet e ndërtesave dhe dyqannxhinjët përgjatë sheshit që janë nën ndikim të përhershëm të rrezatimit. Rrezatimi nuk është iperit që ta tregoj efektin e tij brenda sekondave. Efektet e tij mund të vërehet pas shumë viteve dhe mund të kenë pasoja edhe tek pasardhësit.       

Tregimi për të metat e sheshit nuk mbaron me thyrjen e pllakave dhe rrezatimit përtej normales së lejuar. Kur bie shi, pluhuri dhe mbeturinat e imëta rrjedhin në shesh nga tri rrugica duke i transformuar ato në baltë. Dy rrugicat janë ato që ndahen nga rruga Agim Ramadani dhe tjetra nga rruga Sylejman Vokshi. Arkitektët dhe inxhinierët nuk kishin menduar t’ua bëjnë një kanalizim të vogël fundit të këtyre rrugicave që lëshohen në shesh. Uji që rrjedh dhe llumin që e sjell flenë mirë në vende të caktuara të sheshit duke iu “falendëruar” punës së punëkryesit që e ka lanë rrafshirën e shumë pllakave në nivel të pabarabartë (disa më poshtë e disa më lartë). Qëllimi më sa duket ka qenë vetëm të nxjerret punë joproduktive në pastrimin e baltës ose pluhurit në shesh. Tash së voni u raportua se edhe shtyllat elektrike për ndriçim publik në shesh nuk janë pa defekte, dhe se ekzistonte rreziku i goditjes së rrymës të kalimtarëve të rastit. Këtë problem po ua lëmë elektro-inxhinierëve. Vetëm të shtojmë se shtyllat e vjetra, nëse nuk janë ngjyrosur për shfrytëzim të ngjashëm ose të ndryshëm diku tjetër në Kosovë, kanë përfunduar si mbeturina metali për eksport.

Ofenziva e radhës: zgjerimi i sheshit dhe rrënimi i ish-hotelit Union

Në plan është vazhdimi i shtrimit me granit të rrugës Nënë Tereza deri në hyrje të rrugës Agim Ramadani. Shpresojmë se KK i Prishtinës dhe arkitektët, inxhinierët dhe ekonomistët e tyre kanë nxjerrë mësime të mira nga ajo që u përshkrua më lartë ose mënyra se si nuk duhet punuar. Përndryshe, as budallenjët nuk do t’ua marrin lakmi.

KK ka hasur në kundërshtime nga shumë qytetarë të Prishtinës për rrënimin e ish-hotelit Union. Bëhet fjalë për një ndërtesë të projektuar nga Austriakët dhe të ndërtuar në vitin 1927 me një stil klasik që është një ndër objektet e ralla në Prishtinë me vlerë arkitekturale. Është diçka e ngjashme me ato ndërtesat në Tiranë përgjatë rrugës që shpie tek Universiteti Politeknik të ndërtuara nga Italia. KK të Prishtinës ky objekt i ka dalur si pengesë në zgjerimin e sheshit që tani quhet Sheshi i Pavarësisë. Pengesa e Unionit ndaj sheshit është e ngjashme sikur pengesa e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë ndaj sheshit të Tiranës. Mendimet më të shpeshta për rrënimin e Unionit janë se ky objekt nuk ka kurrfarë vlere dhe duhet t’ia liroj hapësirën Sheshit të Pavarësisë. Mendimet për ruajtjen dhe meremetimin e tij (është propozuar të shndërrohet në galeri të arteve) janë se ai është një objekt dykatësh që nuk e pengon por ja shton vlerën sheshit dhe se vlera e tij historike është më e madhe se, e së paku garniturës së tanishme politike që don ta rrënoj dhe zhvendos diku tjetër. Ka edhe paralajmërime konspirative se në vend të atij ish-hoteli do të ngritet busti i Ibrahim Rugovës, me çka do të plasë një luftë ndërmjet partive politike për buste.

Një pengesë tjetër në synimin e KK të Prishtinës ndaj Unionit është se objektin e ka  privatizuar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe pronar i tij tani është privat. Prefekti i Prishtinës më të drejtë kishte llogaritur se rrënimi i tij dhe kompenzimi i pronarit do t’i kushtojë komunës dyfish. Së pari, objekti në gjendjen e tanishme kërkon investime për meremetim deri në 2 milionë euro. Së dyti, kompenzimi në para ose ndërtimi i objketit të njëjtë diku tjetër, nuk është thejshtë çmimi i vlerës së tanishme plus shpenzimet e meremetimit. Ka edhe shpenzime tjera të ndërtimit (gjetja e vendit, matjet detaje të objektit ekzistues dhe zbatimi i kopjimeve objektin e ri, plani urbanstik, qasja në infrastrukturën e qytetit, etj.). Taman me i ra shi n’kallamoq pronarit privat në rast se KK i Prishtinës përfundimisht vendos për rrënimim e objektit ekzistues dhe ndërtimin e tij diku tjetër. Pronari do t’i kursente të gjitha mjetet e domosdoshme për meremetimin e objektit ekzistues.  

Më shumë është bërë bujë për këtë objekt se për objektet tjera shumkatëshe që janë ndërtuar pa leje në pjesë të ndryshme të Prishtinës, e të cilat janë duke e ngarkuar shumë qytetin në çdo aspekt (kërkesa e shtuara për rrymë, ujësjellës, kanalizim, parkim të veturave). Nëse KK është aq i specializuar në rrënimin e objekteve, atëherë le ta bëjë këtë ndaj atyre pa leje, ose së paku le ta ndal ndërtimin e tyre të mëtutjeshëm.

Përvojat tjera të ngjashme me investime në infrastrukturë

Para se të filloj me ndërtimin e sheshit, KK i Prishtinës kishte mbaruar me vënien e disa rrethojave metalike përgjatë shumicës së rrugëve dykahëshe të qytetit. Ishin një lloj i rrethojave të ngulitura me bulona në mbrojtëset prej betoni të asfaltit. Pakkush e di arsyeshmërinë e këtyre rrethojave jo më të larta se 20-25 centimetra, vetëm se dukeshin të bukura. Pas dëmtimit të disave nga automjetet, filloj çmontimi edhe i këtyre rrethojave, dhe i mbrojtësve anësore prej betoni të asfaltit. Në disa rrugë të qytetit ende ekzistojnë këto rrethoja. Mos të harrojmë të përkujtojmë se meteriali i tyre ishte i mirë dhe ka kushtuar. Pas çmontimit dihet se ku kanë përfunduar shumica e atyre rrethojave. Disi duhet mbajtur përparësinë tonë krahasuese në eksport – mbeturinat e metalta.   

Disa muaj para zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, KK i Prishtinës po bënte një revolucion në shtrimin e trotuareve me pllaka të betonit me dimenzione shumë më të vogla (10x20 cm më duket) por me trashësi më të madhe se ato të granitit. Nuk mendohej shumë për punët tjera shoqëruese. Qëllimi ishte të krijohen sa më shumë trotuare të tilla të shtruara me pllaka betoni. Dhe ja, nuk vonojë shumë kur do t’i bie ndërmend diçka e ngjashme sikur në rastin e sheshit – rregullimi i rrjetit të ujësjellsit (apo ngrohjes qendrore) në trotuarin tek ish-gjimnazi Xhevdet Doda. Vetëm se tani, për dallim nga sheshi që ndodhet në të njëjtë rrugë diku 250 metra larg, pllakat e betonit ishin shtruar dhe duhej zhvendosur për ta kryer punën me gypa. Pas shiut të rrufeshëm këtyre ditëve, dheu që ishte nxjerrur nga ai kanal i bëri helaqë shumë automjete dhe qytetarë që kalonin andej pari. Punët e tilla me siguri do të vazhdojnë edhe në të ardhmen por nuk dihet se ku do të çupurisin punëkryesit e KK të Prishtinës. 

Çka duhet të mësojmë nga këto investime?

Qeveria nuk është arsyeja, nuk është oratoria, është forca; si zjarri, një shërbëtor i mundimshëm dhe zotëri i frikshëm. Për asnjë moment nuk duhet të lejohet në veprim të papërgjegjshëm
-George Washington-
KK i Prishtinës bënë eksperimente në infrastrukturë sikur ta kishte buxhetin e Nju Jorkut e jo të kryeqytetit të shtetit më të varfër në Evropë. Nga kjo përvojë nuk kanë nevojë të brengosen apo mësojnë diçka arkitektët dhe inxhinierët por ekonomistët. Duke u nisur nga kufizimet buxhetore, një investim më i madh në një projekt lë zbrasësira në projekte tjera dhe kjo është vërejtur me rastin e sheshit. Sa do që shumica e qytetarëve u pajtuan me një shesh të mirëfilltë në kryeqytet, vërejtjet rreth mënyrës se si u punua ai nuk kanë të ndalur.

,,Çka piqet – s’hiqet”, është kjo një thënie aq origjinale e gjuhës shqipe për të cilën nuk jemi të sigurtë nëse përdoret shpesh në gjuhët tjera dhe zbatohet sikur në Kosovë. Është bërë shprehi të investohet në të njëjtën gjë disa herë që paraqet punë të dyfishtë e shumëfishtë. Aq me tepër duhet të kritikohet kjo dukuri kur dihet se infrastruktura fizike siç janë sheshet dhe rrethojat nuk janë në ndonjë funksion ekonomik. Prandaj duhet pasur shumë kujdes kur investohet në infrastrukturën fizike në përgjithësi, që puna të bëhet me plan të zbërthyer deri në detajet më të imta dhe, që ato investime kapitale të mos kenë nevojë për riinvestime për një kohë të gjatë, duke përjashtuar mirëmbajtjen me shpenzime të arsyeshme. Me këtë qasje do të kursehej buxheti në vijim që krijon mundësi për investime më të diversifikuara në sfera tjera të shoqërisë dhe ekonomisë. Dhe graualisht, prej eksportit të mbeturinave metalike që së pari po i importojmë i material të mirë me çmime të larta, të kalojmë në eksportin e mallrave të prodhuara nga lënda e parë dhe gjysmëproduktet. Është momenti i fundit, e shumica do të thoshin shumë i vonuar, që t’i themi ndal punëve të dyfishta pa efekt. KK të Prishtinës i kanë mbetur vetëm edhe njerëzit për t’i investuar si asset specificity. Me disa investime në infrastrukturë deri më tani e ka kënaqë krejt!

Dilemat e KK të Prishtinës për rrënimin e Unionit dhe zgjerimin e sheshit të pavarësisë vijnë në një kohë të pakohë. KK i Prishtinës për momentin më shumë është i preokupuar me krijimin e hapësirave artificiale në qendër të qytetit se sa me mbrojtjen e hapësirave periferike natyrore ku nuk ka pasur objekte (në Badovc të Ri), e ku po vazhdojnë ndërtimet e egra të një shteti tjetër – Serbisë. Udhëheqësia e Prishtinës i dënon ato ndërtime me deklarata por nuk kërkon mobilizim të përkrahjes dhe veprimeve për të ndërmarr diçka, qoftë vet apo përmes përffqësimit, ndërsa shteti fqinjë vazhdon punën në terren. Ne kritikojmë disa projekte të qeverisë së Prishtinës e ajo i grah në terren me të veten. Çfarë paradoksi! Kur Prishtina të jetë më e përkushtuar me veprime konkrete për ta mbrojtur periferinë, psh. në rastin e Badovcit, kysmet unë do të jem vullnetar në rrënimin e Unionit (nëse argumentohet se duhet të rrënohet) por edhe të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ashtu që hapësira e sheshit të pavarësisë të jetë më e madhe. Ndërtesa e teatrit duhet të rrënohet e para sepse nuk e ka vlerën si Unioni dhe mund të ndërtohet tjetërkund krejtësisht ndryshe. Mirëpo, për momentin mos e prekni asnjerën. Ka shumë gjëra më urgjente se sa rrënimi i tyre. Mos u ngutni me mega-sheshin e pavarësisë derisa pavarësinë ta bëjmë pak më domëthënese. 

Për fund, është marr ky shembull i investimeve të komunës së Prishtinës për shkak se projektet e shumë komunave të Kosovës që do të paraqiten në konferencën e donatorëve me 11 korrik 2008, kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën. Nëse në ato projekte investohet sikur në rastet e mësipërme ose bëhen punë të dyfishta e shumëfishta, atëherë rrezikojmë të mbetemi pa zhvillim ekonomik.   

Mekulipress.com ne gjuhen Shqipe Mekulipress.com ne gjuhen shqipe
Video Bibliothek
Audio Bibliothek
Pictures
SHPREHU
Një shkrim kritik duhet të jetë i guximshëm dhe i vrazhdë, absolutisht me miqtë dhe kundershtarët.
Dhe për agjensinë MEKULIpress KRITIKA është burim i vetëm i INFORMACIONIT, pjesa tjetër ështe vetëm REKLAMË
.më teper
DOSSIER
Po ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë, koduar “Shpërthimi”, hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm... më tepër
Sitemap: Permbajtja e faqes MekuliPress.com Kontakt Linkat

Foto e Ditës