DIPLOMACA
Kadare: Jo Shqiperi e Madhe, por Natyrale
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se e ashtuquajtura Shqipëri e Madhe ka qenë prej kohësh një motiv i preferuar për të justifikuar një prapambetje të çështjes shqiptare, një ngecje në vend. "Shqiptarët nuk thonë Shqipëri e Madhe. Asnjëherë. Thonë Shqipëria Natyrale ose Shqipëria Etnike. Pra, as e madhe as e vogël, por ajo që është dhe që duhet të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo siç kanë thënë Rusia e Madhe, Gjermania e Madhe, Kroacia e Madhe, këto terma ndryjnë në vetvete një koncept negativ, pra nënkupton një shtet i bërë i madh me dhunë, pa të drejtë, dmth duke uzurpuar të drejtën e të tjerëve", shprehet Kadare, gjatë një interviste ku flet për Kosovën e pavarur, identitetin dhe vlerat shqiptare, Evropën, politikën, letërsinë.
Zoti Kadare, bisedën po e zhvillojmë në një kohë kur shqiptarët në Kosovë, në Kushtetutën e re të sapohyrë në fuqi, vendosën themelet e një shteti të ri. Pra shqiptarët arritën ta realizojnë ëndrrën e tyre për një Kosovë shtet të pavarur. Sa i rëndësishëm është ky fakt për kombin shqiptar?
Sigurisht që përgjigjja ime, si e çdo shqiptari, do të jetë pozitive. Shqiptarët, kombi shqiptar, sigurisht që nuk ka marrë një favor, por është rregulluar diçka që ishte çrregulluar në vite, në shekuj. Tashmë shqiptarët kanë hapësirën e tyre në Ballkan, shumë të rëndësishme me atë shtet që ata e meritojnë prej kohësh. Prandaj është gjetur një drejtpeshim, një ekuilibër për një drejtpeshim të prishur, pra është zëvendësuar ky i fundit që ka qenë. Dhe kjo është në radhë të parë për të mirën e kombit shqiptar dhe për të gjithë Ballkanin.
Pra, kjo rigjetje e ekuilibrit natyrisht që kjo do të luajë rol të madh ndaj të gjitha pikëpamjeve, si nga pikëpamja politike, ekonomike, psikike e kombit shqiptar, do të ndryshojë gradualisht, dalëngadalë vetëndjesia e tij. Dhe kur ndjesia e një kombi ndryshon për të mirë, siç është në këtë rast, atëherë pesha e tij e brendshme do të reflektojë në peshën e tij të jashtme. Sigurisht që kështu ndodh në gjithë popujt. Pra, psikologjia shqiptare do të ndryshojë nga kahu i mirë i saj, në të gjitha pikëpamjet.
JO SHQIPERI E MADHE, POR NATYRALE
Tani kemi dy shtete shqiptare. Por pse disa i i tremben një Shqipërie të Madhe dhe nuk u tremben dy shteteve shqiptare? Si e shpjegoni ju këtë?
Mendoj se është thjesht një frikë. Në botë, zakonisht ka frika që kanë një bazë të vërtetë, por shpesh ato kanë një bazë virtuale. Një bazë të shpikur, siç janë edhe irikët e fëmijërisë që krijohen nga fantazmat, nga gogoli, dhe me sa duket këto mbeten edhe në jetën politike ndërkombëtare disa herë. E ashtuquajtura Shqipëri e Madhe ka qenë prej kohësh një motiv i preferuar, për të qenë një lloj alibie, për të justifikuar një prapambetje të çështjes shqiptare, një ngecje në vend. Në fakt, prej shumë e shumë vitesh shqiptarët e kanë bërë të njohur vetë në gjuhën shqipe, në formën e të menduarit shqiptar, që kjo shprehje takohet shumë rrallë.
Shqiptarët nuk thonë Shqipëri e Madhe. Asnjëherë. Thonë Shqipëria Natyrale ose Shqipëria Etnike. Pra, as e madhe as e vogël, por ajo që është dhe që duhet të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo siç kanë thënë Rusia e Madhe, Gjermania e Madhe, Kroacia e Madhe, këto terma ndryjnë në vetvete një koncept negativ, pra nënkupton një shtet i bërë i madh me dhunë, pa të drejtë, dmth duke uzurpuar të drejtën e të tjerëve. Prandaj, të përdorësh këtë shprehje në këtë rast për atë që quhet Shqipëri e natyrshme, cenohet e vërteta. Kjo shprehje ka qenë një tingëllimë negative dhe është e përjashtuar për ne brenda vendit.
Zoti Kadare, kohë më parë ju keni zhvilluar një debat të gjatë lidhur me identitetin e shqiptarëve. A ka ndryshuar në parim identiteti i shqiptarëve pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, pra të shqiptarëve si komb me dy shtete?
Besoj, shumica e shqiptarëve janë dakord që identiteti shqiptar është homogjen, është i njëjtë, është pjesë e identitetit evropian. Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, as identitet shqiptar të gjymtuar ose të modifikuar, për shkak të një robërie të gjatë. Ne kemi njohur si të thuash një robëri klasike të jashtme që ka qenë robëria otomane dhe një robëri të brendshme që ka qenë me dy fytyra: robëria komuniste shqiptare në Shqipëri dhe robëria komuniste serbe, bashkë me robërinë e mbretërisë jugosllave në Kosovë. Ekziston një teori e keqe, do të thosha unë, që pretendon nga këto aksidente të rënda historike (njëra 5 shekuj e tjera më shumë se gjysmë shekulli) se identiteti shqiptar është modifikuar, është ndryshuar.
Të thuash këtë gjë për një popull është t‘i bësh fyerjen më të madhe. Një popull që i ndryshohet identiteti prej robërisë është mjeran, është thellësisht fatkeq dhe ka mungesa në dinjitetin e tij. Përse popujt e tjerë të Ballkanit nuk e ndryshuan identitetin dhe përse i paska rënë popullit shqiptar kjo fatkeqësi dhe ky cenim i rëndë? Pra, nuk është e vërtetë. Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane kanë mbetur ata që janë, të pamodifikuar. Pra, të gjitha ato përrallat për identitetin e modifikuar mbeten vetëm përralla, dhe jo vetëm kaq, por ato janë edhe të dëmshme. Një popull mund të jetojë në dy shtete. Por tani flitet për një problem tjetër që ka dalë.
A ka Kosova identitet tjetër apo ka identitetin klasik shqiptar?
Bëhen shumë përpjekje për këtë gjë, ka shumë doktrina dhe lloj-lloj teoricienësh që tentojnë për të vërtetuar se Kosova ka identitet tjetër. Kjo nuk është gjë tjetër veçse, versioni që thashë më parë, versioni se një populli, robëria mund t‘ia ndryshojë identitetin. Në qoftë se ne pranojmë që Kosova, për shkak të një qëndrimi 70-vjeçar nën sundimin jugosllav paska krijuar identitet tjetër, ky është përsëri, siç thashë më sipër, një mjerim i madh për popullin tënd. Përse e paska ndërruar? Kosova ka qenë e bashkuar me Shqipërinë përpara. Ka qenë vazhdimi i hapësirës shqiptare. Nuk ka pasur kufij gjatë pesë shekujve që fola unë. Gjatë perandorisë otomane ka qenë e njëjta zonë, zonë që administrata turke e quante me emra të ndryshëm, por ka qenë kjo zonë qe është sot.
Pra, përse ndryshoi ky identitet për këto 70 vjet? Përse? Ku janë arsyet, ku është ndryshimi? E folmja? E folmja në Kosovë është absolutisht më e afërt disa herë me gjuhën që flitet në përgjithësi në Shqipëri, sesa në shumë pjesë, zona të Shqipërisë që kanë dialekte shumë të larguara nga pjesa e përgjithshme shqiptare. Unë, kur flas me kosovarët apo kur lexoj shtypin kosovar, gjuha është shumë më e afërt sesa disa gazeta në Shqipëri, si në Gjirokastër, në Shkodër, në Kukës në Elbasan. Pra, është tepër natyrale kjo, e megjithatë do të shtoja se nuk është vetëm gjuha që përcakton identitetin, edhe pse është një nga faktorët themelorë. Identiteti është edhe historia e përbashkët, është të ndjerit e përbashkët, janë emocionet e përbashkëta si komb, të cilat janë të krijuara gjatë shekujve, të mijëvjeçarëve. Prandaj, nuk e kuptoj këtë këmbëngulje për ta deformuar identitetin e shqiptarëve. Një popull mund të jetojë në dy shtete, kjo nuk do të thotë asgjë. Në radhë të parë është e rëndësishme si ndjehet vetë kombi, çfarë kombësie ndjen ai në ndërgjegjen e vet historike, në moralitetin e vet historik. Kjo këmbëngulje me duket përsëritje e tezave që nuk të çojnë askund.
Po cilat janë vlera shqiptare dhe a janë ruajtur ato edhe sot? Ju këmbëngulni për ruajtjen e tyre. Ka të bëjë kjo edhe me identitetin e shqiptarëve?
Sigurisht, identiteti i një kombi ka të bëjë me vlerat që bart kombi, por njëkohësisht edhe me gjenet e tij. Por nuk duhet të kemi frikë t‘i themi, siç flasim për vlerat me shumë të drejtë, me kurajo duhet të flasim edhe për gjenet e tyre, për t‘i korrigjuar ato, ashtu sikurse njerëzit e fortë janë më të aftë t‘i gjejnë mungesat e tyre sesa njerëzit e dobët, të cilët nuk flasin kurrë për mungesat e tyre.
EVROPA PO BEN MJAFT PER SHQIPTARET
Ju shpesh keni bërë vërejtje ndaj Evropës, e cila i ka qëndruar larg shqiptarëve,nuk i ka afruar sa duhet, bile në rastin e dramës së Kosovës shpesh ka qenë e shurdhërose dhe e verbër, sipas jush. Sot, ajo duket se është më afër se kurrë pranë shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. A mjafton kjo apo fati për të hyrë në familjen e Bashkimit Evropian e kanë vetë shqiptarët?
Kjo është një pyetje interesante dhe shumë e rëndësishme. Unë jam vetë një evropianist i vendosur, ashtu si dhe shumica e shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se, unë çdo gjë që kam bërë ose bën Evropa e shoh në mënyrë të pakushtëzuar, në mënyrë pozitive gjithmonë. Dhe gjithmonë njeriu i bën vërejtje në radhë të parë vendit të vet, zonës së vet ku është shteti i tij dhe kontinentit të vet. Prandaj, ne kur i bëjmë vërejtje Evropës, të gjitha këto janë vërejtje që ia bëjmë kontinentit tonë, kontinentit mëmë, ku bën pjesë edhe populli shqiptar në familjen e popujve evropiane. Pra, këtu nuk kemi ndonjë ndjesi të keqe, as ndonjë kompleks. Kjo është e natyrshme.
Evropa dihet që për një kohë të gjatë ka pasur një qëndrim, që është gjykuar përfillës ose shpërfillës, zakonisht për gjithë Ballkanin, sidomos për Shqipërinë. Për fat të mirë, prej vitesh ajo është bërë e ndërgjegjshme, ka korrigjuar mjaft gjëra në këtë qëndrim, ka korrigjuar gjërat themelore. Evropa, Aleanca Atlantike, SHBA-ja e ndihmuan kombin shqiptar në mënyrë jashtëzakonisht të vendosur në një luftë të armatosur për t‘i mbrojtur të drejtat e tij. Pra, më duket se epoka që ne duhet të ankoheshim në përgjithësi për Evropën ka mbaruar. Sigurisht që tani populli shqiptar ndjehet gjithmonë e më tepër evropian, sepse në njëfarë mënyre kemi qenë të përjashtuar nga ky kontinent, disa herë jemi përjashtuar nga fati dhe disa herë kemi përjashtuar veten, Shqipëria komuniste në programin e saj kishte përjashtimin absolut të Evropës dmth të quheshe evropian në atë kohë do të thotë të ishe mik me botën perëndimore, dmth me botën armiqësore.
Prandaj për gjysmë shekulli ka qenë faji i Shqipërisë. Sot epoka ka ndryshuar tërësisht për të mirën tone dhe tani marrëdhëniet me Evropën janë themelore për mbarëvajtjen e vendit. A mund të bëjë Evropa akoma? Evropa po bën mjaft kuptohet, aksione të tilla, si rivendosja e ekuilibrave në Ballkan është një aksion kolosal, që kushtëzohet nga shumë faktorë dhe Evropa i ndjek hapa pas hapi. Nuk është e lehtë, por dhe nuk është kaq e vështirë, mjafton të respektohen disa parime bazë të së drejtës universale, të lirisë universale.
Evropa e ka këtë detyrë. P.sh. në Shqipëri vazhdon agonia politike, zvarriten reformat, mungesë përgjegjësie në plotësimin e kritereve që kërkojnë standardet e BE-së e tjerë? Cila është detyra e politikës shqiptare në këtë drejtim?
Kjo tregon që në Shqipëri ka mbeturina që e trajtojnë Evropën si një hapësirë jomiqësore, ose si një hapësirë të huaj, ose si një hapësirë që na ka borxh gjithmonë dhe duhet të na rregullojë punët tona. Në qoftë se pretendojmë që të jemi një vend evropian, në radhë të parë e ndërtojmë ne vetë Evropën, brenda nesh dhe pastaj në mënyrë të natyrshme të integrohemi në Evropë.
Zoti Kadare, veprat tuaja madhore janë krijuar në kohën e një regjimi diktatorial. A ndikojnë te krijuesi regjimi, sistemi politik? Pra, cilët janë raportet e shkrimtarit me sistemin politik të vendit?
Mendoj se teprohet gjithmonë ndikimi i një regjimi politik i një shteti, i një diktature apo i një demokracie mbi krijimtarinë letrare. Studiuesit, kritikët e kanë shumë komode të thonë që ndikon. E vërteta është ndryshe. E kam thënë shumë here se letërsia ka ligjet e saj të cilat nuk përputhen me ligjet shoqërore. Letërsia është shpërfillëse për sistemet shoqërore, politike. Letërsia lind dhe zhvillohet në çdo kohë, në çdo regjim sado i ashpër të jetë, sado i butë të jetë, nuk luan ndonjë rol të madh në zhvillimin e saj.
Shumë njerëz e teprojnë me këtë gjë dhe kanë shumë qejf edhe të kapen pas kësaj, pas sistemit shoqëror për të shpjeguar një letërsi. Letërsia mund të jetë e fortë ose e dobët në çdo sistem shoqëror. Mund të jetë e fortë në një regjim të keq dhe mund të jetë e dobët në një regjim demokratik. Shumica e librave që botohen sot, si këtu në Gjermani ku jemi, ku kemi një sis¬tem demokratik dhe ka letërsi të mirë dhe të keqe apo edhe më të keqe, mediokre fare edhe pse është një sistem nga më të përparuarit në botë. Dhe po të ishte ashtu, që letër-sia varet nga sistemj, ateherë gjithë sistemet e përparuara duhet të kishin letërsi të mrekullueshme dhe art të mrekullueshëm dhe sistemet e prapambetura duhet të kishin të kundërtën. Por nuk është kështu, shpesh ndodh e kundërta.|Mekuli Press

Prof. Nasho Jorgaqi
Një letër e 24 janarit 1896, dërguar Nikolla Naços, kryetarit të shoqërisë shqiptare “Drita” në Bukuresht, hedh dritë mbi personalitetin e Faik Konicës në fillimet e veta. Komentet mbi gjendjen e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane dhe rezervat për Sami Frashërin
Në vijim të punës për gjurmimin e trashëgimisë së Faik Konicës, kohët e fundit më ra në dorë me ndihmën e prof. Ismet Dermakut, një tufë letrash të tij të hershme, nga të cilat do të veçoja të parën letër që njohim deri tani nga ai. Është fjala për letrën e 24 janarit 1896, dërguar Nikolla Naços, kryetarit të Shoqërisë shqiptare “Drita” në Bukuresht, e cila hedh dritë mbi personalitetin e Faik Konicës në fillimet e veta. E shkruar nga Parisi, kur sapo ka mbushur njëzetë vjeç, ai është në kërkim të lidhjeve me lëvizjen kombëtare të diasporës dhe liderët e saj. Pas 7 vjet qëndrimi në Francë, djaloshi shqiptar do të kryejë fakultetin e letrave në Universitetin e Dizhonit dhe më vonë do të studiojë për filozofi romane në College de France. Me këtë formim intelektual dhe i frymëzuar nga ideale patriotike, ai vendos të mos kthehet në Shqipëri, por t’i kushtohet në Evropë çështjes së çlirimit të atdheut. Ka zgjedhur të bëhet shkronjëtor (shkrimtar – N.J.) dhe ndonëse shumë i ri e fill i vetëm, nis veprimtarinë e tij patriotike në kryqendrën e metropolit evropian. Shkruan në frengjisht dhe dërgon për botim librin “Ç‘ka qenë Shqipëria, ç’është, ç’do të bëhet” si dhe studimin prej 80 faqesh “Ese mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për pavarësi në shek. XIX”, që ia çon “revistës më të madhe të Europës”, dy vepra këto që për fat të keq nuk na kanë arritur. Por ç’është më e rëndësishme, tamam në këtë vit ideon dhe përgatitet të themelojë një revistë politiko-kulturore me emrin “Albania”. Ndryshe nga patriotët e tjerë, ky intelektual me frymëzim perendimor e ambicje të mëdha, mendon dhe përpiqet të krijojë një vatër të lëvizjes shqiptare, jo në Stamboll, as në kryeqytetet ballkanike, por në mes të Evropës. Është tepër i ri për këtë ndërmarrje, po plot besim në vetvete dhe i vendosur t’ia dalë në krye këtij misioni atdhetar.
Në këto rrethana i shkruan letrën N. Naços, ku i prezantohet se kush është dhe ç’mendon për gjendjen e Shqipërisë. Me sa duket, nuk është e rastit që ky militant i ri i lëvizjes kombëtare, i drejtohet drejtuesit të “Dritës” në Bukuresht, jo vetëm si një prej veteranëve të saj, por dhe si përfaqësuesi më i njohur i krahut radikal e revolucionar. Nga shumë pikëpamje, ata kanë gjetur njëri- tjetrin, po të kemi parasysh pozicionin e tyre të përbashkët, qëndrimin kritik dhe vështrimin realist që mbajnë ndaj problemeve shqiptare. Kjo është arsyeja që Konica nuk i drejtohet drejtuesve të “Dritës” në Stamboll, Naimit e Samiut, që kanë diferenca përsa i takon taktikave dhe mjeteve të luftës kundër pushtuesëve turq. Ata ndjekin rrugën e propagandës atdhetare, punës për hapjen e shkollave shqipe, botimit të librave dhe gazetave, në një kohë që N. Naço është për një vijë luftarake. Kësaj vije do t’i bashkohet që në fillim dhe Faik Konica, duke iu kundërvënë platformës së “Dritës” së Stambollit. Strategjia e tij politike do të jetë: “Ja disa libërtha të gjora të kënduar nga nja dhjetë djelmosha … [sepse] nuk sillet në jetë një popull që po vdes me një apo dy abetare …”, po krijimi i një partie kombëtare, i një shoqërie sekrete në shembullin e “karbonarizmit” në Itali apo “filiki-eteria” në Greqi.
Ky qëndrim i hershëm radikal i Konicës do të vijë më pas duke u thelluar, aq sa do të çojë në një konflikt në mes tij dhe vëllezërve Naim e Sami Frashëri, të cilët jo vetëm nuk do ta mirëpresin por dhe do t’i kundërvihen. Nga një letër që do t’i dërgojnë dhëndrit të tyre, Murat Toptani, aktivist i lëvizjes shqiptare dhe adhurues i Konicës, do t’i shkruajnë se “qëndrimi i Faikut është i dyshimtë” sado erudit e i zoti të jetë, bile arrijnë deri atje sa ta akuzojnë se “synon shëmbjen e punëve të realizuara që prej 25 vitesh”. Për ta “Epiqendra e këtyre punëve sot është Stambolli. Jo Brukseli e Bukureshti”. Prandaj e këshillojnë dhëndrinse “ai që do t’i shërbejë Shqipërisë e shqipes”, duhet të bashkohet me ta.
Po Faiku dëshmon, që në hapat e parë se nuk bashkohet me ta, përkundrazi u kundërvihet. Kjo duket në botimin e “Albanias”, ku i shmanget alfabetit të Stambollit, po dhe në qëndrimin që mban dhe ndaj vëllezërve Frashëri, sidomos ndaj Samiut, të cilin e stigmatizon dhe e akuzon rëndë në letrën dërguar Naços. Kryesore në këtë letër janë përkushtimi dhe shqetësimi i Faikut për gjendjen dhe fatin e atdheut të robëruar. Sipas tij, s’ka në Evropë vend më të bukur e më të pasur se Shqipëria e megjithatë shqiptarët e gjorë vdesin nga uria dhe fajin për këtë e kanë pushtuesit turq që s’bëjnë asgjë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Duke parë ngjashmëritë në mes atdheut të tij dhe Zvicrës, Faiku bën krahasime konkrete dhe arrin në konkluzione praktike, kur arsyeton se çfarë të mirash do t’i sjellë Shqipërisë turizmi me bukuritë dhe begatitë e saj. Por turqit nuk bëjnë asgjë,- thotë ai,- dhe harrojnë të mirat që u kanë sjellë shqiptarët me gjakun e tyre. Në këtë gjendje të rëndë është atdheu i shqiptarëve, kur vendet e tjera të Ballkanit janë çliruar, “Shqipëria po fle akoma” dhe ai pyet “Kur do të zgjohet e shkreta?”
Dhe është ky moment, kur Konica nuk përmbahet dhe stigmatizon rëndë Sami Frashërin, duke e akuzuar deri në dyfytyrësi. Qëndrimi politik e bën Faikun të nëpërkëmbë me pa të drejtë figurën politike të Samiut, kontributet e tij të pamohueshme në fushën e kulturës e të shkencës. Është e vërtetë se këto kontribute i dha kryesisht në kulturën turke, për rrethanat në të cilat u ndodh, por në të njëjtën kohë, ai u bë dhe ideologu i Rilindjes Shqiptare me veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, me alfabetin që hartoi dhe abetaretshqipe. Më kushtet që ishte Shqipëria, ai nuk mund të bënte shkencë dhe art, ndaj dhe mendja e tij e ndritur do të rrezatonte vepra iluministe, që në një farë mënyre do t’i bënin nder dhe kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, Konica e kritikon Samiun dhe për një çështje delikate e të ndërlikuar, siç është konvertimi i shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, duke e cilësuar këtë dukuri historike burimin e “të gjitha të ligave”. Sipas arsyetimit të tij përqafimi i myslimanizmit prej shqiptarëve goditi unitetin e tyre shpirtëror dhe kjo nuk qe pa pasoja. Për Konicën në qoftë se shqiptarët do të kishin mbetur të tërë të krishterë, ata do të kishin fituar tanimë lirinë e pavarësinë si fqinjët dhe shembulli që ai i sjell Naços është Rumania ku ai jeton. I edukuar në Francën liberale dhe i ushqyer nga idetë volteriane, me një shpirt liridashës, siç pohon në një autobiografi të tij (1922), ai në vitet e rinisë joshet aq shumë nga kisha katolike, sa e frekuenton atë sidomos për muzikën dhe krahas emrit zyrtar mban dhe emrin Dominik. Nga burime të tjera, mësojmë se më vonë, ai u konvertua në fenë e Krishtit, por për arsye etike-politike nuk e shpalli publikisht.
Një gjë është e vërtetë që çështjes së fesë të shqiptarëve, Faik Konica i është kthyer më vonë herë pas here në publicistikën e tij dhe veçanërisht në veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Në këtë cikël esesh, ai do t’i kushtojë një kapitull më vete, ku shpalos mendime dhe arsyetime objektive, qëndrime realiste, me argumente të sjella nga historia dhe lëmenjtë e pasur të dijes. Duke e analizuar çështjen e myslimanizimit të shqiptarëve në një kontekst historik e social, Konica konstaton se ata të ndrydhur në mes sllavëve dhe grekëve, bënë një përpjekje të dëshpëruar për mbijetesë kur për të mbetur zotër të trojeve të veta vendosën të përqafojnë fenë e pushtuesve me të cilën fituan prestigj politik e ushtarak në Perandori. Kështu shpjegohet sipas tij që “Shqipëria, vendi i fundit në Evropën Juglindore që iu nënshtrua turqve ishte gjithashtu vendi i fundit që fitoi lirinë”. Prandaj këshillon se “me që historia nuk ecën kurrë sëprapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, është e kotë t’i gërmojmë më tej këto çështje”.
Letra e njëzet vjeçarit Faik Konica që po u paraqesim lexuesve, më e hershmja që njohim deri më sot, paraqet interes nga shumë pikëpamje dhe në radhë të parë se ajo përmban embrionin e mendimeve kryesore, prej të cilave ai do të udhëhiqet në veprimatrinë e tij politike të mëvonshme. Vetëm pas dy muajsh, në letrën e radhës, ai do t’i paraqesë Naços, udhëheqësit të tij shpirtëror, programin e vet për lëvizjen kombëtare shqiptare, që shënon një stad të ri në mendimin politik të Rilindjes sonë.
Paris, më 24 të Jenarit 96
I dashur mëmëdhetar,
Mora letrën që zotëria jote më dërgove dhe s’munt dot të shkroj sa m’u mbush zemra me gaz. Të thom dhe unë pesëqint mij të mira për motn’e Ri, edhe ju thoni me shëndet të tërëvet shqiptarëve që janë atje.
Emëri im është : beg Faik – Dominik Koniza”, jam diali i beg Shahin Konizës, edhe i afërtë i Ali Tepelenës që bëri shumë të liga, por bëri dhe të mira se hapi sytë e shqiptarëvet, edhe ju tregojti që s’janë as turq, as gerqiotarë (grekë – N.J.), po djem të Shqipërisë.
Erdha këtu qëkur isha i vogël se doja të mësonj për të ryrë (hyrë – N.J.) në sefarite të Turqisë. Po kur këndova mirë, m’u hapnë sytë gadalë-gadalë, u mejndova edhe m’u duk që turqit na pinë gjakun, edhe s’do të na lëshojnë gjë. Të tërë ata që kanë parë Shqipërinë thonë që s’është në Evropë një vent aqë i bukur dhe aqë plot me zengjinllëke (pasuri –N.J.) të dheut. Po në është ashtu e vërteta, pse ngordhin të gjorët shqiptarë nga uria? Se turku s’hap udhëra … s’bën fabrika, s’bën shkolla, s’bën gjë fare. Në ishin këto në Shqipëri, do t’punojin shqiptarët, do të shitjin e do të blejin. Edhe jo vetëm këtë do ta bënte, por do të nxirrte ollafo (fitime – N.J.) nga të huajtë që do të vijin të rinë dy a tre muaj çdo mot. Shikoni Helvesien (Zvicrën – N.J.): s’blen as shet, po të tërë Helvetsrët kanë të holla se vendi është i bukur e vijnë atje shumë të huaj për të shikuar bukurinë e vendit dhe për të pirë ujin e lehtë, dhe për të hequr erën e mirë. Ne mos ishin turqit në Shqipëri do të bënim udhëra-të-hekurta edhe çdo mot, me mij (mijra- N.J.) do vijin Inglezët edhe të tjerët të huajtë.
Po le ta lëshojmë sa do të fitojnë të gjorët shqiptarët që ngordhin urie, dhe le të thomi që s’do të nxjerrin gjë. – Po pse s’na lëshojnë turqit të hapim shkolla dhe të kemi vivlla (libra – N.J.) dhe gazeta? Neve shqiptarët e bëjtim Fuqinë të madhe dhe istoria na tregon që përpara një qind vjet, të tërë shqiptarët, dhe katolikët dhe ortodoksët vijin në luftë. Neve që i bëjtim aq të mira turqëvet, ç’na bëjne turqit? S’na lëshojnë as gjuhën tonë. Edhe ermenitë (armenët- N.J.) që s’i ka bërë Turqisë një të mirë i lëshojnë të hapin shkolla dhe të tregojnë djemëvet e tyre gjuhën e mëmëdhesë. Dhe neve kemi në Korçë një shkollë, po do ta mbylljin turqit atë çast, në mos kishin frikë.
Kështu u mendova unë, edhe të tjera m’erdhnë në mendje. Tani mbarova gjimnazin dhe nuk u ktheva në Shqipëri, po m’erdhi në mend të rri këtu dhe të bëhem shkronjëtor (shkrimtar – N.J.), se di mirë shumë gjuhëra. Shkronj në gazeta herë herë dhe në dy muaj do të nxjerr një vivllë franceziote (frengjisht – N.J.) që do të ketë emër: “Ç’ka qenë Shqipëria, ç’është, e ç’do të bëhet”.
Ç’do të bëhet, Perëndia e di. Serbia, Maliziu, Rumania, Morea, Bullgaria hapnë sytë, edhe Shqipëria flë. Ermënia e Kandia po hapin sytë edhe Shqipëria po flë akoma. Kur do të zgjohet e shkreta? Cili i dha afqon (opium – N.J.) që të flejë aqë?
Vëlla, doja të të shkruaj. Janë dy vjet, po u mbajta se më thanë që Beg Sami Frashëri qe shoq i “Dritës”, edhe këtë njeri nuk e dua. Të më ndjenjë Zotëria jote, po jam i hapur dhe s’dua të të mbaj gjë të fshehur në zemër. Sami begu s’më pëlqen, se ka dy buzë: kur është me shqiptarët thotë që është shqiptar; kur është me turqit thotë turk. Shkrojti një vivllë turqisht me emër “Medeniet – Islamie” në të cilën vivllë thotë që Muhametarët (muhamedanët – N.J.) gjetnë më të bukurat gjërat e dheut, “Udhërat e hekurtat, Amerikën” edhe një mijë të tjera gënjeshtra. Në mos kishte zemrën aq të shkurtë (të vogël – N.J.) do të kishte menduar një çik, do të kishte parë që një shqiptar s’lipset të duaj Muhametarët, se nga këta erdhën të gjitha të ligat. Në mos ishin bërë Shqiptarët Muhametarë, edhe kishin mbetur si ca nga ata: Krishtarë (të krishterë – N.J.) do të kishim të tërë një besim, edhe do të bëheshim shpejt si Rumania u bë.
Po reshtoj që këjo letëra u bë shumë e gjatë: do të shkronj Zotënisë jotë në ca ditë një tjetër letërë, se kam të tjera të të thom. U falem shumë të tërëvet shqiptarëvet që janë atje, edhe jam i Zotnisë jote,
Shërbëtori
Beg F.-D. Koniza – Tepeleni
|