Home: Fillimi i faqës
Aktuale: Informata aktuale rreth botes dhe vendit
Bota: Informata Rreth botes
Rajoni: Informata rreth rajonit
Vendi: Informata rreth vendit
Anti censura
Diplomacia
Pr & retorika
Ide & opinione
Kulture
Shkenca
Personalitete
Kontakt
Impresum
Askush s'i njef shqiptarët më mirë se MekuliPress
 

ANTI CENSURA

 A është harruar mërgata shqiptare?! 

Na ishte një herë një mërgatë shqiptare 

     Shkruan: Ismet RASHITI

     Zvicër, 20. 06. 2008

     Çdo njeri normal e di  se sa i fuqishëm ka qenë dhe ka mbetur edhe sot e gjithë ditën roli i mërgatës shqiptare për Kosovën. Tek e fundit gjithçka që kanë bërë këta njerëz të përkushtuar për atdheun e tyre, nuk e kanë bërë që dikush ti marrë ngryk, sepse ata janë të vetëdishëm se kështu kanë kryer misionin e tyre për pavarsinë e Kosovës. Mirëpo edhe nuk është e ndershme që institucionet e shtetit të sapoformuar të shkojnë deri atje sa ta “harrojnë” kaq shpejt këtë “kopsht” të madh e tepër të rëndësishëm për të cilin në fund të fundit më shumë se çdo kujt tjetër i  është dashur, i duhet sot dhe do ti duhet edhe për shumë e shumë vite shtetit të Kosovës. Askush nuk mund ta imagjinonte si do të dukej Kosova, pa këtë pjesë jetike të trupit të saj. Edhe njerzit më të painformuar duhet ta kishin kuptuar deri tani se mërgata shqiptare është e vetmja “bankë” që i sjellë Kosovës miliarda euro në vit pa komatë dhe pa interes. Me ndihmën dhe kontributet e kurbetçarëve shqiptarë përpos familjeve të tyre,  po ndihmohen mijëra familje tjera skamnore anë e mbanë Kosovës. 

     Ta zëmë vetëm SHBH “Nënë Tereza” me seli në Lucern të Zvicrës brenda tri viteve ka ndërtuar rreth 80 shtëpi për të varfurit dhe ka ndihmuar me barna, veshmbathje dhe gjëra ushqimore mbi 2.000 familje kosovare. Kjo  është vetëm njëra nga ato shumë shoqata e vetiniciativa tjera mërgimtarësh që kontribuojnë aty ku e kërkon nevoja. Ndërtimi i Kosovës së re, pas shkatrrimeve nga lufta, investimet dhe punësimi i mijëra të papunëve në bizneset e vogla dhe të mesme, janë poashtu meritë e mërgatës shqiptare, e cila   çdo here dhe kudo që ndodhet synim kryesor ka ndërtimin e jetës në atdheun e të parëve. Nga ana tjetër mërgata shqiptare ka qenë dhe aktualisht është ambasadori i vetëm i paakredituar në botë që përfaqëson dhe informon faktorin ndërkombëtar lidhur me të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë. Tashmë edhe  miobët më të mëdhenjë politik duhet ta kenë kuptuar se shqiptarët jasht atdheut janë faktori kryesor i stabilitetit ekonomik, i zbutjes së papunësisë dhe varfërisë ekstreme,  i sjelljes të kulturës së punës dhe shumë vlerave tjera arsimore dhe edukative evropiane në Kosovë. Meqenëse punojnë prej shumë vitesh si njerëz të huaj  në shtetet e zhvilluara ekonomike, mërgata shqiptare më së shumti e ka të ngulitur në kokë vetëdijën shtetformuese dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve demokratike. Ajo më së miri mund ti dijë pasojat e korrupsionit,  vlerat e shtetit ligjor dhe të civilizimit evropian, përvoja këto, të cilat në masë bukur të madhe i mungojnë Kosovës. Jo gjithçka është paraja dhe interesi siç mund të mendohet gabimisht në Kosovë. 

     Në mesin e mërgatës shqiptare Kosova mund të gjejë ekspert të të gjitha fushave që kanë një bagazh dhe kulturë të lartë profesionale. Jo pak shqiptarë në Evropë dhe SHBA janë dëshmuar dhe  kanë bërë emër në politikë, mjeksi, teknologji, ekonomi, arsim, kulture, muzikë, art figurativ, letërsi, sport e bukuri. Nuk janë të pakët shqiptarët në Evropë, SHBA e gjetiu në botë që kanë krijuar biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha; që udhëheqin në ekonomi, administrate e fusha tjera të rëndësishme për të cilët, Kosova më tepër se kurrë ka nevojë ti fusë në funksion të institucioneve shtetërore. Thithja e këtyre përvojave dhe kuadrove në mënyrë institucionale dhe pa xhelozi nga grupe të interesit siç mund të mendohet ndonjëherë, përveç që do ti forconte në masë të madhe institucionet kosovare, do të sillte natyrshëm një kulturë pune dhe një   frymë të re  evropiane në funksionimin e institucioneve shtetërore. Në mënyrë të veçant do të krijonte ura të forta bashkpunimi  me kuadrot e mirëfillta në Kosovë. Përkrahja serioze e mërgatës shqiptare, do tu mundësonte  institucioneve  të Kosovës   joshjen e  biznesmenëve shqiptarë dhe miqëve të tyre që kanë krijuar në vendet përkatëse për investime të nduarndurshme ekonomike. Në këtë mënyrë do të zbutej në masë të madhe papunësia, pa zbutjen e së cilës çdo gjë tjetër, çdo premtim dhe çdo  fushatë  elektorale nuk do të kishte kurrfar kuptimi dhe nuk do të shkonte përtej një propagande euforike që dinë ta bëjnë para elektoratit të varfur oratorët ballkanas.  

     Në rrethanat çfarë ndodhet Kosova është “fat” në fatkeqësi ta keshë një mërgatë të tillë të mrekullueshme. Të pakta janë komunitetet e huaja në Evropë të jenë kaq fort të lidhura me atdheun e tyre siç janë shqiptarët. Nëse udhëheqësit shtetëror, sado pak i këthejnë sytë nga ky “kopsht” shumë i pasur që quhet mërgatë, padyshim se  mund të vilet çdo gjë e mirë që i duhet Kosovës.   Me keqardhe mund të thuhet se aktualisht Kosova ka shkëputur të gjitha lidhjet me mërgimtarët e saj. Ata as nuk pyeten, as nuk dëgjohen e as nuk përfaqësohen në asnjë nivel shtetëror. E vetmja gjë që ka mbetur janë degët e lodhura dhe të shtrydhura të partive politike të cilat mund ti kujtohen dikujt vetëm në prag të fushatave elektorale. Prandaj askujtë nuk i falet një “harresë” e tillë dhe  një papërgjegjësi totale, duke filluar nga niveli shumë i dobët  organizativ, ndihma sado simbolike për nxënësit dhe  shkollën me mësim plotësues, e cila dekada me radhë vetfinacohet nga prindërit,  moskujdesja për regjistrimin e mërgimtarëve dhe pasurisë së tyre, e deri te paisja  me dokumente të udhëtimit.

     Për fat shumë të keq, mërgata shqiptare çdo herë është shikuar vetëm nga prizmi i interesit personal e partiak. Prej shumë vitesh nga kurbetçarët shqiptarë vetëm  janë vjelur para duke u thirrur në emër të patriotizmit, të partisë, lirisë dhe Kosovës. Asnjëherë dhe askush nuk ka dhënë llogari për mjetet e grumbulluara prej tyre. Me një fjalë, mërgata e sinqert, e mallëngjyer dhe e etur për lirinë dhe zhvillimin ekonomik të atdheut të saj, është manipuluar tej mase sa që sot shumë njerëz, qofshin ata edhe deputet nuk kanë kurajo t’i dalin përpara. Për pasojë, aktualisht mërgata shqiptare mbetet mërgata më e paorganizuar, me shumë halle e probleme të natyrave të ndryshme. Ajo është harruar e lënë pasdore krejtësisht.  

Procesi gjyqesore - Improvizim i demokracise

Siç është paralajmëruar, më 17 të këtij muaji, në Gjykatën Themelore në Podgoricë filloi procesi gjyqësor kundër të pandehurve për tejkalimin e autorizimeve gjatë aksionit policor "Fluturimi i shqiponjës", respektivisht kundër vetëm pesë anëtarëve të njësitit special të policisë së Malit të Zi, të cilët "forcën" e vet nën uniformën me stemën shtetërore e ushtruan mbi plakun pothuajse 90-vjeçar, ish-ndihmësgjyqtarin dhe qytetarin e shquar të Tuzit, tashmë të ndjerin Pjetër Zef Kaçelin Sinishtaj, përndryshe baba i dy të arrestuarve, vëllezërve Anton dhe Viktor Sinishtaj.

Jo shumë kohë më vonë Pjetri u sëmurë rëndë dhe vajti në paqen e amshuar, por me një plagë të thellë dhe të hidhur në shpirt, jo aq për shkak të arrestimit të bijve të tij, sa për shkak të poshtërimit dhe torturës që përjetoi në pragun e shtëpisë së vet, në shtratin e vet, në agimin e datës 9 shtator të vitit 2006. Presidenti i shtetit erdhi për t'i dhënë nderimin ditën e varrimit, mbase për t'i kërkuar ndjesë për shkak të plagëve të shkaktuara nga ruajtësit e rendit dhe qetësisë të shtetit, në krye të të cilit ndodhet.

Pra, procesi fillon vetëm kundër pesë pjesëtarëve të pandehur të policisë; po kundër të tjerëve? Ku mbetën edhe ata që shfrynë mllefin mbi Martin Franin Dedvukaj dhe Nikë Marashin Dedvukaj, po ashtu të moshës 90-vjeçare, të cilët një kohë jo shumë të gjatë pas shkeljes me çizme mbi fytyrët dhe trupat e tyre, të përballur me dhembje për shkak të lotëve të nipërve të tyre të mitur, vajtën nga kjo botë në paqen e amshuar, kurse përgjegjësit, të cilët i rrahën dhe i poshtëruan si asnjëherë dhe askush gjatë jetës së tyre të gjatë gati një shekull, nuk gjenden në regjistrin famoz të pesë policëve. Ku gjenden ata të cilët i kanë rrahur, torturuar dhe nënçmuar të arrestuarit, madje edhe në ambientet e gjykatës? Ku ndodhen ata të cilët kanë sharë dhe kanë fyer mbi baza nacionale dhe të cilët kanë shkelur mbi flamurin kombëtar, madje edhe mbi librat e shenjtë, fotografitë dhe letrat? Ku janë ata të cilët duke përdorur forcën, tentuan të nxjerrin me dhunë pranimin e fajit për veprat e pakryera? Ata ndoshta duhet t'i kërkojmë në rrethin e mbrojtur të atyre të cilët as pothuajse pas dy vitesh nuk arritën të dëshmojnë madje asnjërën nga pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohen të arrestuarit, apo në rrethin e atyre të cilët vetëm një ditë pas aksionit "Fluturimi i shqiponjës", trumbetuan në mënyrë ngadhënjimtare se si "kishin parandaluar luftën" dhe "kishin kapur terroristët", me çka arsyetuan tërë brutalitetin e aksionit.

Para disa ditëve shprehëm kënaqësinë që filloi ky proces, ndonëse me një paralajmërim (me letrën e kryeministrit drejtuar kongresistëve amerikanë) jo fort demokratik dhe popullor për të drejtën ndërkombëtare, sepse menduam se është gjetur filli i lëmshit të cilin së shpejti duhet çmbështjellur. Mirëpo, si duket ky është vetëm një copë e fillit të këputur, e cila nuk ka ndonjë rëndësi as për viktimat as për imazhin e Malit të Zi.

Me ngritjen e procesit vetëm kundër 5 pjesëtarëve të policisë me siguri me përgjegjësi më të vogël, fitohet përshtypja se synohet të fshehet përgjegjësia objektive e urdhërdhënësve, e njëkohësisht të imitohet "demokracia" dhe "shteti juridik", e gjithësesi në shërbim të mbrojtjes së "peshqve të mëdhenj", siç tha kohë më parë një diplomat i lartë i një shteti të huaj në Mal të Zi. Një fjalë e urtë thotë: "Thesi i zbrazët nuk mund të qendrojë drejt". Aktakuza e zonjës Radoviq kundër shqiptarëve është mbushur me prova fluide, të siguruara në mënyrë kundërligjore dhe si e tillë është boshe. Por për këtë arsye sigurisht do të mund të qendronte aktakuza kundër ekipit që i ka torturuar të pafajshmit, përfshirë edhe urdhërdhënësit, si dhe kundër atyre të cilët duke ditur se ka pasur torturë, por edhe me ngritjen e këtij procesi me të cilin synohet të pranohet vetëm një grimcë e përgjegjësisë për dramën që ndodhi në Malësi më 9 shtator 2006, tentojnë ta minimizojnë. Kjo quhet karikaturizim i demokracisë, sepse ende nuk ka përgjigje ndaj akuzave të shqiptarëve të pandehur në llogari të torturës. Përgjigja as që duket në horizont!

Ne nuk guxojmë ta heshtim as këtë fakt, sikurse nuk kemi heshtur as në rastet e mëparshme, duke besuar se zëri ynë do të arrijë deri tek ata të cilët na vëzhgojnë dhe duke iu falenderuar atyre, drejtësia mund të arrijë edhe këtu, nga e cila Mali i Zi si shtet i ri i cili është duke ecur drejt Europës, mund të ketë vetëm përfitime, që nuk mund ta pohojmë për individët, kreatorët e tërë kësaj kurdisjeje dhe njolle të zezë për Malësinë dhe Malin e Zi të quajtur "Fluturimi i shqiponjës".

(Lidhja Demokratike në Mal të Zi)

Leter e Ban Ki Mun për Tadic


VINI RE!!! Sekretari i pergjithshem i OKB Ban Ki Mun nuk e njeh Fatmir Sejdiun si president te Kosoves. Ne letren qe sapo ka derguar Sejdiut dhe Tadic, nuk përmend funksionin e tij si president, por përdorë shprehjen joautoritare e të pastatus shtetërorë “Ekselencës së Tij, z. Fatmir Sejdiu”, ndërsa Boris Tadiçit i drejtohet si “President i Republikës së Serbisë”. Gazetarucët e UNMIK-ut këtë letër e quajnë "sukses dhe fitore e demokracisë", ndërsa partiakucët e quajnë "gabim"?!

Leter e Ban Ki Mun për Presidentin serb, Boris Tadic idhur me rikonfigurimin e UNMIK

I dashur z. President,

Qëndrimi i Kombeve të Bashkuara rreth çështjes së statusit të Kosovës është
qëndrim i prerë neutral. Pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, disa nga vendet anëtare të OKB’së kanë njohur Kosovën si shtet sovran, të tjerat jo. Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të OKB’së vazhdon
të jetë në fuqi derisa Këshilli I Sigurimit të vendosë ndryshe.
Në mungesë të udhëzimeve tjera nga Këshilli i Sigurimit, dhe pas konsultimeve me Qeverinë tuaj dhe faktorëve tjerë të rëndësishëm, kam ndërmend të ushtrojë autoritetin që më takon në bazë të Rezolutës 1244 (1999), për të rikonfiguruar prezencën civile ndërkombëtare sikur ceket në raportin tim për Këshillin e Sigurimit (S/2008/354). Gjithashtu, dispozitat në vazhdim do të jenë aranzhime të përkohshme që do të vlenin për një kohëzgjatje të kufizuar dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.

1. Policia
Shërbimi Policor i Kosovës që operon në rajonet e rëndësishme me shumicë
serbe, duhet të raportojë tek policia ndërkombëtare nën autoritetin e
përgjithshëm të Përfaqësuesit tim Special.

2. Gjykatat
Gjykata shtesë të qarkut dhe lokale që do të shërbenin në hapësirat me shumicë relevante serbe mund të krijohen. Ato do të veprojnë në kuadër të sistemit të gjykatave të Kosovës, sipas ligjit që aplikohet, përbrenda kornizës së Rezolutës 1244 (1999).

3. Doganat
I dërguari im i Posaçëm do të përcaktojë, në konsultim me faktorët relevantë, një strukturë organizative që do t’i lejojë Kosovës të vazhdojë të funksionojë si një vend i veçantë me dogana, që do të përfshijë garancitë për një prezencë të vazhdueshme të zyrtarëve ndërkombëtarë doganorë në pikat e rëndësishme të doganave.


4. Transporti dhe infrastruktura
Një Këshill teknik koordinues, përfshirë Republikën e Serbisë dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm, do të krijohet nga Përfaqësuesi im i Posaçëm, për të drejtuar të gjitha çështjet teknike dhe kalimit të vijave kufitare, duke marrë
parasysh punën e grupit punues Prishtinë-Beograd në kuadër të dialogut
teknik.

5. Vijat kufitare administrative
Në përputhje me Rezolutën 1244 (1999), NATO’, si prezencë ndërkombëtare
ushtarake, do të do të vazhdojë të kryejë mandatin e saj ekzistues për sigurinë në tërë Kosovën, përfshirë kufijtë administrativë, së bashku me organizatat tjera ndërkombëtare.


6. Trashëgimia serbe

Kishës Ortodokse Serbe (SOC) në Kosovë duhet t’i jepet mbrojtje
ndërkombëtare. SOC në Kosovë do të qëndrojnë nën autoritetin direkt të
selisë fetare të saj në Beograd. Ajo do të ruajë të drejtën e veçantë të mbrojë dhe rindërtojë objektet e saj fetare, historike dhe kulturore në Kosovë. Republika e Serbisë do të vazhdoj bashkëpunimin e afërt me Kombet e Bashkuara dhe të gjithë trupat relevantë në ofrimin e mbështetjes për një mbrojtje të tillë dhe aktivitetet e rindërtimit. Sa i përket implementimit të dispozitave më lartë, i Dërguari im i Posaçëm do të dialogojë me Qeverinë tuaj.

Në këtë kontekst, i Dërguari im i Posaçëm, gjithashtu do të konsultohet me
vendimmarrësit tjerë relevantë, përfshirë autoritetet në Prishtinë. Në
pajtueshmëri me paragrafin 6 të rezolutës 1244, kam ndërmend të caktojë
Përfaqësuesin e ri konform rikonfigurimit të paraparë.

I vetëdijshëm për përkushtimin e Bashkimit Europian në rajon, kam ndër
mend të konsultohem me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, për të caktuar një rol operativ të Bashkimit Europian në implementimin e kushteve të lartcekura përbrenda strukturës së paanshmërisë rreth statusit të Kombeve të Bashkuara.

Mexhid YVEJSI, Gjakovë: 130-Vjetori i Lidhjes së Prizrenit

 ROLI I ULEMAVE NË LIDHJEN E PRIZRENIT    (1878-1881)

                All-llahu i Madhëruar e ka përcaktuar se kush janë besimtarë:
           “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hirë të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillët janë ata të vërtetët.”  (Kur’an, 49:15)

                Hyrje

      “Haj medet për kit Shqipni,
       Shtatë krajla n’ta janë hi:
          Karadaki me Serbi…”
                              -Popullore

         Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Rëndësia e madhe historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, madje edhe në tërë Europën.
              Lidhja Shqiptare e Prizrenit e zgjoi,  e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen  kombëtare shqiptare. Ajo me përpjekje të mëdha e ngriti këtë veprimtari në shkallën më të lartë, duke e oganizuar edhe luftën për autonomi-pavarësi…
            Lidhja Shqiptare e Prizrenit e çoj , e ngriti për herë të parë çështjën  kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.
            Trajtimi i drejtë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmban njohjen e kushteve dhe marrëdhënjeve politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në veçanti atë fetare.
            Feja, në veçanti feja Islame, prej shumicës së studiuesve, historianëve, nuk është përfillur. Nuk janë përfillur as institucionet e saj, as objektet e saj: xhamitë, teqetë, mejtepet, medresetë, ku janë zhvilluar veprimtari të ndryshme gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…
           Nuk janë përfillur as titujt e nderuar fetar si myfti, kadi, haxhi, myderriz,  hafiz, shejh, hoxhë, imam, mulla, dervish etj.
           Gjithashtu, nuk janë përfillur as dijetarët e saj ose ulematë shqiptarë…
           Ulematë shqiptarë, jo vetëm që nuk janë përfillur, por janë përbuzur,  janë nënçmuar, madje edhe janë akuzuar si “turkoshak”, “turkofil”, “turkoman” “sulltanistë” edhe me emra tjerë edhe më të pistë…!
            E vërteta është se, ulematë shqiptarë ishin mendja, zemra dhe
shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

           Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit do të kuptohet më mirë kur të kuptohen, pranohen dhe zbatohen, në jetën e përkohëshme tokësore, porositë e përhershme hyjnore.
          Religjioni ose feja, sipas enciklopedistëve anglo-amerikanë, është faktor përcaktues për jetë a vdekje, qoftë si individ apo si shoqëri, dhe në gjirin e saj ajo përfshinë gjërat më themelore: rregullin dhe domethënien e jetës…
           Feja, sipas William James-it, psikolog amerikan, na jep siguri dhe lumturi në jetë, në marrënënie me të tjerët është burim dashurie.
           Mungesa e besimit, e dashurisë sjellë urrejtje. Urrejtja  sjellë sëmundje. Njerëzit e sëmur kanë nevojë për t’u shëruar dhe jo për të shkruar histori të shtrembëruar…!
           Traktati i Paqës, i imponuar, ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane i shkëpuste rreth 80 përqind të territorit që Turqia kishte në Gadishullin Ballkanik, gjysmën e trojeve shqiptare…
          Me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit me 3 mars 1878, me vendimet e Kongresit të Berlinit, 13 qershor-13 korrik 1878, Perandoria Osmane përjetoi tronditje të mëdha politike, bashkë me te edhe shqiptarët që ndodheshin në përbërje të saj…
          Kombit shqiptar dhe trojeve të tyre etnike nuk  ju dhanë kurrfarë rëndësie prej kancelarive të Fuqive të Mëdha, madje ata e kërcënonin se do ta coptonin…
          Thënia që i atribuohet Bismarkut se : ” Nuk ka komb shqiptar, Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike” e dëshmon gjendjen e shqiptarëve shumë katastrofike…
         Në fakt, ky problem i ruajtjes së tërësisë së Shqipërisë kishte filluar në vitet e Krizës Lindore 1875-1878…
            Shqiptarëve rreziku më i madh i vinte prej vendeve fqinje: Italia, Greqia, Bullgaria, në veçanti nga Sërbia dhe Mali i Zi…
           Poeti i madh, prifti i lartë katolik-françeskan, Gjergj Fishta, duke e parë rrezikun nga fqinjtë, te kryevepra e tij “Lahuta e Malcis” u drejtohet shqiptarëve:

               “Por, pse na të vogjël jemi
                 Pse fis e vlla nuk kemi
                 Na sod shkjaut s’mund t’i bajmë ballë
                 Qi po do t’na përpijë gjallë,
                 Prandej, thom se e lyp e mara
                 Qi dhe sot na, si përpara,
                 Të rrim njit me mbret t’Stambollit
                 Për me i bamun ballë Nikollit…”

              Poeti i madh i kombit, prifti i lartë i Kishës Katolike, Gjergj Fishta, vetë e shikonte Mbretin, Sulltanin, Turqinë, Stambollin, në atë periudhë të vështirë për shqiptarët dhe trojet e tyre, si shpëtimtar dhe si një faktor i bashkimit kombëtar, përballë fqinjëve serbo-malazezë…
            Në këto rrethana shumë të ndërlikuara, ulematë shqiptarë me veprimtari e dëshmuan atë që besuan.
           Ulematë shqiptarë ishin zhveshur nga gjërat e kota, që rrjedhin nga bota; ata me shembullin e vet, me besim, me dituri, me pasuri, dëshmuan me devotshmëri se për shqiptar nuk ka jetë pa Shqipëri… 
           Ulematë shqiptarë i filluan përgatitjet për themelimin e një lëvizje politike-ushtarake, që në muajin mars të vitit 1878. Mbledhjet u mbajtën nëpër xhami, teqe, mejtepe dhe medrese…
            Kuvendi themelues, Kuvendi  i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u organizue prej ulemave. Ulematë ishin mendja, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Të gjitha komitetet e Lidhjes, apo degët e saj, që ishin themeluar në të gjitha qytetet shqiptare, ishin organizuar prej ulemave, prej Gjakovës deri në Shkodër, nga Prishtina deri në Dibër, që u përhapen me të shpejtë edhe në Shqipërinë e Jugut, deri në Janinë…
          Në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku muarrën pjesë rreth treqind përfaqësues, edhe nga Sanxhaku e Bosna, prej tyre dihen emrat e rreth 150 përfaqësuesve, 96 ishin nga Kosova, 26  nga Vilajeti i Shkodrës, të tjerët nga Vilajeti i Manastirit dhe i Janinës, shumica prej përfaqësuesve ishin ulema…
          Dega e Gjakovës kishte shumë ulema, prej tyre dallohen, Kadiu i Gjakovës, Ahmed Efendi Korenica, Myfti i Gjakovës, Ismail Efendi Yvejsi, Myderriz Hasan Efendi Shllaku, Baba Ademi i Bektashinjve, Shejh Emini i Sa'adive…
         Dega e Shkodrës kryesohej nga Myderriz Daut Efendi Boriçi (1825-1896) i cili kishte mbështjetje nga Myftiu Jusuf Efendi Tabaku.  
         Dega e Ulqinit kishte në kryesi dy veprimtarë të shquar, Hafiz Salih Hylja dhe Hafiz Tamizin…
         Dega e Pejës përfaqësohej nga Myderriz Haxhi Zeka…
         Dega e Prizrenit kryesohej nga Myderriz Ymer Efendiu.
         Dega e Mirovicës nga Myderriz Osman Efendiu dhe Myderriz Ali Efendiu…
         Dega e Prishtinën përfaqësohej nga Myftiu Zejnel Abedini.
         Bajrakun e Lubinës e kryesonte Mulla Hasani
         Tetova përfaqësohej nga Shejh Mustafa
         Dega e Dibrës  kishte veprimtarë Hoxhë Moglicën dhe Shejh Hysenin…
          Dega e Shkupit kishte veprimtar të dalluar Myderriz Abdyl Efendiun, i cili ishte myderrizi kryesor i Shkupit, që u burgos me Abdyl Frashërin në muajin prill, 1881 në burgun ushtarak, në Kalanë e Prizrenit, kur Dervish Pasha hyri në Prizrenin…
         Në të gjitha degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në katër vilajetet shqipare, ulematë ishin shtylla kryesore e tyre. Disa ishin, siç thuhet sot, më të moderuar, disa më konservatorë, disa të tjerë më radikal. Por, secili prej tyre ishte i veçant…
         I veçant ishte Myderriz Haxhi Ymer Prizreni, me tipare luftarake, por edhe me ndikim të madh shoqëror, kulturor e pedagogjik, i përafërt ishte edhe Myderriz Haxhi Zeka, dy nga figurat më të shquara të ulemave në Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
         Ulematë shqiptarë përveç organizimit, drejtimit dhe fuqizimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, zhvilluan edhe veprimtarinë kulturore-pedagogjike.
         Prej themelimit, prej Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili i zhvilloj punimet në Xhaminë Bajrakli, jo aty në atë shtëpinë e vogël, e cila ishte mejtep (mësojtore), dhe deri në shuarjen e saj me luftë, prill-maj, 1881, ulematë ishin ata që i shkruan
shumicën e akteve, peticionet, memorandumet, shkruan, përpiluan, hartuan, Kararnamen (Akt-vendimin), Talimatin (Urdhëresat) etj. Prej  këtyre shkruesve dallohen ulematë pedagogë, që ishin puntorë të arsimit, pra ishin myderrizët, si myderriz  Ymer Prizreni, myderriz Ismail Efendi Yvejsi, myfti nga Gjakova, myderriz Ali Efendiu nga Mitrovica, Myderriz Daut Efendi Boriçi nga Shkodra etj.
           Ulematë ishin frymëzuesit, organizuesit, e protestave kundër vendimeve të Kongresit  të Berlinit, që po vendosnin të coptonin trojet shqiptare. Ulematë ishin frymëzuesit, kur e lypte nevoja, edhe të luftës së armatosur. Ngjarjet e Gjakovës, që e tronditën Europën, shtator, 1878, ku u vra  përfaqësuesi i Turqisë, gjenerali Mehmet Ali Pasha me Abdullah Pashë Drenin, mikpritësin nga Gjakova, dhe qindra të tjerë, ishin frymëzuar nga Myderriz Ymer Prizreni, nga Kadiu i Gjakovës, Ahmed Efendi Korenica dhe disa ulema të tjerë…
            Kështu ndodhi edhe në mbrojtjen e Plavës, Gusisë, të Ulqinit. Në luftën që u zhvillue në Slivovë e Shtimle, prill, 1881, ku u vranë dhe u plagosën rreth 1200 luftëtarë, mes tyre edhe Mic Sokoli, aty u zue gjallë Mulla Hyseni, i cili u ekzekutue pa gjyq, me Ali Nimanin, oficier, dhe Sefë Kosharën…
            Shpirtin luftarak të ulemave, pa dyshim, e përfaqëson, përveç të
tjerëve, Myderriz Haxhi Ymer Prizreni.            
             Aristoteli (384-322) thoshte se poezia është më filozofike, më e vleshme se historia, sepse poezia priret të shpreh të përgjithshmën, kurse historia të pjesërishmën.
              Në një poezi, këngë trimërie popullore, që i kushtohet Myderriz Haxhi Ymer Prizrenit, para betejës në Qafë t’Morinës, afër Gjakovës, pranverë, 1881, mendoj se shprehet mjaft bukur e përgjithshmja për ulematë…       
        
 Kush ja jep mretit ni plum

(Kushtuar Myderriz Haxhi Ymer Prizrenit)

Ymer Efenija, trim shqiptar,
Sylejmani ni komandar,
I tubuan tre mi’ luftarë,
Tanë malsorë, n’plisa t’bardhë,
N’Qafë t’Morinës kokan dalë,
Sylejmani majti fjalë:
- Ngoni ju vllazën shqiptarë,
Do t’i dalim turkut përballë;
Dervish Pasha n’Gjakovë a ardhë,
Për m’i zanë krent, m’i vjerr’ vet,
Me coptue kët ven t’shkretë.
- Efeni, çka me ba,
A ban turkut pushkë m’i ra?
Myderrizi kish pas thanë:
- Kur asht fjala për vatan,
Jo veç turkut e atij tjetrit,
Po ni plum kush ja jep mretit,
Ka me shkue n’lule t’Xhenetit!
Fjalët e hoxhës kur i nguen
Të tanë burrat n’kam u çuen,
Lidhën Besë e pajtuen gjaqe,
- Me ven tonë s’ka pazarllaqe...!                          

      All-llahu i Madhnueshëm e ka përcaktuar kush janë besimtarë:
    “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hirë të All-llahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillët janë ata të vërtetët.”  (Kur’an, 49:15)

     Me pak fjalë, ky ishte roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, këtë nuk duhet harruar, as nuk duhet lejuar të tjerët ta harrojnë, sepse e harrojmë vetveten….

Burimet dhe literatura kryesore:

1. Noel Malkolm, Kosovo a short history,
    Harper Cillins, 1999
2. Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939
3. Ali Hadri, “Kontribut për ndriçimin e “L.P.”
    “Përparimi” Prishtinë, 1967
4.Vjetar, Nr.XII-XII, 1981, Prishtinë, Arkivi i Kosovës
5.Gjurmime albanologjike, Nr.32-32, 2001-2002
    Seria e shkencave historike
    Instituti Albanologjik i Prishtinës
6. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës
    Konferenca Shkencore e 100-Vjetorit
    të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
    Referate dhe kumtesa të mbajtura në Sesionin e Historisë
    Prishtinë, 6-9 qershor 1978,  Prishtinë, 1981
7. Feja, Kultura dhe Tradita Islame Ndër Shqiptarët,
   (Simozium ndërkombëtar-15,16, 17 tetor 1992, Prishtinë)
    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës
    Redaksia e botimeve historike, Prishtinë, 1995
8. Kristo Frashëri,
     Lidhja e Prizrenit (1878-1881), Tiranë, 1956
9. Selami Pulaha,
    Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për
    krijimin e provincës autonome të Shqipërisë
    “Studime historike” 2, Tiranë, 1978
10. Universitet Shtetëror i Tiranës,
      Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë
      Historia e Popullit Shqiptar
      Vëllimi i Dytë, Hartuar si tekst nga:
      Selim Islami dhe Kriso Frashëri, Prishtinë, 1968
11. Vjetar, Nr. XXXV-XXXVI, 2006, Prishtinë, Arkivi i Kosovës
12. Gjurmime albanologjike,
       Seria e shkencave historike Nr. 10, Prishtinë, 1981
13. Qemal Mataj
       Ymer Prizreni (1820-1887), Prizren, 2002
 14. Nuredin Lushaj
       Këngë trimërie nga Tropoja, Tiranë, 2003
15. Instituti Albanologjik i Prishtinës
  Këngë Popullore të Rilindjes Kombëtare, Prishtinë, 1978

 

 

 

 

 

 

 

Himni i Kosovës

Aty ku flet "kosovarçe" nëna
Ku nuk shndrit kurrë dielli as hëna
Aty ku nuk të ndahet kurrë gazepi
Ku zot i vërtet është minoriteti

Aty ku udhëheqin
Llapi e Drenica
Aty ku flamuri
I ka 6 zvezdica

Aty ku dikujt
I bën ve dhe knusi
Vendi me flamur
Si Miki Mausi

Aty ku meshkujt
Martohen ndër vete
ku falen traktorë
për minoritete

Aty ku të vdekurit
I thonë rroftë Rugova
“shtet” multietnik
Me emrin Kosova

(Demir Reshiti, Prishtine - 2008)

PAVARËSIA E   MBIKQYRUR

Nëse UNMIKU, ta ngarkon në shpinë një samar –
Ti,  hesht  dhe mos thuaj se je shqiptar !

Nëse UNMIKU, ta shtron  sofrën  me bar –
Ti, haje dhe thuaj “Unë jam kosovar!”

Nëse UNMIKU, të kërkon identitet –
Ti, përkulu dhe thuaj “Unë jam minoritet!”

Nëse UNMIKU,  të  imponon  flamur kosovarë –
Ti, mburru se ke vetëm një yll të bardhë!

Nëse UNMIKU,  të  imponon  ndonjë himn pa krip –
Ti, luaj me instrument, veç  mos  këndo shqip!

Nëse UNMIKU,  ta heq nga shtiza shqiponjën –
Ti, ule kokën dhe gjithnjë mbylle gojën !

Nëse UNMIKU,  të jep ngjyra pa kufi –
Ti, harroje përgjithmonë ngjyrën kuqezi!

Nëse UNMIKU, t’i mbushë xhepat me flori –
Ti, nuk guxon të shkruash histori!

Nëse UNMIKU, të  qet në  staf ma të  parin –
Ti, nuk guxon ta përmendësh Adem Jasharin!

Nëse UNMIKU,  t’i  imponon  festat ndërkombëtare –
Ti, nuk guxon t’ i festosh festat kombëtare!

Nëse UNMIKU,  të pranon në Internacionale –
Ti, nuk guxon t’ këndosh këngë  nacionale!

Nëse UNMIKU, ta  zgjidh  ndonjë çare –
Ti, nuk guxon ta përmendësh luftën çlirimtare!

Nëse UNMIKU, sjell këngë  të  mbarë globit –
Ti, nuk guxon t’ këndosh për heroit e kombit!

Nëse  s’ do UNMIKU,   n’ Pavarësi  për  t’ prekur –
Ti, ha si i gjallë, e rri si i vdekur !

Gjilan, më 21 Maj 2008.    

Demir KRASNIQI

Media, pushteti, etika

Gazetaria peng e politikës dhe interesit të individëve !

Marëdhënia ndërmjet qeverisë dhe  gazetarisë ka në themel kundërshtinë dhe se shumica e gazetarëve  e preferojnë atë të tillë.
R.A. Bamsted
Zejdush Kastrati

Edhe në kohën e monizmit ka pasur gazetarë dhe gazetare  të cilët pa hezitim kanë shkruar dhe kanë  edituar tema që kanë    pasur si “brum”, fenomenet devijante dhe deformimet shoqërore  gjatë asaj kohe.
Edhe pse atë kohë mediat kanë qenë  organ të LSPP-së (Lidhjes Socialiste të Popullit Punues) apo të organeve tjera shtetërore ,   përkundër “epitetit”  se gazetarët ishin  “punetorë shoqëroro politik”,në   TV Prishtina,gazetën” Rilindja”    Radio Prishtina, por edhe revista tjera që  botoheshin aso kohe  ,  kishte    njerëz të penës , ekranit apo që përmes  valëve të Radios , në  momente kyqe  dhe  shumë  të vështira , shprehnin dhe prezentonin realitetin para  lexuesve,  dëgjuesve apo shikuseve.
Pa I cekur me emra, dhe pa qellim  që të  lavdëroj disa   gazetarë  të asaj kohe  , që openioni I gjërë  I asaj kohe  I njeh,mund të them se  tani kur Kosova  ka instutucione që  në “letër” quhen demokratike,kur  të gjitha mediat   promovohen”të pavarura”,kur  fenomenet   devijante  në të gjitha sferat janë   shtuar dhe shumëfishuar, fatkeqeishtë disa  media kosovare  e në veqanti disa  editorë , disa themelues  por edhe disa redaktorë janë  jo vetëm imune por edhe  pjesë e klaneve dhe  aferave  që për angazhim të një  gazetarie hulumtuese dhe të mirefilltë  mund  te jenë top   tema mediatike dhe   shumë ineteresante   për raporte, shkrime ,  storie  por edhe emisione ekskluzive që ne tregun mediaktik  pa dyshim do te benin “bum”.
Nuk  kam nostalgji për atë kohë e cila  kur mos u krtheftë meqë e kam përjetuar në lëkure( me vjen keq që po e përsonalizoj), por  nëse atë kohë  gazetari ka arritur të  shkruaj ,  të botoj, editoj   nje fenomen devijant atëhere ka qenë e pamundur që nga institucionet  e asaj kohe   të mos ndeshkohet  apo të mos ndermiren masa ndaj  atij  politikani,  kryetari komune, komitetliu,drejtori, profesori, ingjinieri, studenti , nxënësi apo kushdo qoft ai, e që është perfolur dhe ka qenë   pjesë  e atij shënimi.
Nuk do të thotë se edhe autori,përkateishtë  artikullshkruesi, redaktori por edhe kryeredaktori  e  herë- herë edhe drejtori    I mediumit  ku është botuar  shkrimi, edituar    apo  emetuar raporti “problematik” nuk kanë  pësuar  duke ndërmarrë masa që atë kohë  ishin kryesishtë “zakljucka” te komitetit  por    në opinion  eksistonte  një bindje se  institucionet janë ne “nivelë “ te detyrës  dhe se po veprojnë sa I perket luftimit të këtyre deformimeve.
JO vetëm tani,  por  gjatë tërë kësaj periudhe pas përfundimt të   luftes, ,pjesa më e madhe e mediave në Kosovë, qofshin ato elektronike apo të shkruara  janë familjarizuar aq shumë me institucionet”demokratike” të Kosovës, me  klane e grupacione politike , me liderë institucional  e jashtëinstitucional, me grupe të interesit dhe misioni I tyre   më shumë është “ dezinformimi”  “mbulimi I aferave” dhe  “heshtja”, se sa informimi  dhe prezantimi  pa kompromisë  I fakteve dhe gjendjes reale  si obligim dhe detyrë  primare I tyre .
Kur para ca kohësh pata siguruar një material voluminoz  dhe shumë  komplet e të përgatitur në menyrë profesionale  nga njësiti për krime të rënda I Policisë së Unmikut dhe SHPK-së,me të dhëna  shumë specifike për involvim të  disa zyrtarëve të lartë  në afera koruptive , dhe   fillimisht pata biseduar me    katër  pronarë të mediave më te”pavarura” ne Kosove , të cilat për cdo ditë na”bombardojnë” me shkrime  për  profesioanlizëm, korektësi, dhe  patriotizëm, pothuaj që të gjithë  vetëm lexuan  dosjen,deklarativishtë ofruan bashkëpunim, por asnjeri nuk pati guxim të  botojë, përkatësisht të editoj në mediumin e tij. Bile ,njëri nga ta më “trathtoi” keq, meqë  kërkoi që mundësisht tia japi ballinën e  dosjes me arsyetim se do ta pergatisë për   spot propagandistik gjatë paralajmerimit në Tv, por në te vertet ai po atë ditë  ishte musafir “nderi” ne Shtabin e policisë se Unmikt,per cka  nga  hulumtimet e mëvonshme kam pasur informata se  kjo dosie  “urgent” është  “konfiskuar ”  nga  po kjo polici për kinse  hulumtime  dhe kompletim shtesë, por në realitet aferës I vinte era “politikë”.  
Kam pasur rastin të takoj dhe te bashkebisedojë  ne qytet  apo ne ndonje ndej rasti  me disa gazetarë  të cilët janë te shkelqyeshem dhe  e  njohin këtë zanat , gjithashtu edhe të lexoj ne disa media  disa shkrime shume te guximshme  dhe profesionale  ,  si dhe të  punoj në  një radaksi me disa  te tjerë  ,te cilët  kisha dashur qe askush të mos jetë ne lëkurë të tyre, meqë   për shkak të gjendjes së vështirë  materiale, e në veqanti nga frika se  do ti largoj nga puna themeluesi, perkateshit pronari  jane “shitur lire”  dhe bejnë “punën  e dreqit”,me shpresë se do të vijne kohë  më të mira.
Gazetaria nuk bëhet kur  gazetari apo mediumi  percjell kryetarin , Kryeminstrin , apo minstrat e qeveriatert tjerë në perurime dhe  takime protokolare,por kur sidomos  për te gjithë keta zyrtarë shkruan e raporton “pa dorza” se cka bejne  ata   “pas dere”, cili ka bërë më shumë pasuri,cili ka rrejtur dhe po e rrenë më shumë këtë popull, cili  nga ta eshte  “Don Zhuani” I Kosoves,….   

(Autori është gazetar I pavarur)    

Adem Demaçi dhe hierarkia e vlerave

Nga Sadri Ramabaja



Liria është koncepti më qenësor, më kompleks në tërë korpusin e mendimit politiko-filozofik. Ndërkaq nocioni vlerë, që nga antika e deri sot, është objekt i studimeve kontraverse. Për Epikurin ishte dëshira, gjakimi për lëvizje përpara ai motori nxitës, që konsiderohej si vlerë e veçantë. Me gjakimin për liri, Adem Demaçi mund të vlerësohet si një pasues i denjë i kësaj shkolle filozofike, prej së cilës kishte përfituar mendimi platonian mbi të mirën. Por, ngjashëm me Kantin, edhe Demaçi, si dje, edhe sot, vazhdon të mbetet kërkues i “vlerës absolute”, që për atë është Liria. Në shërbim të kësaj filozofie, pra në kërkim të lirisë si vlerë, ai ishte angazhuar me tërë qenien, që në moshë të re, pa kompromis, duke u shndërruar me kohë në një Promete kosovar dhe njëkohësisht simbol të rezistencës.
Për brezat e një pjese të klasës aktuale politike, ai ishte shndërruar me kohë në figurë simbol. Ndërkaq, vetë angazhimi i tij në cilësinë e përfaqësuesit politik të UÇK-së, respektivisht me detyrën për ndërtimin e strukturave funksionale të shtetit edhe në kohë lufte, ishte mëtim për ta kthyer nga një vlerë “platoniane”, në një vlerë reale, në funksion kognitiv.
Në përditshmërinë tonë politike, për sa kohë vlerat ishin njësuar me antivlerat, jo rrallë nocioni vlerë politike merrte ngjyresat e një konflikti kuazi-akademik, duke zënë në gojë, madje edhe pa shkas, shprehjen oportune se për vlerat, si për shijet, nuk mund të diskutohet. Krejt kjo, pa mëdyshje, ishte në shërbim të “shpëlarjes së trurit” dhe me këtë edhe të zgjatjes së jetës së pushtuesit. Në këtë kuadër të diskursit politik kosovar të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, do shikuar edhe nocionet “besnikëri”, “partikularizëm politik”, “demokraci”, “pluripartizëm”, “institucione fiktive” etj., që në rrethana tashmë të njohura historike krijoi predispozita të ngritjes së antivlerave kudo dhe gjithandej (në art, kulturë, politikë...).
Por, ky ambientim i kësaj mendësie oportune kuazi-akademike pati konsekuenca shoqërore dhe politike të mëdha në kuptimin më negativ të fjalës. Kjo mendësi i pati zënë frymë demokracisë autentike dhe me këtë edhe krijimit të parakushteve për çlirim. Rigjiditeti politik autoritar kishte arritur në atë pikë sa e kontrollonte me lehtësi çdo gjë! Ky rigjiditet parapolitik madje kishte përgjumur përkohësisht edhe lëvizjet e organizatave studentore, për t’u përmendur tek më 1 tetor 1997, kur heshtja u thye përfundimisht. Ky veprim i lëvizjes studentore i kishte shërbyer shumë prosperimit të UÇK-së. Nuk do të vonojë dhe zëri i kësaj politike që kishte selitur me kohë Demaçi, do të artikulohej sy e faqe botës, në mes të Prishtinës. Ai po pretendonte që vlerën reale politike që ka liria ta sjellë në bunacën politike të kryeqendrës, duke ia bërë me dije diplomacisë evropiane dhe më gjerë se liria kolektive (jo vetëm individuale) si vlerë absolute moderne mbetet gjakimi i këtij populli. Ndërkaq, krijimi i shtetit në përputhje me konceptin hebre mbi lirinë ishte kryetema politike që mbronte Adem Demaçi dje dhe sot, pa rënë ndesh me të drejtën e popujve për “pushtimin e lirisë”, në përputhje me konceptin e Xhon Lokut mbi lirinë.
Shih për këtë, vendimi i Qeverisë Thaçi për fillimin e vendosjes së rendit në hierarkinë e vlerave reale, konform filozofisë shtetformuese, duke filluar së trajtuari historinë dhe ata që e kanë bërë atë, është një ogur i mirë për Kosovën. Ky gjest sigurisht se do vlerësuar edhe si mesazh kuptimplotë për brezat që vijnë në raport me vlerat që ka Kosova dhe vendin e tyre në histori. Ky gjest gjithsesi meriton të vlerësohet dhe përshëndetet publikisht edhe nga zërat opozitarë. Ai dëshmon, përveç tjerash, se politika jonë institucionale po kalon kapërcyellin e të bërit politikë për vete, në dobi të konceptit të strategjisë shtetformuese. Kështu natyrshëm bëhemi pjesë e hemisferës së kulturës politike perëndimore, ku legjitimiteti i rendit demokratik si princip që kërkon ta njohë të mirën te njeriu është produkt i filozofisë politike ku mbështetet struktura e shtetit modern evropian.

Me shkas

Mjekut -më shumë shkop sesa karrotë !

Shqiptar Demaçi-mjek në QKUK

Prej pozitës  së kryeministrit është ca si lehtë të bëhet me gisht në drejtim të mantelbardhëve.Por , do ta pyesnim kryeministrin:  Po ku he burrë i dërgon për  trajtim mjekësor  Qeveria  zyrtarët e vet dhe familjarët e tyre. Në QKUK dhe në Institucionet shëndetësore publike kosovare  apo në Shkup, Turqi, Gjermani  dhe në ato private? ! Mund të përgjigjemi menjëherë se në gishta mund t’i numrosh familjarët e qeveritarëve që mjekohen në QKUK.  Pse - do të pyesnit?! Sepse qeveritari nuk denjon të mjekohet në kushtet e rënda në QKUK , aty ku po dilka “edhe më i sëmurë se ç’ishte”. Ata e dinë se nuk ke se me çka t’ia zbusësh dhimbjet dhe hallet shëndetësore  pacientit kosovar  të dërrmuar shpirtërisht dhe materialisht. Për këtë gjendje - hise të madhe të meritës  kanë Qeveritë e mëparshme e si duket do ta ketë edhe kjo e tashmja.
Keqmenaxhimi  buroi nga majat më të larta të establishmenteve të kaluara e besa edhe të qeverisë së tashme. Monopoli i  barnave dhe materialit shëndetësor  e instrumentariumit me burokraci të skajshme e pa nikoqirllëk të buxhetit ekzistues për shëndetësi , keqpagimi e madje edhe thyerja themelore  të të drejtave të punëtorit si psh. të specializantëve në QKUK që 2-3 vjet  – të cilëve prej 4-5 kujdestarive 24 orëshe në muaj , dy nuk u paguhen fare!!!  Pra, kësaj i thonë shkop po - e karrotë pak.
Kryeministri po ta kthente gishtin e qortimit pak më shumë kah vetja dhe stafi që drejtonte në Mbledhjen me drejtorët e Klinikave mbase nuk do të gabonte fare. Mjekësia nuk mbahet me qortime e drejtime gishtash të qortimit dhe me gjueti në fajtorë ,por me zotim,aksion,kalkulime e investime reale dhe mbikëqyrje të punëve të kryera.
Para dy vitesh u mbajt greva e punëtorëve shëndetësor adresuar Qeverisë dhe Minsitrisë së Shëndetësisë,u adresua Apeli i Mjekëve të QKUK(120 të nënshkruar)  ku u paralajmëruan  rreziqet që na kanoseshin (këto që po i përjetojmë sot) ,por me makinacione të “shkathta”dhe me urdhëra të prera të Qeverisë , mjekët  iu kthyen punës në kushtet e atëhershme mizerabël. Sot në fakt kemi ngalur si “terzia pa pe” dhe pacientët duhet të blejnë vetë materialin shëndetësor. Nuk shfryrtëzohet madje as 30% do të thosha e energjisë së mjekëve në QKUK.Kushtet e punës tani nuk janë as minimale për punë në QKUK. Madje edhe kushtet për improvizime po shterrojnë. Kryeministri dhe ministri i shëndetësisë më e udhës do të ishte t’i pyesin për hallet e tyre pacientët pranë shtratit të tyre . A ka më keq. Ka, po si jo. Po të ndodh ndonjë katastrofë me shumë të lënduar do të bëheshim problem humanitar ndërkombëtar  që në minutin e parë. A ka zgjidhje? Natyrisht ,veçse më parë duhet ecur nëpër  tokë  dhe duhet të ishim të sinqertë.

29.04.2008

Gazetari hulumtuese apo destruktive e një segmenti të gazetarëve të RTK-së? ( RKL)

Duke përcjellë emisionin “Jeta në Kosovë” të autores, Jeta Xharra dhe ekipit të saj brenda RTK-së, gazetarët, analistët dhe të gjithë ata që merren me problematikën e medieve mund të mësojnë se deri në ç’ nivel arrin imponimi dhe përdhunimi i shprehur përmes medieve, ku ato bëjnë punën e klaneve të profiterisë dhe ku “ligji”, në emër të gjoja lirisë së gazetarisë po lejuaka madje edhe formën më të vrazhdë të plasimit të gënjeshtrave dhe opinioneve qoftë edhe kundër përfaqësuesve të pushtetit.
Jeta Xharra, autorja e këtij emisioni, fillimisht nga BIRN-i ka botuar shkrime ku flitej për “mungesën e ligjit” në Kosovë, për krimin e organizuar për “krimet” që ka kryer UÇK-ja e të tjera. Në kohën kur u dërgua në Hagë, Fatmir Limaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij, ajo heshti. Heshti edhe në kohën kur u dërgua në Hagë Ramush Haradinaj, po ashtu me dy bashkëluftëtarët e vet, por nuk heshti në kohën kur tinëz e pabesisht u vra Enver Haradinaj. Atëbotë, kjo Jeta e Xharrëve vrasjen e “identifikoi” si luftë brenda fiseve e klaneve të shqiptarëve, madje duke bërë edhe apostrofime të papërgjegjshme dhe të palejueshme. Çuditërisht, shpallja e pafajësisë së Limajt e Haradinajt nuk i bëri fare përshtypje kësaj “analisteje” të zellshme të BIRN-it dhe RTK-së, ku është tubuar ish-kruzhoku informativ titiste dhe rankoviçist, si dhe shumë nga bashkëpunëtorët e bijtë e regjimeve okupatore.


E orientuar në segmentin e gjoja gazetarisë hulumtuese dhe “ballafaqimit” të opinioneve kjo gazetare, që zbaton për mrekulli dhe me servilizëm politikën e disa qarqeve të administratës ndërkombëtare, i jep liri vetes të fyejë dhe të diskreditojë të ftuarit, të përçmojë dhe t’i zhantazhojë ata, të cilët bëhen vetë pre e gjuhës të pakulturuar dhe të paemancipuar të kësaj biçim gazetareje.

Emisioni i fundit në RTK mes tre ministrave të Qeverisë dhe tre përfaqësuesve të partive të opozitës, ishte shembulli më ilustrues i përpjekjeve për ta diskredituar punën në 100 ditët e para të Qeverisë, madje edhe me montime të fabrikuara, me reportazhe të parapërgaditura dhe krejtësisht të paragjykuara.
Është për të ardhur keq, përse të ftuarit, sidomos “Çeliku” i dikurshëm i UÇK-së i lejon veten të bie në gracka të tilla, të cilat shfaqin krejt qartë tendencat për të mohuar dhe për të satanizuar gjithçka nga puna e Qeverisë dhe aspak për t’ iu rrekur problemeve të vërteta e mjaft të mprehta, me të cilat ballafaqohet jeta e vërtetë në Kosovë.
Është me të vërtetë për keqardhje kur një personazh i gjallë i kthesave më të mëdha historike, që kanë ndodhur në Kosovë, në emër të transparencës lejon veten të ballafaqohet me një nivel të tillë të llaskuriqeve, ku dinjiteti njerëzor pëson goditje qysh në ballafaqimin e parë, duke u ndeshur me gjuhën e ndragur, me shprehje diskrete të nivelit të “mejhaneve”, mungesën elementare të kulturës së shprehjes, me arrogancën e një gazetareje të kompleksuar e cila i prin një ekipi të llojit të vet.

Përpjekjet që po bën kjo gazetare për të nxirë çdo gjë që mund të nxihet, për të diskredituar sidomos një klasë të caktuar qeveritarësh, jo vetëm të qeverisë së sotme, natyrisht se bëhen me qëllime të caktuara dhe natyrisht se kjo Xharra me ekipin e xharrëve merr përfitimet e caktuara nga këto qarqe, të cilat nuk janë edhe aq të pa paidentifikueshme dhe të cilat po pretendojnë ta instalojnë në Kosovë një model të çoroditur të një shoqërie hibride, të zhveshur krejtësisht nga morali kombëtar, fetar dhe njerëzor. “Jeta në Kosovë” i prin kësaj nisme e cila financohet nga masonët vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllime tashmë të tejdukshme, në rrugë për ta shpërfytyruar moralin tradicional. Efektet e para të këtij shpërfytyrimi përmes RTK-së janë evidente

Gazetaria e tillë destruktive, përçarëse, e shprehur me fjalorin më të ndragtë të “mejhaneve” dhe “ish-pivnicave” të Prishtinës, nuk i bën nder gazetarisë së Kosovës, këtij vendi me një të kaluar tejet tragjike, i cili ende po ballafaqohet me shumë halle e probleme të pazgjidhura jetësore, të një shoqërie të re e të brishtë, e cila po lëkundet në shtratin e vet të pasigurisë, të ekzistimit të diferencave marramendëse sociale, të shtimit enorm të papunësisë dhe të krizës së përgjithshme ekonomike.
Problemet e vërteta e të mprehta të pranishme në vendin, të cilat kanë për detyrë t’i trajtojnë gazetarët e ndershëm dhe të sinqertë, janë tejet evidente dhe të shumta. Ka vend për kritika dhe denoncime të çdo lloji, por jo me fjalorin e rrugëve, jo me tendenca për të diskredituar, për të përçmuar e për të përbuzur, me të vetmin qëllim, për të mos hequr dorë nga monopoli i informimit për të ushtruar ndikim dhe me qëllim për ta përhapur si kolerë këtë lloj të komunikimit shantazhues dhe aspak parimor.

Është e mjerë kjo gjendje e mungesë së moralit qytetar, kombëtar e fetar në RTK-në e vetëquajtur “publike” dhe 100 për qind të pavarur. Nuk janë më pak të mjerë ata politikanë që pranojnë të bëhen pre e batutave dhe jo vetëm të zhargoneve të shprehjeve rrugaçe. Natyrisht se në kthetrat e këtij “lloji” të gazetarisë më së keqi pësojnë mendjelehtit dhe ata që vuajnë për t’ u “dukur” në ekran.



Mekulipress.com ne gjuhen Shqipe Mekulipress.com ne gjuhen shqipe
Video Bibliothek
Audio Bibliothek
Pictures
SHPREHU
Një shkrim kritik duhet të jetë i guximshëm dhe i vrazhdë, absolutisht me miqtë dhe kundershtarët.
Dhe për agjensinë MEKULIpress KRITIKA është burim i vetëm i INFORMACIONIT, pjesa tjetër ështe vetëm REKLAMË...
.më teper
DOSSIER
Po ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë, koduar “Shpërthimi”, hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm.... më tepër
 

 

 

Sitemap: Permbajtja e faqes MekuliPress.com Kontakt Linkat

Foto e Ditës