|
Titujt Kryesorë 08 Shtator 2010
"
Në përvjetorin e 11 marsit 1981 Serish vjen marsi.... Strategjia e humbjes së gjurmëve iliro-shqiptare dhe shkatërrimit të identitetit kombëtar shqiptar në hapësirat e ish Federatës jugosllave mori goditjen e parë vdekjeprurëse në Universitetin e Prishtinës. Po bëhen gati tri dekada nga marsi i vitit 1981 kur studentët e këtij tempulli të dijes vërshuan rrugët e kryeqytetit të Kosovës për t’ua bërë me dije udhëheqësve komunist në Beograd dhe argatëve të tyre në Prishtinë se “jemi shqiptar e s’jemi jugosllave” Kjo moto e afishimit të identitetit kombëtar dhe mobilizimi rreth kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, pra të asaj formës shtetërore të organizimit politik që do ta pamundësonte realizimin e aspiratës asimiluese jugosllave, shënonte fillimin e fundit të politikës antishqiptare në ish Jugosllavinë komuniste. Të tërbuar nga dështimi i strategjisë së tyre që t’i shesin popullit shqiptarë robërinë e re të diktaturës komuniste si rezultat i Luftës Çlirimtare, regjimi diktatorial aplikoi të gjitha masat e dhunës: vrasje, plagosje, arrestime, tortura, dënime, përjashtime nga puna, ndërrime të Rektorëve të Universitetit, largime të profesorëve nga katedrat e fakulteteve, izolime, diferencime ideo-politike.... Me të vetmin qëllim që të “neutralizonin” reagimin e shteteve demokratike të perëndimit ndaj kësaj dhunë , qarqet antishqiptare në Beograd, Shkup dhe Titogradin e atëhershëm krijuan Teatrin e Kukullave Politike. Në këtë Teatër Kukullash Politike shfaqej tragjikomedia, ku me rotacion, herë politikanët e llojit të “luftëtarit çlirimtar” Ali Shukriu e herë të llojit të dresuar të Rrahman Morinës aktronin vetëm një rol: aktronin para korit diplomatik realizimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve dhe të ngitnin në qiell sukseset e luftës kundër “ekstremizmit dhe organizatave kriminale shqiptare”. Qarqeve antishqiptare mbështetën shpresa të mëdha se taktika e ndërsimit të “politikanëve të ndershëm” kundër “politikanëve që nuk përfaqësojnë popullin”; e ndërsimit të “studentëve me librezë partie” kundër “studentëve pa librezë partie”; e ndërsim të “shqiptarëve të ndershëm” kundër “shqiptarëve të pandershëm”, e publikimit të shkrimeve të “përshtatshme” ideopolitike dhe humbjes së gjurmëve të “literaturës reaksionare”.... do t’ju sjellë rezultate në zhbërjen e qenjes sonë kombëtare. Duke ëndërruar se kjo politikë do t’u mundësonte të Kremtonin Meshën e Fitores ndaj popullit shqiptar, vendosën që mbi themelet e Tempullit të Dijes të Kompleksit të Universitetit të Prishtinës të fillojnë ndërtimin e Kishës Ortodokse Sllave... Por..... Serish erdh marsi! «Epopeja e Jasharajve» i dha dimension legjendar historisë moderne shqiptare! Kjo Epope që u shndërrua në sinonim të sakrificave kombëtare krijoi kushtet që në skenën politike të dalin përfaqësuesit e vërtetë të popullit. Ata që i dhanë vulën fitores! Teatrit të Kukullave Politike në Kosovë i ra perdja dhe Kisha e Papërfunduar Ortodokse mbetet si fosil në zemër të Kompleksit Universitar... Gjeneratat e ardhshme do të mësojnë se falë kësaj Epopeje të lavdishme të UÇK-së dhe sakrificave të mëdha projektet antishqiptare mbeten si fosile të një politike të ngordhur. I lë lexuesit të imagjinojë se çka ndodhi në Kosovë me politikanët e “ndershëm”, redaktorët e gazetave partiake, studentët “me libreza” ..... Populli shqiptar në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi ballafaqohet me intensitetin e njëjtë të dhunës.... Nuk është faji im nëse analogjia e situatës së rëndë që kalon populli shqiptar në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi provokon imagjinatën e lexuesve të shohin ngjashmëri mes Teatrove të Kukullave Politike dhe tragjedisë kombëtare shqiptare në këto shtete.... Unë shpresoj.... Sërish vjen marsi...! Bardhyl Mahmuti Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar 10 mars 2010 10/03/2010
|