"

Rexhep QOSJA:

 

Jam i nderuar që edhe sivjet flas në këtë akademi përkujtimore tashmë të çdovitshme.

 

Është kjo akademi me të cilën e shënojmë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën nderojmë themeluesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nismëtarin dhe Kryetrimin e Luftës Çlirimtare, Adem Jasharin; me të cilën nderojmë dëshmorët e kombit që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; me të cilën nderojmë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - çlirimtarët e rënë dhe çlirimtarët e gjallë të Kosovës.

Cilësori çlirimtar është cilësori më i bukur, më domethënës, me vlerë më të madhe se çdo cilësor tjetër, që mund të meritojë njeriu. Me të cilësohen ata që jetën e kuptojnë si luftë dhe si sakrificë për popullin e vet.

Për këto arsye ne të gjithë do të duhej të ndiejmë obligim të pamatshëm dhe të gjithmonshëm ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij, e cila lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ia fali jo vetëm një, dy, tre a katër burra, babë, nënë e gra, por edhe djemë, vajza, fëmijë, që do të rriteshin e të bëheshin prindër të shumë të lindurve të tjerë; obligim ndaj dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur; obligim ndaj çlirimtarëve, të cilët rrokën armën të vetëdijshëm se prej armës mund të vdesin në luftën që bënin.

Si çdo herë kur flas për luftën e UÇK-së ashtu edhe në këtë akademi; si çdo herë kur flas për dëshmorët ashtu edhe në këtë akademi; si çdo herë kur flas për bëmën madhështore të Adem Jasharit dhe të Familjes së tij historike ashtu edhe në këtë akademi, unë nuk mund të mos flas pa përkushtim të jashtëzakonshëm ndjenjor dhe mendor në të cilin është i përmbajtur adhurimi im i jashtëzakonshëm për heroizmin dhe largpamësinë e tyre.

Pse përkushtim ndjenjor? Sepse të gjithë ata vetëdijshëm u nisën në rrugën e flijimit; të flijimit që fëmijët tanë të mund të rriten të lumtur, që të rinjtë tanë të mund të jetojnë të sigurt në atdheun e tyre, që pleqtë tanë të mund ta kalojnë të qetë e të pafyer pleqërinë!

Pse mendor? Sepse ata e kishin kuptuar, kur, ne, të tjerët, nuk donim ta kuptonim, se politika pa veprim për një popull të pushtuar e të shtypur, siç ishte populli shqiptar në Kosovë, është mashtrim i popullit.

Ata e kishin kuptuar mirë se fitorja, në fund, nuk i takon vetëm të fortit, aq më pak pushtuesit, por të guximshmit dhe atij që bën luftë të drejtë. Ata e dinin dhe besonin, se disa mija që mbrojnë të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e vet, janë më të fortë se qindra mija që bëjnë luftë pushtuese.

Ata e kishin kuptuar se këshillave të këshillëdhënësve të huaj duhej t’u besohej më pak se ç’dëshironim t’u besonim, sepse herët më të shpeshta ata të këshillojnë duke pasur parasysh interesat e veta e jo tuat. Për këtë arsye çlirimtarët tanë nuk qenë të gatshëm të pranojnë këshillat e shteteve të mëdha evropiane, që ishin kundër çdo qëndrese në Kosovë. Si mund të quhej i sinqertë ky mësim që jepej prej atyre shteteve që krejt historinë e kanë luftëra: luftëra mbrojtëse, luftëra çlirimtare, sidomos luftëra pushtuese dhe koloniale?!

Ata e kishin mësuar më mirë se gjithë ne të tjerët atë mësimin që mendimtarët e mëdhenj evropianë e kishin formuluar shekuj më parë: është mëkat t'i shtypësh të tjerët, por është mëkat edhe të durosh shtypjen.

Ata, çlirimtarët tanë, e dinin, njëkohësisht, se shtetet e mëdha evropiane që na këshillonin paqen, durimin e dhunës, gjithmonë i kishin shpërfillur popujt që për lirinë e vet nuk kishin bërë më shumë përpos se ishin lutur dhe kishin folur!

E gjithë kjo që e kanë bërë ata për popullin e vet, na obligon ne të bëjmë ç’na takon neve të bëjmë, që në kujtesën e popullit, domethënë në historinë e tij, t’u jepet vendi i merituar, i cili ende nuk u është dhënë. E, do t’u jepet vendi historik, që në historinë tonë më të re vetëm atyre u takon, kur neve të na bëhet e qartë, se për çdo shtet serioz, tekstet e historisë janë çështje shumë serioze shtetërore, në të cilat nuk duhet të lejohen improvizime që janë aq të dukshme në tekstet tona historike. Vendimi i Ministrisë së Aarsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës më 5 mars t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së dhe rënies së Trimit legjendar, Adem Jashari, tregon se punët po ndryshojnë për të mirë në këtë pikëpamje.

E gjithë kjo që kanë bërë ata për popullin e vet na obligon neve që të ruajmë idealet dhe vlerat me të cilat janë rritur ata dhe prej të cilave janë frymëzuar ata që të rrokin armët dhe të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: që të ruajmë ato ideale e vlera prej atyre të cilët po përpiqen që kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë ta bëjnë sa më të lartë në vend se të dëshirojnë të rrafshohet plotësisht; që të ruajmë njësinë e kombit prej atyre që do të donin që prej kombit shqiptar të bëjnë dy kombe të ndryshme; që të ruajmë gjuhën e njësuar letrare kombëtare si vlerën më të madhe kombëtare prej atyre që do të donin ta ndajnë në dy gjuhë dialektore letrare; që të ruajmë ato ideale e vlera edhe prej një vargu sjelljesh e veprimesh cenuese e të papranueshme për të cilat nuk dua të flas këtu.

Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, për nder të heroit të rënë në luftë, ndizej zjarr i madh. Dhe, rreth atij zjarri ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij: ecnin duke hedhur në atë zjarr ato që donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten. Prej shokëve dhe miqve të heronjve tanë të rënë në luftë nuk mund të kërkojmë aq shumë. Aq më pak mund të kërkojmë aq shumë prej të tjerëve. Mos të hedhim në zjarr ato që duamë. Por, të mos harrojmë kurrë: liria dhe pavarësia e Kosovës është vepër e largpamësisë dhe heroizmit të tyre.

Ta përfundoj këtë fjalë.

Adem Jasharin, gjithë të rënët e familjes së tij historike, dëshmorët e kombit, t’i nderojmë sonte me mburrje duke shqiptuar fjalinë që përgjithmonë do të jetë e shënuar në historinë shqiptare: emrat e tyre dhe heroizmi i tyre do të jetojnë derisa do të jetojë kombi shqiptar, e kjo do të thotë përgjithmonë.

 

Prishtinë, 6.3.2010

 

ÇLIRIMTARËT E KOSOVËS


08/03/2010
Emri
Komenti
Vendosni Kodin
 
 
Foto e Ditės
Reklamo nė Mekuli Press

Lajmet - Lajmet e fundit

Rtk Drejtėpėrdrejtė
Pėr tu kuqur nė Tv (Kliko mė poshtė)
Mekuli Press Mekuli Press

Erstelle dein ProfilbannerTė gjitha tė drejtat janė tė rezervuara © Mekuli Press 2010 --->> redaksia@mekulipress.com
Kryeredaktor: Xhelal Avdullahi ShqiperiaCom