|
Titujt Kryesorë 08 Shtator 2010
"
Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi Këshilli kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit Kërkesë për takim I nderuari z.Krasniqi, Këshilli kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit është një grup i 65 organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë që kërkon mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit të vitit 2007. Këshilli, më 15 shkurt 2010 filloi mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin që përmban dy kërkesa: mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit të vitit 2007. Më 5 mars 2010 ky peticion u mbyll. Numri i nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët e Republikës së Kosovës është 148.183. Prej këtyre nënshkrimeve në 2.414 raste mungojnë numrat personal, andaj mund të konsiderohet se legalisht të pranueshme janë 145.769 nënshkrime. Padyshim ky është peticioni më i madh që ndonjëherë është organizuar në Kosovën e pas-luftës.
Këshilli është i vetëdijshëm për ndarjet e pushteteve dhe e konsideron qenësor këtë ndarje për funksionimin e shtetit ligjor dhe rendit demokratik. Megjithatë Këshilli, tani më i përkrahur edhe nga afër 150.000 qytetarë të Kosovës, duke e konsideruar Kuvendin e Kosovës si tribunën kryesore ku do të duhej të përfaqësoheshin dhe mbroheshin interesat e qytetarëve të Kosovës, kërkon një takim me Ju, për t’ju dorëzuar një kopje të këtij peticioni si dhe për të diskutuar mundësitë se si këto dy kërkesa do të mund të trajtoheshin në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Trajtimi i këtyre dy kërkesave në Kuvendin e Kosovës, e konsiderojmë të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e demokracisë në Kosovë. Mbesim me shpresë se brenda një kohe sa më të shkurtër do t’i përgjigjeni pozitivisht kësaj kërkese . Në emër të Këshillit, me respekt, Valon Murati Këshillin kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit mund ta kontaktoni nëpërmjet adresës elektronike kkpgjak@gmail.com, ose numrave të telefonit, 044112567 dhe 044111965. 08/03/2010
|