|
Titujt Kryesorë 08 Shtator 2010
"
Rikthimi i kriminelëve në vendet e tyre të krimit
Prokurori, Reshat Millaku dhe disa prokurorë të tjerë të Kosovës, prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, kanë kërkuar dënime të rënda me burg, prej 1 deri në 20 vjet, madje edhe dënime me vdekje. për mijëra liridashës shqiptarë të vendit tonë. Riemërimi i prokurorit Reshat Millaku në Gjykatën Speciale të Kosovës dhe i gjyqtarëve të ish RSFJ-së, nga kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është një fyerje e rëndë dhe një përbuzje institucionale, që iu bëhet dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, fyerje po aq e edhe më e rëndë që i bëhet luftës së UÇK-së, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Postimi, në vendet kyçe të shtetit dhe të institucioneve të Kosovës, të kriminelëve të kohës së okupacionit, vë në pikëpyetje kredibilitetin e këtyre institucioneve, por edhe dyshimin e bazuar se mos ndoshta është kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, pastaj kryesuesi i EULEX-it Ivë de Kermabo dhe Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith që bëjnë emërime të tilla dhe kryetari i Kosovës, vetëm kryen anën formale, ceremoniale të këtyre emërimeve. Me akte të tilla të shëmtuara do të nxitet edhe më tej zemërimi e një ditë edhe reagimi publik i të burgosurve politikë të Kosovës, i veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së dhe i të gjithë qytetarëve liridashës të vendit tonë. 22/02/2010
|