|
Titujt Kryesorë 05 Shtator 2010
"
Regjimi i Hoxhës dhe regjimet e BerishësNga Mustafa Nano Një miku im, antikomunist gjenuin, më dërgoi një sms, ku më thoshte pak a shumël, se “krahasimi i kohës së Saliut me kohën e Enverit, që unë bëra në një studio të televizionit “Koha”, ishte një skandal”. Po atë mbrëmje, më dërgoi pothuaj të njëjtën sms (veçse në vend të fjalës “skandal” kish shtënë në punë fjalën “teprim”) dhe një tjetër miku im, i cili kurrë nuk ka nxjerrë një fjalë qortuese për komunizmin shqiptar. Mesa duket, kur vjen puna për të gjykuar regjimin komunist, të gjithë, miq e armiq të atij regjimi, gjenden të trysur e të presuar nga mainstream-i, sipas të cilit Enver Hoxha ishte një Belzebú, dhe koha e tij ishte një ferr. Shkurt, në këtë klimë, edhe një komunist i thekur befasohet po të dëgjojë ndonjë jokomunist (siç jam unë), teksa flet në mënyrë të relativizuar e jo dhe aq ortodokse për Hoxhën e regjimin e tij. Dhe e folmja ortodokse në këtë rast është të mos reshtësh - këtu po përsërit një shprehje që e kam për zemër - së hedhuri bojë të zezë mbi një regjim të sterrosur. Më duhet të them se krahasimi në fjalë nuk ishte një lapsus nga ana ime. Thashë tekstualisht, se “në një numër drejtimesh, epoka e Berishës është më e pahonepsshme e më e dëmshme se sa epoka e Hoxhës”, dhe merret vesh që shprehja ndajfoljore “në një numër drejtimesh” është tepër e rëndësishme. Nëse i heqim idesë sime këtë përcaktim ndajfoljor, unë rezultoj të jem një alamet komunisti. Ndërsa shprehja, me gjithë këtë përcaktim ndajfoljor, bart një mesazh, të cilit jam gati t’i dal zot në çdo moment. E di, është një ide kontroverse dhe e rëndë për t’u tretur, është nga ana tjetër një mendim që i kundërvihet një tabuje, sipas së cilës nuk mund të krahasohet asgjë me regjimin e Enver Hoxhës, i cili gjeneroi mizori e varfëri për gati 50 vjet. Por e vërteta është se para nja dhjetë a pesëmbëdhjetë vitesh, mund të më linçonin po të më shihnin të relativizoja regjimin e Hoxhës, ndërsa sot, e shumta, ishin këto sms vibrante të marra nga dy miq të mi. Kemi bërë goxhá përparim, apo jo? Le të kthehemi në temë, megjithatë. Le t’i marrim me radhë gjërat, por duke ritheksuar fort amá, se krahasimi në fjalë synon as më shumë, as më pak, të denoncojë vitet e periudhës postkomuniste si vite të sundimit të një bande rrugaçësh. Këta të fundit, nëse nuk fusin njerëz nëpër burgje e nëse nuk vrasin kundërshtarët e tyre politikë (për këtë të fundit nuk duhet vënë dora në zjarr), nuk e bëjnë këtë ngaqë janë më humanë e më gentlemen-ë sesa Enver Hoxha. Absolutisht jo. Ata nuk bëjnë gjëra të tilla, ose ngaqë thjesht nuk munden, ose ngaqë thjesht nuk kanë pasur nevojë. Po të mundeshin, ose po t’u lipsej në funksion të mbajtjes së pushtetit do të bënin gjithçka. Në fakt, Berisha kur mundi e kur pati nevojë e bëri një gjë të ngjashme. E futi kundërshtarin e tij në burg. Ka bërë dhe të pabëra të tjera, por për këto do të flitet kur ai të mos jetë më në pushtet e me pushtet. Deri atëherë, të gjithë do të kenë frikë të thonë ato që dinë lidhur me Berishën. Dhe me sa më sipër, sqarova një keqkuptim, mbi bazën e të cilit mund të ngrihet kundërshtia ndaj kësaj që unë them: Koha e Saliut nuk është koha e demokracisë. Këto njëzet vite të fundit pra, mund t’i kualifikojmë si të duam, por nuk kemi asnjë arsye e asnjë të dhënë për t’i kualifikuar si vite të demokracisë e të shtetit të së drejtës. Po mirë, mund të thotë ndokush, edhe sikur të kemi jetuar në një regjim politik e shtetëror, ku ka pasur sadopak demokraci, sadopak institucione të shtetit të së drejtës, e sadopak ekonomi të tregut të lirë, kjo do të ishte mjaft për ta larguar idenë e një krahasimi krejt të pavend me kohët, kur liria, demokracia, shteti i së drejtës dhe prona private nuk mund të përfytyroheshin asnjë çikë. Në pamje të parë, objeksioni i mësipërm duket sikur nuk ka të sharë. Mirëpo, bëhet një lajthitje e natyrës metodike. Demokracia, shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut të lirë merren si qëllime në vetvete, ndërkohë që për shumicën e shqiptarëve (dhe shumicën e njerëzve të kësaj bote) janë thjesht mjete, me anë të së cilave synohet të arrihet dinjitet, mbrothësi, siguri e lumturi n’daçi në planin individual, n’daçi në planin socio-kombëtar. Nuk ma mban të bëj një ballafaqim të dy kohëve mbi bazën e nevojës humane për dinjitet, mbrothësi, siguri e lumturi, pasi më mungojnë ose të dhënat, ose instrumentet e matjes. Por po supozoj vrikthi, se një “garë” kësodore është apriori e humbur prej regjimit komunist (kur vjen puna te siguria, arsyetimi ngec keq, por nuk po shtyhem më shumë sesa duhet me këtë muhabet). Dhe po eci më tej, pasi “gara” nuk është se quhet e mbyllur me ballafaqimin e mësipërm. Është shumë komplekse kjo “garë”. Veç mos iu shkojë në mendje se po vë në peshore komunizmin dhe demokracinë. Zoti mos e dhëntë! Po vë në peshore komunizmin dhe kohën e Salës, këtë kohë që edhe - tani po filloj të them atë që dua të them - në pikëpamje të rekrutimit të establishmentit drejtues është meritokratike po aq sa (në mos, më pak se) koha e Hoxhës. Është një nga zhgënjimet e mia të mëdha, pasi në kapërcyell të viteve ‘90, isha i bindur se tash e tutje, në mos tjetër, Shqipëria do të drejtohej nga pjesa e vet më e aftë e më e zonja. Dhe në vitet e para pati disa shenja që më ngrohnin në atë bindjen time. Por menjëherë më pas, gjërat rrodhën në një drejtim të kundërt. Doni shembuj? I keni para syve. Kurrë nuk ndodhi në kohën e Hoxhës (teorikisht mund të ndodhte, por praktikisht nuk ndodhi), që drejtor i televizionit publik të emërohej një teveqel si ky që kemi sot në krye të të njëjtit televizion, që ministër e zëvendësministër Kulture të emëroheshin hiçër e xhuxhmaxhuxhë si këta të sotmit në pikëpamje intelektive e kulturore, që krerë të akademive, të instituteve, të universiteteve, të shkollave, ambasadave, spitaleve etj., të emëroheshin apo zgjidheshin njerëz nga sëra e atij historianit me mbiemër Meta etj. E mo, mirë, e dimë - mund të ndërhyjë ndokush - që soji i Stefanaq Pollove, Dritëro Agollëve, Aleks Budëve, Dhimitër Shuteriqëve, Javer Malove etj., ishin me një barrë mend, dije e zotësi, por puna është se ato i vunë në shërbim të diktaturës. Por këtu është hera ime të them, se kjo s’ka lidhje fare. Unë po bëj një diskutim ideologjikisht neutral. Dhe prandaj them, se Shqipëria s’ka qenë kurrë kaq pak meritokratike, s’ka gjë s’e s’ka qenë kurrë kaq shumë e mbushur me njerëz të dijshëm të diplomuar nëpër universitete të prestigjit ndërkombëtar. Po me integritetin moral e me guximin publik në të mirë të së mirës publike si janë punët? Kam frikë se në këtë drejtim, dhuna e Enverit dhe makina indoktrinuese e komunizmit kanë bërë më pak dëme sesa dhuna e Saliut dhe paraja e kapitalizmit. Në kohët e Hoxhës ka pasur tek-tuk insiders që, të lodhur nga regjimi, u ngritën publikisht kundër këtij të fundit. Një pjesë syresh, duke rrezikuar dhe jetën. Ndërsa sot, edhe pse rrezikojnë shumë më pak, nuk para qëllon të ngrenë zërin. Kur ngrihen, nuk është se ngrihen kundër rendit të ndyrë të gjërave. Përkundrazi, thjesht hidhen në kampin tjetër, me shpresën se atje do të jetë dikush që do të ketë nevojë, jo për zotësitë e tyre, por për shërbimet e tyre. Shikoni atë që ndodhi në kongresin e 9-të të partisë demokratike! Gati 1300 delegatë votuan në mënyrë të lirë e të fshehtë për të konfirmuar të vetmin kandidat për kryetar, i cili është kryetar prej 20 vitesh, dhe vetëm katër vetë votuan kundër. Unë jam gati të sfidoj këdo duke thënë, se sikur në kongreset e Partisë së Punës të votohej papritur në mënyrë të lirë e të fshehtë mbi konfirmimin e të njëjtit kryetar të përjetshëm (situata është absolutisht e njëjtë, pra), me siguri do të dilnin më shumë se katër vota kundër Enver Hoxhës. Po tjetër? Nuk po flas për arsimin e këtyre kohëve (nuk vihet re asnjë lloj meraku mbi mijëra fëmijë që mbeten rrugëve e pa shkollë), për burokracinë (në ditët e sotme, burokracia është e mbushur, jo vetëm me militantë të paaftë, por edhe me njerëz, që postin e shohin si burim pasurimi), për shëndetësinë (të shumtit, me t’u sëmurur, rrezikojnë të shkojnë me të shumtët për shkak të pamundësisë për të përfituar një kujdes mjekësor adekuat), por nuk mund të rri pa përmendur faktin, që territori i republikës është lënë totalisht jashtë kontrollit. Territori i Shqipërisë, i parë nga sipër, të jep idenë e një fushimi gjigant të një ushtrie gjigante e të shthurur. Përsa u takon zonave urbane, mund të thuhet pa frikë se, nëse vijon ky trend, pas dhjetë vitesh, Tirana e qytetet e tjera të rëndësishme të vendit nuk do të jenë gjë tjetër, veçse ca zgëqe të mbretërimit absolut të betonit. Është e vërtetë që komunizmi i Enver Hoxhës e mbushi vendin me bunkerë, por kjo që ka ndodhur këto vite është një hatá ku e ku më e madhe. Mjerë ne, por mjerë mbi të gjithë brezat e ardhshëm! Nga sa më sipër, veç një përfundim nuk do doja të nxirrej, d.m.th që faji është i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës. Jo, absolutisht jo! Është bash e kundërta. Faji është i faktit që nuk kemi ndërtuar demokracinë e shtetin e së drejtës. Për mua, kush nervozohet nga krahasimi i rendit të sotëm të gjërave me regjimin gjëmëmadh të Hoxhës, është në grackën e një propagande të ndërtuar nga kryerrugaçi i historisë më të re politike të shqiptarëve, alias Sali Berisha, i cili, sa herë që ndodhet në vështirësi, zë e i kthehet luftës “kundër diktaturës më të egër që ka parë bota”. Dhe ne të tjerët, për të dëshmuar dhe njëherë se jemi antikomunistë në këto mote, kur antikomunizmi nuk ka dalë ende jashtë mode, bëjmë garë kush e kush të denoncojë më shumë Enver Hoxhën e regjimin e tij. Harrojmë se regjimi i tij është përmbysur me kohë. Ndërsa koha e tij jeton në një formë tjetër. Është koha e Sali Berishës. Dhe kjo koha e Berishës ta shpif edhe për një arsye tjetër: në ndryshim nga ajo e Enver Hoxhës, është kohë që s’e ka kohën e vet. 08/02/2010
|