"

Recension:

 

Stacey Sullivan, Mos kij frikë se i ke djemtë në Amerikë: Si e futi pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë, libër i përkthyer, KOHA, tetor 2009, Prishtinë.

 

Titulli i librit në origjinal:

Stacey Sullivan, Be Not Afraid, For You Have Sons in America: How a Brooklyn Roofer Helped Lure the US into the Kosovo War, Saint Martin’s Press, 2004,  Washington.

 

Lufta e fundshekullit 20 në Kosovë që solli intervenimin e NATO-s kundër Serbisë prej datës 24 mars deri më 12 qershor 1999 për ta larguar pushtimin ushtarak-policor serb dhe shtypjen e popullsisë shqiptare, një ngjarje historike ndonëse e freskët të cilën e kanë përjetuar shumica e popullsisë së sotme, ende vazhdon të paraqitet dhe kuptohet në forma nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato më realet e gjer të ato mitologjike. Kundërthëniet më të mëdha në mesin e shumë shqiptarëve janë në raportet rreth rolit të UÇK-së, lëvizjes pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe udhëheqësit të saj Ibrahim Rugova, dhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë. Porse tek shumica e popullsisë së sotme ende është një amulli ose mungesë pajtimi rreth asaj që quan në shkaqet e intervenimit të SHBA-ve. Librin të cilin do ta shqyrtojmë në vijim duket se ofron përgjigjen më kompetente, e shkruar nga një amerikane, e cila vazhdimisht ka qenë në rrjedhë të ngjarjeve për së afërmi, e më së shumti me ato që sollën ndërhyrjen amerikane në luftën e Kosovës.

 

Se sa është Stacey Sullivan (Stejsi Sallivën) kompetente të na jep përgjigjen e duhur për luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e SHBA-ve, mjafton t’i ofrojmë lexuesit një përshkrim të shkurtë të veprimtarisë së saj. Ajo është redaktore e lartë në Institutin për Raportimin e Luftës dhe Paqes (IWPR). Ka qenë korrespondente e revistës prestigjioze Newsweek nga Ballkani. Ka shkruar edhe për gazetat më prestigjioze të SHBA-ve si The New York Times, The New Reublic, The Washington Post, Men’s Journal dhe botime tjera. Është intervistuar në cilësinë e ekspertes për luftën në Kosovë nga Lehrer i CNN-it, nga Fox News dhe shumë televizione tjera amerikane. Kishte nisur intervistën me shqiptaro-amerikanët që kur kishte nisur studimet në Universitetin Columbia dhe ka punuar në Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha në Ballkan. Jeton në New York, ku jeton edhe Pullazxhiu shqiptar. Të shohim se çka i ofron lexuesit ajo në librin Mos kij frikë se i ke djemtë në Amerikë: Si e futi pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë.

 

Vetë titulli i librit në përshtypje të parë hedh poshtë të gjitha thashethemet, teoritë e konspiracionit dhe trillimet se SHBA-të e kanë planifikuar më herët intervenimin, se Ibrahim Rugova me deklarata të pakuptimta dhe ëndrrat e tij të cilat shumë njerëz ende ia kallajisin se kinse ai i ka parë në gjumë, por nuk i ka treguar të gjitha dhe është kufizuar në disa për t’iu shërbyer të verbërve dhe të shurdhërve të atëhershëm, të tanishëm dhe të ardhshëm (nëse duan të jenë të tillë). Të tillë ka jo pak edhe sot që e shohin filozofinë e Rugovës për stërmundimin, vuajtjen e përjetshme, masakrimin, poshtërimin e dinjitetit të njeriut, në këtë rast të shqiptarëve sikur me kafshën më të prapambetur, si vizion rugovist. Këtë vizion satanik ishte i vendosur ta mposht Pullazxhiu shqiptar nga New York-u dhe ia arriti qëllimit. Se kush është ky Pullazxhiu, këtë do ta mësojmë më vonë në recensionin e gjatë të librit.

 

Libri (përkthimi i tij në shqip) ka 375 faqe, ndahet në tri pjesë me 22 kapituj, përmban 21 fotografi bardh e zi, dhe 66 burime referencash. Në pjesën e parë trajtohet rezistenca pacifiste në 7 kapituj, duke filluar nga origjina e saj në fund të viteve 1980-ta. Kapitujt 2-5 (2 – Vëllazërim-bashkimi; 3 – E vërteta dhemb; 4 – Një njeri për të gjithë serbët; dhe 5 – Kriza në vendlindje) tregojnë për jetën e Pullazxhiut dhe familjes së tij në fshatin Vranoc të Pejës, si dhe rrethanat e përgjithshme politike, ekonomike e sociale në Kosovë gjatë asaj kohe. Kapitulli 6 – Lufta e vetmuar – rrëfen për veprimtarinë politike të Joseph DioGuardi-t dhe themelimin e Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane (AACL) në janar 1989 për të lobuar dhe bërë trysni në Washington për çështjen e Kosovës. Pullazxhiu nuk e njihte DioGuardin dhe nuk kishte ide çka është lobimi, madje në atë kohë nuk dinte të fliste as anglisht dhe punonte në një firmë ku groponte kanale. Një demonstratë e 10 000 shqiptarëve në Washington nën drejtimin kryesor të DioGuardit rreth çështjes së Kosovës, e kishte impresionuar Pullazxhiun e ardhshëm (sepse në atë kohë ishte gropues kanalesh) të cilit pasi iu dha mundësia t’i fitoj 100 dollarë, i shfrytëzoj ato për anëtarësim në AACL.

 

“Brezi i dëshpëruar” është titulli i kapitullit 7 ose të fundit nga pjesa e parë e librit, ku flitet për rezistencë më aktive me protesta kundër regjimit të Millosheviqit në mars të vitit 1991, nga kolegët e demonstratave të vitit 1989, e këta ishin: Adrian Krasniqi (kushëriri i Pullazxhiut), Ilir Konushevci “Mërgimi”, Qerim Kelmendi, Gëzim Sejdijaj, e të tjerë.

 

“Adriani dhe miqtë e tyre ende nuk e kishin krijuar mendimin për [Ibrahim] Rugovën...Qerimi, ndërkaq, tashmë ishte i bindur se pacifizmi nuk do të bënte punë. Protestat e Ilirit dhe të Adrianit nuk shpurën askund” (f.97).

 

Bindjet se pacifizmi i Rugovës pa kurrfarë plani të aksionit ishte një rrugë pa krye dhe e pakuptimtë, filluan të shtohen tek “brezi i dëshpëruar” dhe më largpamës pash shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë, dhe Kroacisë që u pasuan me luftë atje. LDK-ja pas kësaj deklaroj se nuk ishte në favor të autonomisë më të zgjeruar, por të pavarësisë. Organizoj referendumin më 26 shtator 1991 për shpalljen e pavarësisë, në të cilin dolën 87% e popullsisë me të drejtë vote. LDK-ja vazhdonte t’i premtonte popullsisë se Kosova do t’i ndërtoj institucionet e saja me çka do të deligjitimohet sundimi i Millosheviqit dhe serb në Kosovë. Autorja tregon se sa absurde ishte të besohej në deligjitimimin regjimit të Millosheviqit me fjalë dhe dokrra, pa pasur ndonjë strategji afatgjate të veprimit konkret. “Millosheviq, i vetëdijshëm se forcat e tij kanë kontrollin e plotë mbi Kosovën, thjeshtë i la shqiptarët t’i vazhdonin përpjekjet e tyre. Nëse donin t’i bojkotonin institucionet ekzistuese, s’[k]ishte telashe, përderisa policia [e Millosheviqit] i kontrollonte të gjita” (f.100). “Kur LDK-ja filloi ta përgatiste terrenin për zgjedhjet e para lokale, Adriani, Iliri e shumë pjesëtarë të tjerë të brezit të dëshpëruar, u dëshpëruan edhe më...Edhe pse shqiptarët e Kosovës nuk e konsideronin veten pjesë të Jugosllavisë, Beogradi i konsideronte të tillë dhe kur armata [APJ] e sulmoi Kroacinë, shqiptarët që gjendeshin në shërbimin e obligueshëm ushtarak ishin të parët që u dërguan në front” (f.101-2).

 

Një goditje për “brezin e të dëshpëruarve” nga politika pacifiste e LDK-së dhe Rugovës në veçanti, në bazë të asaj që shtjellon kapitulli 7, ishin barbaritë dhe krimet kundër njerëzimit në Kroaci dhe Bosnë e Herzegovinë (BH) kundër popullsisë civile, që e kishin ftohur shumicën e popullit shkurtpamës të Kosovës, se çfarëdo zgjidhje është më e mirë se lufta, pavarësisht torturave çnjerëzore që bënte policia e Millosheviqi përditë mbi ta. Derisa në BH vazhdonte gjenocidi, shumica e popullsisë ia mbajti anën e Rugovës, ndonëse kishte bindjen se LDK-ja do të ishte duke punuar në drejtim të gjetjes së ndonjë zgjidhje për shqiptarët e okupuar, qoftë edhe në përgatitjen për më të keqen – luftën – çka në të vërtetë jo vetëm që nuk ishte, por bënte çmos të pengonte çfarëdo forme të rezistencës së armatosur, duke i denoncuar dhe shantazhuar ato. Madje filozofia absurde e Rugovës tejkaloj çdo kufi të arsyeshmërisë kur qeveria e Kosovës (e LDK-së) në mërgim që po themelonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) u detyrua të thyhet me mitet absurde dhe sharlatanizmin e Rugovës se liria e Kosovës do të fitohej me ndonjë formulë magjike prej fallxhori që do të vinte nga Zoti, NATO, Amerika, BE-ja dhe shtete tjera, nga kushdo pos shqiptarëve (!), ndërkohë që nuk bëhej asgjë konkrete që ajo të ndodhte. Në fakt, gjërat konkrete po i bënte “brezi i dëshpëruar” dhe Pullazxhiu kur erdhi koha për të luftuar që shtjellohet në kapitullin 8 të librit.

 

Në fund të vitit 1993 Pullazxhiu kishte themeluar firmën Triangle General Contractors në New York, për t’u marrë me riparimin e kulmeve të shtëpizave dhe objekteve tjera. Nga kjo kohë ishte bërë për t’u quajtur Pullazxhi.

 

Kthesa historike në favor të “brezit të dëshpëruar”, Zotit, NATO-s, Amerikës, dhe Kosovës në njërën anë, dhe goditja për ëndrrat e Rugovës, ishte kur NATO dhe SHBA intervenuan ushtarakisht në BH për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik atje, dhe pas kësaj të përfshijë udhëheqësit kryesor në bisedime në Konferencën e Dayton-it si: Franjo Tuxhman (kryetar i Kroacisë), Alia Izetbegoviq (kryetar i BH), dhe Sllobodan Millosheviq (kryetar i Serbisë). Mos ftesën dhe mos përfshirjen e Rugovës si kryetar i Kosovës, Autorja e ilustron kështu:

 

“Nga këndvështrimi amerikan, nuk ishte vështirë të shihej se përse Rugova ishte nxjerrë jashtë lojës...Kosova dukej çështje e parëndësishme...Në Kosovë kjo ishte një goditje e fuqishme për besueshmërinë e Rugovës. Për pesë vjet, udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës po e siguronte popullin e vet se çështja e Kosovës ishte preokupim i madh i udhëheqësve perëndimorë dhe se Washingtoni dhe aleatët evropianë do t’i shpërblenin shqiptarët e Kosovës për luftën e tyre pacifiste. Rugova ishte pritur nga kryetari Clinton, kryeministri britanik, Toni Blair, kancelari gjerman, Helmut Kohl, dhe presidenti [kryetari] francez, Jacques Chirac, dhe që të gjithë e kishin siguruar se ishin të shqetësuar me vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, tash këto fjalë tingëllonin boshe” (f.119). 

 

Kjo argumenton qartë se SHBA-të e nxorën me qëllim jashtë loje Rugovën pasi ai e kishte defaktorizuar çështjen e Kosovës me përralla se “Washingtoni do t’i shpërblej shqiptarët për luftën e tyre pacifiste”. Ç’është e vërteta, SHBA-të nuk po e shpërblente askënd as në BH; ajo intervenoj vetëm për ta ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik që kishte arritur përmasa të tmerrshme. Atëherë, përse duhej të prisnin shqiptarët e Kosovës shpërblime kur ato nuk po i gëzonte popullsia e BH që vuajti më shumë? Rugova ose mendonte, ose e thoshte qëllimshëm me naivitet “shpërblimin nga Washingtoni” për ta bërë popullsinë edhe më të verbër përballë represionit dhe torturave të përditshme në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit. Autorja lë të kuptohet se në mesin e atyre të verbërve ishte edhe pullazxhiu, i cili deri në atë kohë kishte besuar se Rugova ndoshta po bënë së paku diçka të hairit. Në kohën kur mbahej Konferenca e Daytonit, Pullazxhiu ishte ndër të parët me shqiptaro-amerikanët tjerë që shkuan atje për të protestuar fuqishëm kundër anashkalimit të çështjes së Kosovës. Aty ishte bindur një herë e përgjithmonë se kombet që luftuan si, sllovenët, kroatët, dhe boshnjakët, e fituan pavarësinë, dhe ishte zemëruar shumë me Rugovën për poshtërimin që ua kishte bërë shqiptarëve, e aq me tepër ishte zemëruar me veten se kishte qenë aq naiv. Autorja duke qenë në kontakt të shpeshtë me Pullazxhiun, ka marrë këtë prononcim të tij për protestën e shqiptaro-amerikanëve në Dayton:

 

“Ishte hajgarellëk, tha ai [Pullazxhiu]. Zyrtarët amerikanë na detyruan që të qëndronim larg bazës [ushtarake], në një farë kodre të një lagjeje të banuar. Na thanë: Këtu, ja këtu është një vend i mirë për ju. Këtu mund të bërtitni dhe të brohoritni sa të doni” (f.120).

 

Aq simpati të madhe kishin SHBA për lëvizjen pacifiste në Kosovë, sa që kur ky pacifizëm mori formën më aktive me protesta dhe parulla në një ngjarje historike si Konferenca e Daytonit, zyrtarët amerikanë ua tregun edhe vendin, që ishte një fushë me baltë, ku shqiptarët mund të pëllitnin sa të donin në kërkim të lirisë. Pullazxhiu tani e kuptoj se duhej bërë diçka për luftë, sepse politika e Rugovës sipas tij nuk do t’i sillte kurrë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pas dëshpërimit të thellë nga Daytoni, “brezi i dëshpëruar” fillon sulmet kundër policisë së Millosheviqit në Kosovë dhe dërgon faksimilet nëpër media me nënshkrimin Ushtria çlirimtare e Kosovës (UÇK). LDK-ja me deklarata vazhdimisht përgënjeshtron ekzistencën e saj, dhe sulmet guerile të saj i cilëson si inskenime të Serbisë. Nuk është aq shumë e qartë sipas Librit pse LDK-ja mbante këtë qëndrim në raport me UÇK-në, sa do që bënë përpjekje të kufizuara për të sqaruar se ka pasur shumë edhe brenda LDK-së që besonin se vetë LDK-ja qëndronte prapa sulmeve të UÇK-së, dhe me këtë aludohej në përpjekjet që i bënte kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi për themelimin e një force të armatosur. Sido që të jetë, mbajtja e linjës pacifiste nga Rugova, sulmet e UÇK-së dhe themelimi i FARK-ut, kishin lënë huti të madhe të shumica e popullsisë, e cila në mungesë të alternativave politike ishte rreshtuar kryesisht në ideologjinë pa ideologji të Rugovës. Kualifikimi i UÇK-së si dorë e zgjatur e Serbisë i ka kushtuar shumë njerëzve të cilët ishin të bindur se lufta herët e vonë është e pashmangshme, se momenti kishte ardhur, por Rugova ua fuste frikën se këta do t’i bashkëngjiteshin një organizate prapa se cilës qëndron Serbia. Këtu Autorja është dashur të jetë më e qartë se prapa kujt qëndronte Serbia, Rugovës apo UÇK-së, edhe pse në libër lexuesi do ta kuptoj tërthorazi Serbia ishte prapa të parit dhe përdorte atë për ta shantazhuar të dytën (UÇK-në).

 

Kapitulli 9 – Guerilja në themelim, jep një pasqyrë rreth krijimit të celulave të para të UÇK-së, dhe njërit prej ideatorëve kryesor të saj, Adrian Krasniqi, kushëriri i Pullazxhiut. Në përpjekjet e tilla, “brezi i dëshpëruar” kishte hasur në pengesa të forta nga LDK-ja dhe Rugova.

 

“..nga pranvera e vitit 1996, Adrianit i ishte mbushur kupa me udhëheqjen e Rugovës. Nuk i pengonte që udhëheqësi i Kosovës ishte pacifist. Ajo që i pengonte ishte se Rugova ishte shumë pasiv. Rugova e ftonte popullin që të përmbahet nga dhuna, por ai po ashtu refuzonte çfarëdo forme të protestës” (f.129).

 

“..LDK-ja ua ndaloj Adrianit dhe Gëzimit t’i organizonin demonstratat. Adriani u tërbua. Si do ta ndryshonin situatën shqiptarët në Kosovë, nëse mbesin aq pasiv përballë brutalitetit serb? Ashtu siç i shihet gjërat Adriani, Rugova donte që shqiptarët të shtriheshin përtokë dhe t’i lejonin policisë serbe të bënte çfarëdo që dëshironte me popullin, ndërkohë që Rugova udhëtonte në botë për t’u takuar me udhëheqës të ndryshëm botërorë...Derisa peticioni po qarkullonte, policia, me gjasë e paralajmëruar nga LDK-ja, u paraqit te banesa e Adrianit në Prishtinë. Rastisi që Adriani të mos qëllonte në shtëpi” (f.130).

 

Këta dy paragrafë dhe shtjellimi më detaj në libër argumentojnë se lëvizja pacifiste e Rugovës ishte dukshëm në funksion të sundimit kriminal të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhjetëra mijëra të torturuarve u kujtohen edhe sot deklarimet e Rugovës “mos bini në provokimet e policisë serbe”, për torturat më çnjerëzore të përditshme që i bënte policia serbe ndaj kujt i tekej, duke përfshirë elektroshokun në organe gjenitale. Vizioni i tillë satanik i Rugovës “për të mos rënë në provokime të policisë serbe” kur ajo vinte edhe natën për ta marrë bashkëshortin në shtratin e gruas dhe ta torturoj me orë dhe ditë të tëra në stacionin e policisë, aq shumë sa që nuk do t’i vyente gjë askujt, nuk ka si të shpjegohet dhe kuptohet në mënyrë më të denjë pos udhëheqje si ia donte qejfi Millosheviqit. Në rastet se dikush dilte me synime për ta ndryshuar atë gjendje, ose së paku të provoj ndonjë alternativë për të mos u shtrirë përtokë, Rugova dhe LDK-ja do të bëjnë lajmërimin e policisë serbe sikur në rastin e Adrianit. Kjo nuk kërkon më shumë koment rreth lidhjeve të Rugovës me regjimin e Millosheviqit në shkatërrimin e shqiptarëve dhe alienimin (tjetërsimin) e dinjitetit të tyre deri në kafshë.

 

Te kapitulli 10 – Ndërtimi i ushtrisë – theksohen problemet ideologjike rreth formimit të UÇK-së, ku pararojë e saj ishte Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) e cila ende nuk ishte shpërlarë nga simpatitë për Enver Hoxhën dhe komunizmin. Pullazxhiut nuk i pëlqente aspak që kushëriri i tij (Adriani) të punoj me LPK-në. Kapitulli tregon edhe për celula tjera të ushtrisë së ardhshme që ishin formuar individualisht, si ajo e Zahir Pajazitit (me përvojë) dhe familjes Jashari në Prekaz të Ultë të komunës së Skënderajt. Për Adem Jasharin, libri në faqe 143 shprehet kështu:

 

“Fqinjët e tij e përshkruanin [Adem Jasharin] si gangster që i kishte shqetësuar shpesh, duke ua konfiskuar veturat dhe traktorët, por nuk mund të mos e çmonin guximin e tij që t’i kundërvihej regjimit serb”.

 

Kapitulli i radhës – Shtimi i dhimbjeve – shtjellon trazirat në Shqipëri më 1997 kur u thyen depot e armatimit dhe u krijua një mundësi e madhe për furnizim me armë të UÇK-së, përpjekjet për konsolidimin e UÇK-së dhe trafikun e armëve për në Kosovë, sulmin spektakular kundër stacionit policor në Ponoshec më 10 shtator 1997, që Adriani dhe guerilët “..ti jepnin fund një herë e përgjithmonë dilemave [rreth UÇK-së], të cilat Rugova po i mbante gjallë” (f.165). Në të njëjtën natë ishin sulmuar edhe nëntë stacione tjera policore nëpër Kosovë.  Kah fundi i kapitullit jepet përshkrimi i aksionit kundër stacionit policor në Kliçinë, 16km nga Vranoci, në të cilin kishin marrë pjesë Adriani, “Mërgimi”, Muja [Krasniqi] dhe Qerimi [Kelmendi]. Adriani kishte gjuajtur me minahedhës dhe e kishte qëlluar në parking duke i kallur dy vetura të policisë. Policia kishte qenë e vendosur në një stacion tjetër prej nga erdhën të shtënat vdekjeprurëse për Adrianin, duke u bërë ushtari i parë i UÇK-së që vdiq në uniformë. Rënies së tij me gjasë askush nuk i është gëzuar më shumë se Rugova dhe një pjesë e LDK-së të cilët më herët ia kishin ndaluar protestat dhe e kishin lajmëruar te policia serbe. Për Rugovën dhe një pjesë të LDK-së, do të ishte krijuar bindja se me shkuarjen e njërit prej trazovaçëve kryesor të rehatisë të tyre nën regjimin e Millosheviqit që ushtronte terror të përditshëm ndaj shqiptarëve, vizionit rugovist me parullën “mos bini në provokime të policisë serbe” do të vazhdoj deri në pakufi, ose derisa regjimi i Millosheviqit t’i bëjë shqiptarët e Kosovës (me përjashtim të Rugovës dhe klanit të tij) t’i përjetojnë torturimet çnjerëzore dhe shtazarake si mënyrë e zakonshme dhe standarde e jetës deri sa të zhduken substancialisht. Por ja që vizionit të tillë satanik Rugovist i doli një fatkeqësi. Pullazxhiu i New Yorkut, pas rënies së kushëririt të tij Adrianit, intensifikon veprimtarinë e tij për çlirimin e Kosovës duke e futur SHBA-në në luftë.

 

Pullazxhiu organizonte takime me shqiptaro-amerikanët për mbledhjen e fondeve për luftën e Kosovës, udhëtonte shpesh për në Shqipëri dhe Zvicërr, vizitonte panairet e armëve në SHBA ku i blinte ato dhe i dërgonte për UÇK-në, mbante kontakte me DioGuardin dhe interesohej për çështjen e lobimit, me një fjalë, veprimtaria e tij ishte e shumanshme për kauzën e Kosovës. Derisa gjërat në nivel ndërkombëtar po lëviznin kundër regjimit të Millosheviqit, vizioni rugovist ende përpiqej ta mbajë popullin nën amullinë e pacifizmit dhe mos bërjes asgjë për shpërblimet që do të vijnë Washingtoni, ndërsa lufta në terren gjatë vitit 1998 ishte intensifikuar dukshëm. Një ndihmesë të madhe në thyerjen e këtij vizioni satanik me të cilën po helmohej popullsia, e dha dhe Kryeministri i Kosovës në ekzil, i cili “fliste gjithnjë e më shpesh në përkrahje të rezistencës së armatosur. Edhe disa udhëheqës të shquar të LDK-së e bënë të njëjtën gjë. Gati brenda natës, lëvizja paqësore u dezintegrua dhe mijëra shqiptarë të Kosovës zëshëm kërkonin t’i bashkoheshin UÇK-së. Faza e dytë e kryengritjes kishte filluar” (f.198).

 

Pullazxhiu nuk ishte diplomat. Por edhe këtë punë ai do ta rregulloj nëpërmjet AACL-së në SHBA ose shtetin ku ambasadori Robert Gelbard fillimisht e kishte quajtur UÇK-në si terroriste, por së shpejti ndërroj qëndrim duke u kthyer në anën e UÇK-së. Për UÇK-në tani do të interesohet edhe emisari i posaçëm Richard Holbrooke, i cili kishte takuar dy “komandantë” lokal, Hajdin Abazin (me nofkën e luftës Lum Haxhiu) dhe Gani Shehun. Lum Haxhiut nuk i kishte pëlqyer kërkesa e Holbrook-ut për të negociuar armëpushimin me Millosheviqin, dhe UÇK-ja të heq dorë nga disa postblloqe, kërkesa këto që ishin refuzuar me arrogancë. “Nuk na pëlqeu ajo që e tha Holbrooke-u në lidhje me tentimet për të sjellë paqe në Kosovë. ne kemi nevojë për liri, jo vetëm për paqe. Ne luftojmë për liri, tha Haxhiu pas takimit” (f.243). Ky ishte një gabim strategjik i një “komandanti” lokal. Holbrooke dhe negociatorët e SHBA-va kishin rënë në hall se me kë duhet te bisedojnë në UÇK. “Pashmangshëm, zyrtarët e Qeverisë amerikane e gjetën rrugën të [Pullazxhiu] në Triangle General Contractors. Pullazxhiu i vuri ata në lidhje me komandën supreme të UÇK-së, shumica e të cilëve ishin në Zvicër” (f.243). Këto i përmban kapitulli i parë i pjesës së tretë ose i 16 i librit “Lufta, raundi i dytë”. Gjersa UÇK-së i duhej Rigrupimi (kapitulli 17) dhe NATO e kishte marrë çështjen seriozisht, Pullazxhiu vazhdonte me blerjen dhe sjelljen e armëve dhe paisjeve përcjellëse si uniforma, jelekë anti-plumb, pajisje kundër lehjes së qenve, radio lidhje, telefona satelitorë, e shumëçka tjetër, nëpërmjet detit dhe ajrit. Nuk e kishte problem të blej armë në SHBA dhe ato t’i transportoj në destinacionin e duhur, edhe pse legjislacioni federal i SHBA-ve ishte marrë me këtë problem ndaj tij.

 

Me gjithë premtimet e vazhdueshme të NATO-s se do të intervenoj ushtarakisht, Pullazxhiu nuk donte të besonte se kjo do të ndodhë. Ajo protesta në Dayton e kishte djegur fort dhe i kishte dhënë një mësim të mirë, pas të cilës nga një përkrahës i hershëm i politikës pacifiste erdhi në përfundim ta quante veten naiv shkaku i besimit në dokrrat dhe “sehiret” e pakta dhe të njëjta të Rugovës. Tani ai nuk i besonte as NATO-s që kishte fuqinë reale më të madhe në botë dhe ishte gati për të vepruar. “Sehiret” e Rugovës e kishin dëshpruar deri në palcë dhe prej asaj kohe kishte të drejtë të mos i besoj NATO-s derisa të dalin veprimet konkrete. Prandaj, Pullazxhiu me datën 20 mars 1999 kishte vajtur “me aeroplan në Nevada, e ngarkoj një kamion të marrë me qira, me 32 snajperë të kalibrit .50 dhe disa dhjetëra kuti me municion” (f. 269).

 

Operacioni patkoi (kapitulli 18) raporton për fushatën e bombardimeve të NATO-s dhe resprezaljet e serbëve kundër popullsisë civile shqiptare. Gjatë kësaj kohe kishin filluar të shkapërderdheshin edhe grupet kryengritëse të UÇK-së, me përjashtim të atij që e udhëhiqte Ramush Haradinaj në perëndim të Kosovës, por edhe ky grup filloj të mbetej pa municion. Kushëriri i Pullazxhiut, Xhevdeti ishte përpjekur ta ndihmonte, por pa sukses pasi një grup të cilin e udhëhiqte nga Shqipëria për në Kosovë, ra në pritë ku prej 21 vetave, 11 u vranë dhe pjesa tjetër me grupet tjera u kthyen prapa në Shqipëri. Bombardimet e NATO-s nuk ishin pa probleme sa i përket caqeve ku ndodhën edhe disa gabime ndaj objektivave siç ishte qëllimi i një treni të udhëtarëve dhe kolonën e civilëve shqiptarë. Kjo po e dobësonte aleancën e shteteve të NATO-s në vazhdimin e fushatës ajrore. Greqia dhe Italia bënin thirrje për ndërprerjen e fushatës. Për Greqinë nuk ishte aspak çudi dhe dihej se ajo ishte kundër fillimit të bombardimeve dhe haptas mbante anën e Millosheviqit. Pak e çuditshme ka mundur të jetë kërkesa e Italisë, por kjo ishte dukshëm më e qartë se në rastin e Greqisë. Italia para luftës  ishte ndërmjetës në marrëveshjen absurde të Millosheviqit me Rugovën për arsimin në Kosovë, një prej shumë kartave që Millosheviqi me Rugovën e përdornin për të lozur me shqiptarët e Kosovës si macja me mi. Ku tjetër do të shkoj Rugova për “strehim politik” gjatë bombardimeve të NATO-s pos në Itali, ose më konkretisht tek ata me të cilët lozte maca-mini në marrëveshjen për arsimin me Millosheviqin në Kosovë. Këtë nuk e sqaron libri i Autores, por e sqaron fakti se Rugova së paku ka mundur të shkoj në Francë (një aleat tjetër i Serbisë) meqenëse e fliste frëngjishten dhe kishte studiuar atje, dhe me gjasë ka pasur miq. Por ai do të shkoj në Itali me urdhër të Millosheviqit, dhe atje do të mbetet i heshtur duke u marrë me përralla dhe teori të fallxhorëve, në kohën kur populli kryetar i të cilit ishte, digjej, vritej, përdhunohej, masakrohej, dëbohej pa mëshirë.

 

Autorja viziton Pullazxhiun në firmën e tij në ditën e 13-të të bombardimeve të NATO-s. Në bisedën që zhvillon me të, ajo mëson se Pullazxhiu për herë të parë në SHBA ka bankrotuar dhe ka mbetur pa para. Merrte para hua, në mes tjerash, për t’i paguar thirrjet telefonike të UÇK-së. “Sikur [Pullazxhiu] të mos e kishte paguar American Expressin, kryengritësit do të humbin lidhjen e tyre me botën” (f.282). Autorja e ndien se i ka kontribuuar humbjeve financiare në biznesin e Pullazxhiut kur ajo ka botuar një artikull për të dhe familjen e tij në The New York Times në nëntor 1998, me çka furnitori kryesor i biznesit të Pullazxhiut ishte shqetësuar, dhe për pasojë biznesi mori tatëpjetë dhe mbahej vetëm me furnitorin e dytë.

 

Në dy javët e para aleanca e NATO-s gati sa nuk e shpalli UÇK-në të mundur tërësisht. Mbijetesa dhe konsolidimi i UÇK-së filloj pasi në krye të saj erdhi gjenerali Agim Çeku, me të cilin NATO e dinte tani se ka një komandant me të cilin mund të bashkëpunohej. Gjatë fushatës së NATO-s, qindra shqiptaro-amerikanë do të mobilizohen me emrin Batalioni Atlantiku, duke përfshirë edhe punëtor të Pullazxhiut. për të luftuar në çlirimin e Kosovës, duke lënë jetën normale, e disa edhe luksoze në SHBA për të luftuar në Kosovë, një vend që nuk e njihnin sa duhet por vinin nga kureshtja se e kishin prejardhjen nga këtu. Në atë kohë, Rugova fatmirësisht ishte internuar me dëshirë në Itali dhe nuk mund t’i përcillte mesazhe popullit të Kosovës që kishte mbetur ende brenda Kosovës për “inskenimet serbe për destabilizimin e vendit” nëpërmjet shqiptaro-amerikanëve. Batalioni Atantiku u angazhua në operacionin Shigjeta në malin e Pashtrikut.

 

Dita e çlirimit – kapitulli 21 – ende nuk është fundi i ngjarjes për Pullazxhiun që e futi SHBA-në në luftën e Kosovës. Libri ka edhe kapitullin 22 – Pas luftës – ku personazhi kryesor është Pullazxhiu dhe biseda e Autores me të. Tek epilogu, Autorja bënë një vërejtje në kontekstin gjeopolitik të Kosovës me ndërhyrjet amerikane në Afganistan dhe Irak, se sikur mos të vepronte dikush për ta detyruar Amerikën të intervenoj në kohën e duhur ose intervenimi të shtyhej, ndërhyrjet në Afghanistan më 2001 dhe Irak më 2003 do ta lënin nën hije intervenimin e mundshëm në Kosovë, meqenëse vëmendja e Amerikës do të zhvendosej atje, siç është e zhvendosur edhe sot. Por katalizatori kryesor i futjes së Amerikës në luftën e Kosovës në “kohën e duhur dhe vendin e duhur” ishte Pullazxhiu. Pa mbështetjen e luftës nga Pullazxhiu, rezistenca e armatosur në Kosovë do të shuhej, dhe do të kthehej vizioni satanik i Rugovës për “mos provokim të policisë serbe” pavarësisht torturave të përditshme shtazarake që nuk i shihej fundi.

 

Në faqe 364 tek Epilogu, duket se është bërë një gabim, ose një pjesë e tekstit është futur qëllimisht në shqip sipas qejfit të përkthyesve ose botuesit KOHA: “Kështu që nga shkurti i vitit 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Pavarësinë 62 shtete e kanë pranuara Kosovën...”. Botimi origjinal ose anglisht (i vetmi botim) të cilit përkthimi shqip i referohet, është i vitit 2004. Atëherë, është e qartë se Autorja nuk ka pasur gjasa teorike të shkruaj në vitin 2004 se Pavarësia e Kosovës është shpallur në shkurt 2008, dhe se atë e kanë njohur 62 shtete. Njohja e Pavarësisë nga 62 shtete është tekst i futur nga përkthyesit ose botuesi në shqip, dhe kjo përputhet mirë me kohën kur është përkthyer libri, e që duket të jetë muaji shtator 2009, sepse në muajin tetor u botua. Kjo mund ta shtoj dyshimin nëse botuesi dhe përkthyesit në shqip kanë bërë ndryshime sipas preferencave të tyre nga botimi anglisht. Përkthimi në përgjithësi duket të jetë i mirë dhe i kuptueshëm me përjashtim të disa fjalëve që nuk janë përkthyer dhe lexuesit mund t’i duken si neologjizma. Për shembull, në libër lexuesi do ta has shpesh termin shrapnel. I tillë është edhe në anglisht, por në shqip mund të përkthehet në disa forma me të njëjtin kuptim. Fjala është për copat, grimcat, spirrat, fragmente e bombës, minës, raketës, predhës. Shumë pak njerëz e kuptojnë çka është shrapneli i bombës. Copat ose grimcat e bombës kur eksplodon, i kuptojnë të gjithë. Sidoqoftë, për studiuesit që e njohin gjuhën angleze, versioni anglisht i librit mbetet më i mirë dhe më i ndershëm.

 

Nuk e kuptuam se kush ishte Pullazxhiu të cilin libri e tregon në detaje. Pullazxhiu quhet Florin Krasniqi, i lindur në vitin 1964 në fshatin Vranoc të Pejës. Në vitin 1988 ai emigroj duke kaluar ilegalisht në SHBA prej Meksikës në gepekun e një veture Cadillac me ngjyrë të bardhë. Kur hyri ilegalisht në SHBA, kishte në xhep vetëm 50 dollarë. Ky është njeriu i cili nga puna si gropues kanalesh arriti ta fus aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, në luftën e Kosovës për largimin e regjimit të Millosheviqit që po bënte krime dhe spastrim etnik në Kosovë, ose vendlindjen e Florinit. Lufta e SHBA-va dhe aleatëve të saj në Kosovë kushtoj 45 miliardë dollarë.       

 

Libri “Si e futi pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë”, është një udhërrëfyes praktik dhe mësim për të gjithë ata shqiptarë që duan të lirohen nga përrallat, dokrrat, besëtytnitë e kota, “sehiret”, teoritë e konspiracionit, marramendjet, nëse duan ta shohin, prekin, dhe përjetojnë realitetin me sy dhe me forcën e gjërave konkrete. Libri paraqet një rrënim sistematik të thashethemeve për ndonjë intervenim të planifikuar vite me parë të SHBA-ve, për vizionin satanik të Rugovës për kinse lidhjen e tij me SHBA-të rreth intervenimit në Kosovë, e për shumë matrapazë të UÇK-së qëllimi i të cilëve ka qenë, është dhe mbetet të vjedhin, ose të mos jenë diç më të mirë kundër popullit se regjimi i Millosheviqit. Shkaku i shtrembërimit të skajshëm të ndërhyrjes së SHBA-ve në luftën e Kosovës me teori të fallxhorëve si vizioni satanik i Rugovës për t’u shtrirë përtokë, sot Kosova është vendi më i poshtëruar dhe nëpërkëmbur në Evropë. Pullazxhiu i cili i kishte besuar fuqishëm atij vizioni rugovist sikur shumë të tjerë, erdhi në përfundim dhe e quajti veten naiv. Po ju? Mos u duhet edhe juve të kaloni nëpër rrugën dhe përvojën e Pullazxhiut ta fusni SHBA-në në luftën e ardhshme të Kosovës, sepse gjendja nuk është edhe aq e mirë, dhe nëse vazhdon kështu me ato vizionet e Rugovës, mund të shpie te një luftë tjetër, jo kundër Serbisë, por qytetare. Libri pas të gjithash është një mësim dhe njëkohësisht diskreditim i tmerrshëm i inteligjencës së shqiptarëve të Kosovës, se me gjithë njerëzit e shkolluar dhe të “mençur”, vizionin dhe strategjinë më të mirë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, e kishte një emigrant ilegal dhe gropues kanalesh. Ne me siguri jeni më të shkolluar dhe më të aftë se ai – TEORIKISHT.

 

Kushëriri krijoj bazën, ndërsa Pullazxhiu i vuri kulmin luftës për çlirimin e Kosovës.

 

 

 

Isa Mulaj

29.01.2010.


29/01/2010
Emri
Komenti
Vendosni Kodin
 
 
Foto e Ditės
Reklamo nė Mekuli Press

Lajmet - Lajmet e fundit

Rtk Drejtėpėrdrejtė
Pėr tu kuqur nė Tv (Kliko mė poshtė)
Mekuli Press Mekuli Press

Erstelle dein ProfilbannerTė gjitha tė drejtat janė tė rezervuara © Mekuli Press 2010 --->> redaksia@mekulipress.com
Kryeredaktor: Xhelal Avdullahi ShqiperiaCom