|
Titujt Kryesorë 08 Shtator 2010
"
ÇKA Në mesin e mbi 50 për qind të popullatës së Kosovës e cila nuk ka dalë në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të kaluar, pa dyshim se jam edhe unë, ai “vetëvrasësi “ i drejtës sime, sikur na thonë, kushtetuese dhe të pacenueshme demokratike të zgjidhi dhe të jem i zgjedhur. Pas hamendësimeve të shumta në vete, këtë vendim e kam marrë në momentin e fundit, mu ashtu sikur bënë një vetëvrasës ordinar, i cili, aktin e vetëflijimit të vetë, zakonisht e kryen në mëngjes, para agimit. Kuptohet, ky qëndrim “ekstrem” i imi, nga shumica e demokratëve më të “arsyeshëm” dhe më të “vetëdijesuar” se unë, nuk ka hasur në përkrahje dhe mirëkuptim të duhur. Sa kam pasur të drejtë me këtë veprim, së paku si statisfakcion për vete, do të më mbetet pasqyra e gjithë asaj maskarade që ndodhi më vonë gjatë balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të disa qyteteve të Kosovës, e veçanërisht te zgjedhja për kryetar të qytetit tim të Prizrenit. Mosarritja e votimit të kryetarit, si dhe anulimi dhe përsëritja e këtyre zgjedhjeve nga KQZ-ja me arsyetim se aty kanë ndodhur keqpërdorime dhe manipulime të shumta, edhe më tepër e favorizojnë dhe e inkurajojnë këtë veprim timin. A thua, a ka pasur në Prizren vërtet keqpërdorime dhe manipulime me votën e lirë të qytetarëve të tij?! Vështruar nga aspekti i logjikës së shëndoshë në gjithë procesin e rrjedhjes së gjërave në dukje, me plotë gojë mund të thuhet, PO! Ka pasur dhe atë 100 për qind. Sepse, në këto zgjedhje të raundit të dytë për kryetar, që të dy kandidatë kanë fituar përqindjen e njëjtë të votave, “fifty-fifty”, apo, 50 me 50 për qind. Nga ana tjetër, sikur PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja e Prizrenit, me argumente bindëse e akuzojnë njëra tjetrën për vjedhje dhe manipulim votash. Nëse, me këtë rast, nuk i mohojmë si të vërteta pretendimet për ekzistimin e manipulimeve të asnjërës parti rivale, atëherë, si konstatimin më logjik do ta kemi një matematikë të thjeshtë: 50% të LDK-së + 50% të PDK-së për manipulime, na bëjnë 100% dallavere me votat e lira dhe demokratike të qytetarëve prizrenas! Çka po ndodh kështu me qytetin tim?! Edhe pse hija e vjetër e tradicionalizmit specifik vazhdon të mbretërojë në bindjet e të tjerëve për këtë qytet, pa marrë parasysh kush dhe çka mendojnë për të, prizrenasit vazhdojnë të jetojnë sipas tekeve të tyre. Ashtu të qetë, duke lënë gjithmonë përshtypjen se, përveç punëve të veta, atyre nuk u intereson asgjë tjetër. Së paku kështu duket në shikim të parë, e, realisht, diku në brendinë e krenarisë së atyre kinse të mentalitetit të qetë, si latente fshihet: zhgënjimi, pakënaqësia, indiferentizmi... ndjesia kolektive e një sindrome të paaftësisë se ata vetë mund të ndryshojnë së paku diçka në këtë drejtim. Ata janë sinonim i asaj “qysh flet çarshija” Në zgjedhjet e fundit për balotazh, ta zëmë, PDK-ja e Prizrenit, ka lidh koalicion me shumicën e partive politike minoritare. Ajo, duke e bërë këtë potez llogariti se edhe faktikisht morri bekimin dhe përkrahjen e tyre por, ata harruan se me këtë akt formal, i kanë përfituar vetëm udhëheqësit politik të minoritarëve të cilët edhe ashtu i kanë të garantuar disa poste në pushtet dhe vetëm kështu e luajnë lojën demokratike, e kurrsesi elektoratin e gjerë të tyre. Që të dyja parti politike aktualisht më dominonte në Prizren (PDK dhe LDK), gabimin e më të madh në këto zgjedhje e kanë bërë që në start. Atë psikologjik: me vetëbesimin e tepruar në vete. Tepër të bindur në vete se, nëse si parti politike ekzistojnë dhe veprojnë në këtë qytet, me këtë rast edhe e njohin mirë mentalitetin e tij. Gabimi tjetër i tyre qëndron në strategjinë e veprimit përmes politikës kadrovike partiake në radhët udhëheqëse të tyre. Edhe pse është e arsyeshme që në këto rrethana të mos e njohësh këtë mentalitet specifik, sepse një pjesë e madhe e funksionarëve të tyre të eksponuar partiak, janë vendosur tek pas lufte në Prizren, së paku është dashur që në shtabet e tyre zgjedhore të rekrutojnë këshilltarë dhe njerëz që shumë mirë e njohin këtë autoktoni specifike. Njerëz që e dinë në thelb si frymon ky qytet dhe kanë njëfarë autoriteti të tërthortë tek shumica e banorëve e tij tradicional. Andaj, me këtë rast, lirisht mund të konstatojmë se, dyzet e disa për qind të atyre që kanë dalë në votimet e zgjedhjeve të fundit në këtë qytet, nuk është i gjithë Prizreni. Prizreni i vërtetë. Së paku jo ai të cilin e njoh unë mirë më se 50 vite. Për të gjitha këto marifete që ndodhën me zgjedhjet e fundit lokale në Prizren, dhe të gjithat si vërejtje që i cekëm më sipër, janë vetëm njëra anë e medaljes, sepse ana tjetër tregon se, në këtë situatë, tek të dyja parti rivale, strategjinë kyçe të fushatës zgjedhore nuk e kanë hartuar vendasit, por qendra. Prishtina! Hashim Thaçi, Eqrem Kryeziu, Enver Hoxhaj, Lutfi Haziri... Kjo, pa dyshim, në njëfarë mënyre, indirekt i shkarkon nga përgjegjësia për dështim politikanët tanë vendor, por assesi nuk e ndryshon mendjen e shumicës se qytetarëve se me këtë veprim mund të kenë gabuar pse nuk kanë dalë në këto zgjedhje. Bibe-bile, edhe mjaft nga ata që kanë dalë, tani janë të penduar... Adnan Abrashi 17/01/2010
|