|
Titujt Kryesorë 08 Shtator 2010
"
Radio-Kosova e lirë ndërmerr fushatë protestuese kundër Këshillit të Pavarur të Medieve
Fushata ka për qëllim të ushtojë presion te drejtuesit e KPM-së, në mënyrë që drejtuesit e këtij Këshilli të përgjigjen në ankimet dhe kërkesat tona. Konsiderojmë se kjo është e drejtë elementare e çdo institucioni, i cili mbanë përgjegjësi për të shqyrtuar çdo ankesë apo kërkesë, që i drejtohet nga cilido medium, në një afat të caktuar kohor. -KPM-ja ka zvarritur për vjet të tëra kërkesën e ligjshme të Radios-Kosova e lirë për shtrirje të dëgjueshmërisë dhe për evitimin e pengesave, që i bëjnë kësaj radioje, Radio-Dukagjini, Radio-Kosova, dhe radiot e tjera, të cilat kohë pas kohe lajmërohen në valën 94.2. -KPM-ja, duke ditur se kjo valë është tejet e stërngarkuar, meqë në të njëjtën valë dhe përreth saj emetojnë disa stacione të ish-RJ të Maqedonisë dhe stacionet e vendit me status të avancuar, pikërisht këtë valë i ka caktuar për emetim Radios-Kosova e lirë, radios të vetme të luftës në Kosovë, për mbrojtjen e së cilës, gjatë luftës së UÇK-së kanë rënë shumë dëshmorë dhe tre anëtarë të stafit. -Kërkesat tona drejtuar KPM-së kanë vazhduar nga viti në vit, dhe, asnjëherë deri tani nuk kemi marrë përgjigje meritore, qoftë edhe negative. Në ankimet tona zakonisht thuhet se kërkesa do të shqyrtohet... -Duke qenë se KPM-ja e burokratizuar dhe parazite nuk merakoset fare, qoftë edhe për të na kthyer një përgjigje negative, Radio-Kosova e lirë do të bëjë përpjekje që përmes presionit demokratik të ndërmarrë një varg aktivitetesh, me qëllim që ky Këshill ta kuptojë se në Kosovën e lirë dhe të pavarur nuk mund të veprohet me diktat, injorim dhe nënçmim sikur është vepruar në kohën e regjimit okupator të Milosheviqit. Fushata protestuese parasheh: -Dërgimin disa herë në ditë të kësaj ankese në emailet e zyrtarëve të KPM-së. -Njoftimin e medieve lidhur me këtë padrejtësi të ushtruar arbitrarisht kundër Radios- Kosova e lirë, e cila po zgjatë qysh prej vitit 2001. Ankesën tonë do t’ia drejtojmë: -Qeverisë së Kosovës, -Kuvendit të Kosovës, -KMLDNJ-së, -Shoqatave të luftës së UÇK-së dhe asociacioneve të tjera. Faza e dytë e fushatës protestuese, parasheh një peticion drejtuar KMP-së dhe institucioneve relevante, nënshkruar nga familjarët e dëshmorëve, nga invalidët e veteranët e luftës dhe nga dëgjuesit e kësaj Radioje. Faza e tretë e fushatës parasheh, protesta publike para Këshillit të Medieve, deri në plotësimin e kërkesave tona të ligjshme. Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë 16/01/2010
|